E Diel, 1 Nëntor 2026

Shevardnadze: Nuk besonim kurrë se Traktati i Varshavës do të shpërbëhej

Në shkurt të vitit 1990, ministri i Jashtëm gjerman i asaj kohe, Hans-Dietrich Genscher, ju siguroi se "NATO nuk do të shtrihet në Lindje" dhe se shtete të tilla, si Polonia dhe Hungaria, nuk do të ishin kurrë pjesë e aleancës ushtarake. Sipas raporteve të kohës, ju u përgjigjët se e besonit ministrin në çdo gjë që thoshte. Përse nuk morët në atë kohë një deklaratë me shkrim nga NATO për sa i takon zotimit të saj?
Shevardnadze: Kohët kanë ndryshuar. Në atë kohë as që mund ta mendonim se Traktati i Varshavës do të zhbëhej. Ishte përtej sferës sonë të imagjinatës. Askush nga vendet që ishin anëtare nuk kishte dyshime në lidhje me jetëgjatësinë e paktit. Të tre vendet baltike, që sot janë pjesë e NATO-s, ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Ne pranuam që një Gjermani e bashkuar do të mund të bëhej pjesë e NATO-s vetëm në rast se do të kishte një ushtri modeste dhe do të hiqte dorë nga ambicia bërthamore. Zgjerimi i NATO-s përtej kufijve të Gjermanisë ishte i paimagjinueshëm.
Në fund të marsit të vitit 1990, Genscher dhe ish-sekretari amerikan i Shtetit, James Backer, nisën bisedimet në lidhje me faktin se, sipas tyre, vendet e Europës Lindore kishin shprehur interes që të hynin në NATO. Ju ishit në dijeni të këtij fakti?
Shevardnadze: Është hera e parë që po e dëgjoj një gjë të tillë.
A keni pasur ndonjë bisedë me kolegët tuaj në Poloni, Çekosllovaki dhe Hungari në lidhje me një zgjerim të mundshëm të ardhshëm të NATO-s në Lindje në pranverë të vitit 1990?
Shevardnadze: Jo. Një gjë e tillë nuk është diskutuar kurrë në praninë time.
Dokumentet gjermane të japin përshtypjen se Moska shpresonte në një shpërbërje si të Traktatit të Varshavës, ashtu edhe të NATO-s. A mendonit vërtet se mund të ndodhnin të dyja këto?
Shevardnadze: Një gjë e tillë mund të jetë diskutuar pasi unë dhashë dorëheqjen nga Ministria e Jashtme në dhjetor të vitit 1990.
Në maj të vitit 1990, lideri sovjetik, Mikhail Gorbaçov, foli për çështjen e një bashkimi të Bashkimit Sovjetik me NATO-n gjatë bisedimeve me amerikanët dhe ata e morën shumë seriozisht.
Shevardnadze: Gorbaçov e pati një ide të tillë, por kurrë nuk ndërmori ndonjë hap konkret për ta realizuar këtë gjë. Kjo është arsyeja që kjo ide nuk u diskutua kurrë mes liderëve sovjetikë.
A është diskutuar ndonjëherë mundësia e zgjerimit të NATO-s në Lindje në rrethet e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në vitin 1990?
Shevardnadze: Jo, me sa di unë.
Megjithatë, zgjerimi i NATO-s ishte një fakt që ndodhi disa vjet më vonë. A u ndiet në atë kohë si i mashtruar nga ato që vite më parë u kishin premtuar diplomatët gjermanë?
Shevardnadze: Jo. Kur isha ministër i Punëve të Jashtme në Bashkimin Sovjetik, zgjerimi i NATO-s përtej kufijve gjermanë nuk u diskutua kurrë. Deri më sot unë nuk e shoh të tmerrshme këtë shtrirje të NATO-s. Edhe Gjeorgjisë iu dha drita jeshile në takimin e prillit të vitit 2008.
Në konferencën e Otavas, në lidhje me bashkimin e Gjermanisë në shkurt të vitit 1990, ju patët 5 biseda telefonike me Gorbaçovin. A diskutuat me të edhe për zgjerimin e NATO-s përtej Gjermanisë Lindore?
