E Diel, 1 Nëntor 2026

"Si shpëtuam tokat që rrezikonin të mbeteshin në Maqedoni"

"Po, po rrezikonim të humbnim mijëra hektarë tokë me Maqedoninë, por më në fund ia dolëm, tani kemi betejën e radhës, me Malin e Zi". Është gjeneral Behar Selimi, kreu i policisë kufitare të Kosovës, i cili rrëfen në një intervistë për "Shqip" përpjekjen e radhës së shtetit të Kosovës për të ruajtur tërësinë e tij territoriale dhe për të mos lëshuar as edhe një centimetër, megjithëse provokimet kanë qenë të shumta...

Zoti Selimi, pas pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare, përcaktimi i kufijve të shtetit të Kosovës është sfida më e rëndësishme për momentin. Deri tani është mbyllur çështja me Maqedoninë, e cila ka hapur debate sikur Kosova ka lënë mjaft territor jashtë saj. E vërtetë është?

Në Kosovë kemi sfidë përcaktimin e vijës së kufirit. Vështirësitë janë të karakterit teknik, gjeografik, politik, por edhe demografik. Pas hyrjes në fuqi të planit Ahtisari, Kosovës iu përcaktua që si kufij të shtetit të ketë atë vijë që pa pasur kur ishte Krahinë Autonome në kuadrin e ish-Federatës Jugosllave. Që do të thotë, kufijtë deri në fund të vitit 1988. Kjo sigurisht për të mos përfshirë ndryshimet që Beogradi ka bërë pas kësaj date. Pra, si rrjedhim, nisi shënimi i vijës kufitare me përjashtim të vijës së kufirit me Republikën e Maqedonisë, e cila duhej të bëhej në bazën e marrëveshjes së vitit 2001, që ka e ndryshuar atë vijë administrative dhe nga ndryshimet mbetën mijëra hektarë të Kosovës në Maqedoni. U krijuan komisionet ndërshtetërore për të shënuar vijën kufitare dhe pas një procesi relativisht të shkurtër (këto procese të demarkacionit zgjasin me vite e vite). Në ish-Jugosllavi ka ende shtete që s‘kanë përcaktuar kufijtë, por dhe në vende të tjera), u hartua drafti final. Vija e kufirit me Maqedoninë ishte vijë ndarëse në kuptimin klasik, ishte vijë që shqetësonte banorët, pasi dhjetëra mijëra hektarë mbeten në territorin e Maqedonisë, por edhe copëtoheshin shumë prona private. Për më tepër, ishte edhe vijë e panatyrshme e kufijve të ashtuquajtur "kufij natyral" që merren parasysh kur caktohet kufiri. Komisioni ishte i përbashkët dhe me ndihmën e Zyrës Civile Ndërkombëtare u lehtësua negociata, megjithëse nuk lejoheshin bisedime, pasi komisioni për demarkacion kishte detyrë vetëm shënimin fizik të kufirit. Pas negociatave arritëm që në gjithë vijën e kufirit me Maqedoninë, që shkon rreth 170 kilometra, t‘ua përshtatim nevojave të banorëve, interesave të sigurisë së dy shteteve dhe të respektojmë vizionet e vendeve tona për integrim. Nga një numër shumë shifror hektarësh që rrezikoheshin të mbesnin jashtë Kosovës, tani ka një numër të vogël që shkon deri në 98 hektarë. Situata më e vështirë ishte në fshatin Debëllde, ku banorët nuk e kanë shfrytëzuar tokën dhe atje ka qenë e diskutueshme për shkak të marrëveshjes së 2001-shit. Para një muaji arritëm që ato ndryshime, të cilat u diktuan nga banorët, dhe vija e natyrshme e kufirit, të futen në një marrëveshje të re që është marrëveshja e re mes dy qeverive. Dhe këtë marrëveshje e përcaktoi Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë, pa u ndikuar nga Republika e dikurshme e Serbisë. Banorët mund t‘i shfrytëzojnë pronat e tyre që kanë ngelur në Maqedoni, rreth 21 hektarë. Përveç kësaj, banorët fituan edhe të drejtën e kompensimit të fitimit të humbur që mund të merrnin nga shfrytëzimi i tokës për tetë vite. Tani ka ngelur faza e fundit e procesit, që është delineimi, pra dokumentimi i vijës ndërkombëtare me fotografi, harta etj., për t‘u arkivuar dhe regjistruar. Ka pasur zëra se do ta linim jashtë Kodrën e Furrës, që është pikë strategjike me lartësi 1492 metra. Është madhështore dhe në të kaluarën atje është realizuar mbrojtje e mirë dhe është një pozicion i favorshëm sulmues. Por kjo doktrinë gjeopolitike e ka humbur kuptimin e vet. Lartësitë që Kosova i synon, e nga të cilat e ndien veten të sigurt kombi shqiptar, janë lartësitë e NATO-s dhe BE-së, që janë garancitë tona. Por Kodra e Furrës nuk ka mbetur në Maqedoni, aty është një piramidë ku ndodhen istikamet e dikurshme të ushtrisë maqedonase. Kjo majë do ta na shërbejë për turizëm, për banorët, por edhe për teknologjinë informative nacionale.

