E Diel, 1 Nëntor 2026

70 vitet e Tina Tërnerit "Simpley the best"

Tina Tërner është si zjarri. E tillë ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë. E vështirë t‘i fshehësh shkëndijat dhe 70 vitet e saj janë prova më e mirë që nuk është shuar apo kthyer kurrë në hi. Na ka "djegur" me këmbët, me zërin, me flokët me karakterin e saj të egër. Në jetë nuk ka ditur të ndalet dhe kush është përpjekur ta bëjë është larguar pa shpresë, sepse zjarri djeg nëse nuk tregohesh i kujdesshëm. Kush e ka dëgjuar dhe parë në skenë e ka ndier ngrohtësinë që rrezaton, kush e ka dashur është përfshirë në pasionin e saj. Zjarri i gruas së rokut, që me të drejtë është cilësuar si mbretëresha e padiskutueshme e tij, "djeg" ende edhe sot 70 vjet pas lindjes së saj. Më 26 nëntor të vitit 1939, në Nutbush, në Tennessee, erdhi në jetë vajza me ermin Anna Mae Bullock. Tina ishte vajza e dytë e dy fshatarëve të varfër me origjinë afro-amerikane, europiane e ndoshta edhe indiane. Deri më sot, epoka ku interneti ka bërë të mundur dhe të prekshme gjithçka, Tina Tërner ka hyrë në histori duke djegur kohën, duke u transformuar dhe mbetur gjithmonë "mbretëresha e padiskutueshme e rock n‘roll". Në skenë, ata që gjithmonë kanë pasur mundësinë ta shihnin, nuk kanë bërë gjë tjetër veçse e kanë admiruar për më shumë se 50 vjet. Dhe ajo gjithmonë ka kënduar këngë të marra nga albumet që kanë shitur më shumë se 180 milionë kopje, duke koleksionuar tetë "Grammy", katër dhjetëvjeçarë rresht kopertina të "Rolling Stone" dhe pesë filma. Mbretëresha e rokut me shpirtin soul, përfaqëson krenarinë dhe pavdekshmërinë e kësaj rryme. Ishte ajo që këmbënguli për të vazhduar ëndrrën e fëmijërisë për t‘u bërë këngëtare, kur në St. Louis njohu një muzikant të ri, Ajk Tërner, që fillimisht u tregua skeptik dhe e mbante në hije. Ishte viti 1958. Në këtë vit Ajk dëgjoi për herë të parë të këndonte Anna Mae Bullock, e cila shpejt u bë pjesë e bandës muzikore ku Ajk bënte pjesë dhe nisi të quhej me emrin e artit Tina Tërner. Pas kësaj u ndryshua edhe emri i grupit: "Ike and Tina Turner Revue". Falë zërit të saj, kënga "A fool in love" u rendit menjëherë ndër dhjetë hitet më të mira ritëm dhe bluz, ndërkohë që arriti të zinte vend edhe në renditjen e listës së 40 këngëve më të mira pop. Të dy u martuan në vitin 1962. Tinës u desh të rriste katër fëmijë, 2 të Ajkut, një të sajin të lindur nga martesa e mëparshme dhe një fëmijë i lindur nga lidhja me të. Pavarësisht kësaj, asnjëherë nuk mungoi në skenë duke kënduar, kërcyer dhe shpërthyer si gjithmonë. Grupi "Ike and Tina Turner Revue" u kthye në një prej më të rëndësishmëve në qarkun e ashtuquajtur të afro-amerikanëve. Ceremoninë e martesës e bënë në Tiuhana, në Meksikë, por në të vërtetë, në librin e shkruar nga Ajk arrihet në përfundimin se ata nuk u martuan kurrë. Në turin e tyre të vitit 1969, "Rolling Stone" e zgjodhën grupin e bashkëshortëve si më të përshtatshmin për hapjen e turit, duke i bërë të