Shevardnadze: Jo. Në axhendën tonë ishte vetëm ribashkimi i Gjermanisë, asgjë tjetër. Ishte i rëndësishëm qartësimi i pozicionit tonë, sepse Franca dhe Britania e Madhe ishin kundër ribashkimit. Ata i druheshin rilindjes së një shteti të madh e të fuqishëm gjerman që do të ishte një fuqi ekonomike dhe ushtarake dominante dhe në qendër të Europës. Britanikët ishin kundërshtarët më kokëfortë të ribashkimit dhe veçanërisht ish- kryeministrja Thatcher. Ajo dhe Gorbaçovi diskutuan për një çështje të tillë me njëri-tjetrin me orë të tëra në korrik të vitit 1990. Në fund ajo e ndryshoi qëndrimin.
Margaret Thatcher shpresonte që të gjente aleatë kundër bashkimit të Gjermanive?
Shevardnadze: Më shumë se kaq. Ajo donte që të na bindte të ishim kundër ribashkimit të Gjermanisë, por Gorbaçovi dhe unë e dinim se tashmë historia e kishte vënë çështjen e ribashkimit në rend të ditës dhe ajo ishte një çështje që duhej zgjidhur me qetësi dhe paqe.
Atdheu yt, Gjeorgjia, vend në të cilin keni qenë President nga viti 1992 deri në vitin 2003, është tronditur shpesh nga konfliktet e armatosura përfshi edhe konfliktin e fundit në Osetinë e Jugut në vitin 2008. Është një çështje me një histori të gjatë dhe për sa i përket Putinit ai ka ndërmjetësuar për ju në vitin 2003.
Shevardnadze: Putin dhe unë njihemi që nga koha kur ai ishte aleat i Anatoli Sobçak, ish-kryebashkiaku i Shën Petërsburgut, që ishte edhe profesor i ligjeve në Universitetin e Leningradit. Putin është pa dyshim një njeri i talentuar. Ai fliste gjermanisht shkëlqyeshëm dhe i ngjiti hapat e karrierës shumë shpejt. Në fillim të marsit të vitit 2003 më ftoi në shtëpinë e tij të pushimeve në Sochi në Detin e Zi. Atje ai kishte organizuar një takim edhe me ish-kryeministrin e atëhershëm të Abkhazisë, republika që u shkëput nga Gjeorgjia në vitin ‘92-‘93. Ne folëm për një hekurudhë që do të shtrihej nga Sochi në Abkhazi e deri në qendër të Gjeorgjisë. Unë e pranova planin me kushtin që të paktën një rajon i Abkhazisë t‘u jepej refugjatëve gjeorgjianë. Putin e mbajti fjalën dhe na ndihmoi që të kthenim dhjetëra mijëra refugjatë. Në atë kohë Putin dhe Rusia e konsideronin Abkhazinë pjesë të Rusisë.
Megjithatë, një vit më parë pati një luftë në rajon. Këtë shtator një komision ekspertësh të pavarur i caktuar nga BE-ja publikoi një raport për luftën në të cilin fajësohej pasardhësi juaj, Presidenti aktual, Sakashvili, si iniciuesi i sulmit. Cili është mendimi juaj për këtë konflikt?
Shevardnadze: Jam dakord me përfundimet e këtij komisioni. Sulmi ishte një gabim i yni.
Si mendoni se mund të zgjidhet konflikti në lidhje me rajonet e diskutuarat të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut? Republika e Abkhazisë ka kërkuar miratimin e një marrëveshjeje antidhunë me Gjeorgjinë. A mund të konsiderohet ky si një hap drejt përmirësimit të tensionit në rajon?
Shevardnadze: Shpresoj që qeveria jonë të mos dalë kundër një marrëveshjeje të tillë dhe se duhet menduar për të ardhmen. Unë besoj se Rusia bëri një gabim shumë të madh kur e njohu diplomatikisht Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut. Në këtë mënyrë Rusia vendosi një precedent. Nëse rajone të vogla si Abkhazia njihen si shtete të pavarura, si mund t‘i mohohet një e drejtë e tillë Çeçenisë që ka një popullsi mbi 1 milion banorë, apo Dagestani me akses në Detin Kaspik që ka 3 milionë banorë? Apo Tatarstanit?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›