Del nga rruga makina, vdesin tre shqiptarë
Një aksident i rëndë, ndodhur dje në Foligno të Peruxhias, Itali, ka marrë jetën e tre emigrantëve shqiptarë. Sipas raportimeve të mediave italiane, makina me të cilën udhëtonin Agustin Pjetri 22 vjeç, Marjol Koni 18 vjeç dhe 44-vjeçari Sadik Kurti, ka dalë nga rruga duke përfunduar në kanal. Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit, ndërsa mësohet se makina drejtohej nga 18-vjeçari Marjol Koni, i cili ka vdekur në vend bashkë me Agustin Pjetrin. 44-vjeçari Kurti është nisur menjëherë drejt spitalit, por nuk ka mundur të mbijetojë. Ngjarja, e cila ka ndodhur rreth mesditës së djeshme, është bërë e ditur për policinë nga disa shqiptarë të tjerë, të cilët ishin nisur drejt të njëjtit destinacion me viktimat, por me një tjetër makinë. Policia italiane ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ndërkohë që kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit të rëndë që u kushtoi jetën 3 emigrantëve shqiptarë.