njohur edhe në sytë e shumë të pasionuarve pas rokut. Në vitin 1971, "Ike and Tina Turner Revue" arritën të ngjiten në listën e dhjetë këngëve më të mira me versionin e përpunuar të këngës "Proud Mary", ku me zërin e tij të thellë Ajk shoqëronte hyrjen e famshme të recituar nga Tina. "Kurrë nuk i bëjmë gjërat këndshëm e lehtë", thoshte Tina, "i bëjmë këndshëm, por ashpër". Kënga fitoi një çmim "Grammy", si performanca më e mirë në rang grupi. Tina, në librin e saj, i përshkruan ato vite si të mbushura me dhunë, tradhti bashkëshortore e drogë dhe Ajk nuk i mohon, megjithëse shkruan: "Tina dhe unë vërtet jemi zënë shpesh, por jo më shumë se çiftet e tjera". Tina u nda në vitin 1975. Ajk, që edhe deri atëherë kishte abuzuar mjaft me drogat dhe alkoolin, u zhyt edhe më thellë në probleme, sidomos gjatë viteve ‘80, kur ish-bashkëshortja e tij shiste miliona e miliona disqe në të gjithë botën. Periudha e rënies muzikore u bë e dukshme, një realitet për t‘u përballuar, që Tina vendosi ta sfidojë e vetme. Në vitin 1976 u largua nga i shoqi dhe e kaluara e saj. Më në fund e lirë dhe pa asnjë para në portofol u fsheh te miqtë e saj, praktikoi budizmin dhe gjeti forcën për ta marrë veten sërish. Divorci u zyrtarizua në vitin 1978, pas 16 vjetësh martesë. Për vdekjen e Ajk në vitin 2007, u lëshua vetëm kjo komunikatë e thatë: "Ajk dhe Tina nuk kanë asnjë kontakt prej më shumë se 30 vjetësh. Nuk ka asnjë koment tjetër për t‘u bërë". Rikthimi i fuqishëm në vitin 1984 ka qenë më i bujshmi që mund të mbahet mend ndonjëherë në historinë e rokut. Kënga "What‘s love got to do with It" përmbysi parashikimet e klasifikimeve brenda pak javëve. Tina ishte 44 vjeçe. Albumi që pasoi "Private dancer" shiti në botë thuajse 20 milionë kopje. Vitin tjetër ishte radha e "We don‘t need another hero", kolona zanore e filmit "Mad Max Beyond Thunderdome", ku interpreton edhe vetë. Pastaj pa ndalur, erdhi "It‘s only love", kënga e kënduar në duet me Brajan Adams. Në vitet që pasuan "zjarri" vazhdonte të digjte sërish. Autobiografia "Unë Tina" u bë film me Anxhela Baset dhe Laurens Fishbërn, në vitin 1991 doli "Simply the best", ndërsa në vitin 1995 u regjistrua kënga "Goldeneye" shkruar nga Bono për filmin e Xhejms Bond. Në jetën e saj Tina Tërner ka kënduar me shumë yje të mëdhenj të muzikës si: Brajan Adams, Rod Stjuart, Elton Xhon, Mik Xheker, Devid Boui, Erik Klepton dhe Mark Knofler. Në vitin 1997, edhe me Eros Ramazotin në pjesën "Cose della vita", në 2006-n me Elisën në "Teach me again" dhe sukseset ishin të jashtëzakonshme. Vitin e shkuar u ngjit në skenë me Bijonse për t‘u nisur pastaj në turin përreth botës për 50 vite karrierë. Gjithmonë e buzëqeshur, e lirë dhe fitimtare. Nga Amerika ku fitoi famë tani i kanë mbetur vetëm shumë kujtime të bukura. Aktualisht mbretëresha e rock n‘roll jeton e lumtur dhe e lirë mes Anglisë, Francës dhe Zvicrës. Me ditëlindjen e 70 të saj festuan të gjithë: muzika, historia, roku dhe padyshim zjarri.