Pas Maqedonisë pritet që të hartohet marrëveshja dhe me fqinjin tjetër që e ka njohur Kosovën si shtet, pra Malin e Zi. Keni hasur probleme dhe si e shikoni këtë proces?

Me Malin e Zi kemi pasur disa situata jo të mira të aspektit të sigurisë në vendkalimin kufitar në perëndim të Kosovës nga Peja në drejtim të Rrozhajës. Aty janë vendosur disa tabela ku urohet hyrja në Republikën e Malit të Zi. Banorët e Kosovës të brezit kufitar kanë reaguar me protesta dhe në një mënyrë apo tjetër kanë cenuar stabilitetin e menaxhimit të pikës kufitare atje. Megjithatë, shumë shpejt kemi pasur kontakt në nivelin profesional dhe policor me kolegët tanë të Malit të Zi, me të cilët kemi bashkëpunim të rregullt dhe i kemi paralajmëruar se ai ka qenë akt i njëanshëm. Edhe pse ato tabela nuk janë shenjë e vijës së kufirit, janë një akt i njëanshëm që nuk është i shëndetshëm për marrëdhëniet tona në të ardhmen. Situata është qetësuar, ato tabela nga persona që nuk i dimë akoma janë dëmtuar dhe autoritetet malazeze nuk i kanë vendosur të rejat. Si do të ndodhë tani e tutje, padyshim që do të formohet komisioni ndërshtetëror që do marrë për bazë vijën e dikurshme. Krerët e policisë së Malit të Zi kanë reaguar se shenjat që ata kanë vendosur janë në territorin e tyre, por unë reagova dhe thashë se ato shenja nuk janë në territorin e tyre, por kjo nuk është kompetencë e tyre. Nevojitej njohja diplomatike që i paraprin marrëveshjes. Ky do të jetë proces i gjatë dhe i vështirë. Banorët e Malësisë së Rugovës mbrojnë argumentin që për një kohë shumë të gjatë, me shekuj (por faktikisht nuk ka një dokumentacion të përpiktë për këtë) shfrytëzojnë toka në bjeshkë, por është problem dokumentacioni si të dëshmojmë pronësinë.

Pavarësisht se mund të duket pak si jo e natyrshme, por doja t‘ju pyesja në lidhje me demaskimin dhe përcaktimin e kufirit me Shqipërinë. A ka pasur probleme?