Tina Tërner dhe turi
Pas shumë vitesh, Tina u rikthye sërish në skenë për turin e fundit të karrierës së saj 50-vjeçare. "Nuk mund ta besoj që jam ende në skenë në këtë moshë. Jam para publikut, duke kërcyer, kënduar dhe emocionuar njerëzit. Shpesh mendoja: çfarë jam duke bërë? A është normale kjo? Përse nuk jam në shtëpinë time në Zvicër e shtrirë në divan me burrin tim, duke ngrënë një pjatë të ngrohtë makarona? Mos jam gjë e çmendur?" - deklaroi ajo në muajt e parë të 2009-s. "Kam qenë shumë e lumtur që për tetë vjet nuk isha Tina Tërner. Nuk më ka munguar skena, këngët, veshjet. Nuk më mori malli për asnjë prej tyre. Kisha arritur në pikën ku isha lodhur së qeni Tina dhe doja vetëm të pushoja. Doja të shijoja jetën dhe të gëzoja shtëpitë e mia në Zvicër e Francë. Por ja ku u ktheva sërish dhe ç‘është më e keqja, dashurova çdo minutë të rikthimit tim në skenë".
Në udhëtimin e jetës së saj
"Njerëzit mendojnë se jeta ime ka qenë e vështirë, por unë mendoj se ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm. Sa më shumë rritesh, e kupton se nuk ka rëndësi ajo çka ndodh, por si të përshtatesh me të. Kam qenë një vajzë që jam rritur me ëndrrën për t‘u bërë këngëtare. Vij nga një familje e varfër dhe punëtore. Në vitet ‘40-‘50 nuk ekzistonte ideja se kushdo mund të bëhet i famshëm. Unë isha më pak e favorizuar, për shkak të ngjyrës së lëkurës sime. Megjithatë kurrë nuk e humba besimin në vetvete. Kur takova Ajk, kjo ndodhi. Ne u bëmë të famshëm, jeta ime ndryshoi, por ende ishte e vështirë. Këngëtarët e zinj atëherë nuk shikoheshin me sy të mirë, por ne thjesht nuk ndalëm. Vazhduam të ecnim përpara. Teksa rikthej kujtimet tek ajo ditë, më vjen për të qeshur, sepse në atë kohë kam marrë aq shumë mësime për jetën sa nuk kam marrë kurrë në gjithë këto vite. Dhuna që Ajk ushtroi mbi mua ishte një nga periudhat më të errëta të jetës, por ato ditë nuk më mundën. M‘u thyen brinjë, hunda, kocka, po prapë nuk e dhashë veten, vazhdova të këndoja dhe të kujdesesha për fëmijët njëkohësisht. Thjesht i dhashë forcë vetes.

Luku
"Mosha nuk është asnjë problem për mua. Mendoj se 50 vjeç do të thotë të jesh edhe njëherë 30, ndërsa 70 të jesh sërish 50. Nuk ka asnjë rregull që të thotë ti në këtë moshë duhet të vishesh dhe të veprosh në këtë apo atë mënyrë. Ne po jetojnë në një kohë të mrekullueshme për gratë". Në fakt, kur njerëzit mendojnë për Tina Tërnerin, ata mendojnë për zërin, flokun, por kryesisht për këmbët e mrekullueshme. "Akoma mund të vesh një fund të shkurtër në skenë, sepse kjo është gjëja e vetme që më shkon dhe më bën të ndihem mirë. Jam përpjekur të vesh në skenë veshje të tjera, por nuk mundem. E ndiej veten të cunguar brenda tyre. Këmbët e mia janë ende shumë të bukura. Ato ende më mbajnë gjallë, ende "funksionojnë" për mrekulli. Jam e sigurt se nëse në skenë nuk do t‘i nxjerr dot, atëherë njerëzit do të mendojnë se nuk jam unë. Kush e mendon dot Tina Tërnerin pa fundin e saj të shkurtër dhe këmbët e nxjerra në pah. Sekreti më i madh i bukurisë sime është se unë jam gjithmonë e lumtur me veten. Nuk përdor kurrë kremra apo trajtime të veçanta. Thjesht pak nga të gjitha. Për mua është rreptësisht e ndaluar të mendosh se njeriu është ajo çka kujdeset për veten. Mendoj se mënyra se si dukeni ka të bëjë me mënyrën se si ju ndiheni me veten dhe jetën. Lumturia është sekreti më i madh për të qenë i bukur. Por, mbi të gjitha, e gjen falas pa asnjë çmim".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›