Kjo është një nga pyetjet më të sikletshme, por edhe nga përgjigjet më të sikletshme, sepse po flasim për përcaktimin e një vije që i ka ndarë shqiptarët. Tani kjo vijë do të duhej të shikohet ndryshe. Në popull thuhet se ndarja e vëllezërve vjen edhe si pasojë e zhvillimit e mirëqenies. Me Shqipërinë në aspektin teknik nuk do të kemi asnjë problem. Arsyeja është fare e thjeshtë, kufiri është demarkuar, vetëm duhen marrëveshjet që kanë qenë dikur me ish-Jugosllavinë. Por unë nuk mendoj të bëjmë shpenzime për gurë apo piramida, për shumë arsye dhe një nga këto është ajo që në një të ardhme të afërt disavjeçare do të futemi në BE, që nuk i çmon piramidat. Ajo çka mund të bëhej është mirëmbajtja e vijës së kufirit. E dyta, është krejtësisht e panevojshme që me Republikën e Shqipërisë të kemi polici kufitare që siguron kufirin, pasi vija duhet të ruhet bashkërisht dhe kësaj herë nga kriminelët dhe jo nga shqiptarët. Në muajt në vijim do të merret në ruajtje të përbashkët vija jonë e kufirit prej 120 kilometrash, pa pasur nevojë që të na ruajë KFOR-i që është fuqi ushtarake. Është e pakuptimtë që qytetarët tanë të ndalohen dy herë nga dy polici. Duhet të kemi një pikë të përbashkët, që t‘u lehtësojmë punën. Kemi rastin e fundit, ku banorit të fshatit Borje, për të marrë një injeksion i duhej të udhëtonte 3 orë për të shkuar në Kukës, ndërsa tani që kemi hapur pikën e re, ai për 20 minuta shkon në Komunën e Sharrit. Këtë duhet ta bëjmë gjithandej. Pse qytetari të hapë bagazhin dy herë, kur më mirë mund të kemi një doganë dhe pika të përbashkëta. Kufiri do të duhet më shumë për luftën ndaj krimit.

Meqë dolëm te krimi, a janë Kosova dhe Shqipëria burime trafiku dhe të mafies ballkanike?

Bazuar në të gjitha studimet mbi lëvizjet e krimit në rajon, mbi nivelet e krimit në shtete të veçanta dhe duke bërë krahasimin, situata nuk është aq e zezë sa thuhet. Është e vërtetë se Kosova është shtet i ri dhe ende nuk i ka kapacitetet 100% të sigurimit të plotë të kufijve të vet, qofshin njerëzore apo teknologjike. Kufiri nuk ruhet si dikur, krimi ka avancuar shumë në performancën e tij. Duke shfrytëzuar këtë situatë, Kosova është një vend transit i substancave narkotike që vjen nga Lindja e Mesme, Lindja e Largët, apo edhe për migrimin ilegal. Kjo shfrytëzohet duke qenë se kriminelët gjejnë si mundësi të mirë moskontrollin e rreptë të Kosovës. Kjo situatë ka mbetur, pasi UNMIK-u e la Kosovën pa kapacitete të mjaftueshme. Ai e bëri këtë sepse nuk e kishte mandatin për të krijuar shtetin e pavarur të Kosovës, prandaj nuk investoi në ruajtjen e kufijve të shtetit. UNMIK-u investoi në ruajtjen e kufirit me Maqedoninë dhe Shqipërinë, por jo me Malin e Zi dhe Serbinë. Sot, në veri të Kosovës, vija e gjelbër prej 362 kilometrash nuk është e sigurt me forca policore. Ka KFOR, por ai ruan tërësinë territoriale që të mos sulmohet nga jashtë, e nuk ka trajnimin apo mandatin për të luftuar kontrabandën dhe krimin e organizuar.

A ka më njerëz kontingjentë apo të kërkuar nga Shqipëria që fshihen në Kosovë?

Mund të ketë raste, por ai që ka bërë krim në Kosovë është kriminel dhe mund të fshihet në Tiranë por e ndjekim kudo të futet ai. Mund të ndodhë si dukuri, pasi vija kufitare është e pamundur të ruhet në çdo centimetër. Asnjë shtet nuk e kontrollon çdo gërxh të hapësirës së tij. Njerëzit e kërkuar arrijnë të gjejnë strehim edhe sepse ka një mentalitet ku ende i hapet dera të ndjekurit nga pushteti. Ky është fenomen ekzistues ende te mjaft njerëz që kanë mentalitetin e kohës së pushtimit nga pushteti serb.

Kalojmë te pjesa më delikate e sigurisë së Kosovës, që është veriu. Kemi tri pika me Serbinë, dy në Leposaviç e Zubin Potok dhe njërën në Merdare, që kontrollohet plotësisht nga Kosova. Duke bërë një krahasim, si është ndryshimi?

Janë situata të kundërta. Në Merdare është pikë kufitare 100% ndërshtetërore, ku zbatohen të gjitha procedurat. Zbatohet ligji për menaxhimin dhe kontrollin e integruar të kufijve të Kosovës. Zbatohet 100% ligji për të huajt etj. Ndërsa në Jarinja dhe Bernjakë në veri, të cilat kanë policë të Kosovës të nacionalitetit serb, që nuk i përgjigjen zinxhirit komandues të SHPK, por që u nënshtrohen urdhrave të policisë së EULEX, pushteti ekzekutiv është nën policinë ndërkombëtare. Atje situata është ndryshe, se akoma njerëzit që futen në Kosovë nuk konsiderohen si vendkalim ndërshtetëror, por më shumë vendkalim administrativ. Me një fjalë, mund të futesh pa pasaportë, pa letërnjoftim nganjëherë, mallrat nuk doganohen, por vetëm fizikisht ka një pengesë për të kaluar. Me ardhjen e EULEX-it, ndryshe nga UNMIK-u, kanë ndryshuar gjërat, po bëhen hapa të kujdesshëm duke na informuar gjithmonë neve, gjë që përbën risi, pasi UNMIK-u s‘na ka informuar asnjëherë. Duke u konsultuar për masat teknike e administrative, duke u përkujtuar serbëve që të zbatojnë rregullat, arriti të bëjë regjistrimin e mallrave, nuk bëhet ende zhdoganimi. Dhe me këtë fakt, sipas statistikave, kontrabanda u reduktua me 50%. Me një fjalë, buxheti i shtetit është forcuar, pasi fut më shumë të ardhura. Shumë shpejt policia kufitare atje do të jetë multietnike, pra do të dërgojmë dhe një grup të përkatësisë shqiptare. Ky do të jetë ndryshim cilësor. Në vijën e gjelbër jemi më keq.

Këto ditë në Bujanovc u përurua baza më e madhe ushtarake serbe, e cila u propagandua shumë nga Beogradi, veprim që i shqetësoi shumë banorët e zonës. Ju si e shikoni këtë akt të qeverisë serbe?

Në fakt, nëse ka një kërcënim, ai konsiderohet dhe kërcënim ndaj NATO-s, por aleanca nuk e ka konsideruar për të tillë dhe ne nuk kemi arsye të shqetësohemi. Atë bazë e konsideroj më tepër si projekt komercial, një ofertë që ata po i bëjnë NATO-s, që në të ardhmen ta shfrytëzojë këtë bazë. Pra është më shumë një "biznes case". Ushtria e Kosovës është aktualisht KFOR-i, pra NATO, që ka marrë përsipër krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Shqiptarët e të dyja anëve të kufirit janë shqetësuar. Banorët që jetojnë në atë brez kufitar, kanë pasur shqetësime dhe më herët. Ata mendojnë se vija aktuale e imagjinuar ka hasur patrulla të xhandarmërisë serbe. Banorët mendojnë se po lëvizin në territorin tonë. Ne nuk kemi mandatin për të ofruar siguri në vijën e gjelbër, por jemi në kontakte me KFOR-in, i cili na ka heq dilemën se janë në territorin tonë. Kjo sepse KFOR ka tabelat e tyre, që nuk janë shkelur. Por ato shenja janë vënë për të paralajmëruar ushtrinë serbe, që të mos futen në afërsinë 5 km nga tabela, që nuk janë vënë në kufirin që ende s‘është përcaktuar, nuk është shënuar fizikisht. Për sa kohë s‘është bërë demarkacioni, besoj do të kemi probleme. Për t‘ua hequr frikën banorëve që kanë arsye, ngaqë jeton ende frika e së shkuarës, apo edhe për faktin se në pjesën tjetër të kufirit që banojnë shqiptarët herë pas here bëhet represion nga Beogradi, kemi kërkuar shtimin e patrullave të KFOR-it dhe ne jemi në fshat, jo në kufi. Ka pasur raste kur pas operacioneve të policisë serbe ka pasur mjaft shpërngulje të shqiptarëve nga Presheva në fshatrat kufitare.

"Nga një numër shumë shifror hektarësh që rrezikoheshin të mbesnin jashtë Kosovës, tani ka një numër të vogël që shkon deri në 98 hektarë. Situata më e vështirë ishte në fshatin Debëllde"

"Malazezët" kanë vendosur disa tabela ku urohet hyrja në Republikën e Malit të Zi. Banorët e Kosovës të brezit kufitar kanë reaguar me protesta, dhe në një mënyrë apo tjetër kanë cenuar stabilitetin"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›