Droga, 14 vjet burg 3 shqiptarëve në Londër
Gjykata e Krimeve, Wood Green Croen Court, në Londër, ka dënuar me 14 vite burg në total tre shqiptarë të cilët u kapën me 22 kilogramë heroinë, me vlerën e shitjes në rrugë 1,5 milionë paund. Drejtuesi i këtij grupi kriminal ishte 35-vjeçari Elton Negro, i cili është dënuar me tetë vite burg, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij, Dhimitër Lundraxhiu, dhe Visar Ahmeti, do të vuajnë nga tre vite burg secili. Lundraxhiu, 26 vjeç, shërbente si korrier i drogës dhe iu kapën 4 kile heroinë vetëm pak minuta pasi e mori nga Negro. Ndërsa Ahmeti, 25 vjeç, do të arrestohej menjëherë kur i dorëzoi 210 mijë euro Elton Negros në parkingun e një qendre tregtare në zonën Brent Cross, mesditën e datës 7 korrik 2009. Po atë ditë, Elton Negro do të arrestohej nga skuadra speciale kundra krimit në Scotland Yard, e cila kishte kohë që e survejonte. Në shtëpinë e Negros, në zonën Axbridge, policia gjeti 18 kilogramë heroinë, e cila rezultoi se ishte 60% e pastër, si dhe 22 mije sterlina cash në sirtarin e rrobave. Nga hetimi u zbulua se në llogarinë bankare të tij, pavarësisht se ishte i papunë, që prej dy vitesh kishte 40 mijë sterlina. Katër muaj përpara arrestimit, policia franceze do t‘i sekuestronte Elton Negros 500 mijë euro, për të cilat ai nuk e tregoi burimin. Që në seancën e parë gjyqësore, të tre shqiptarët i kanë pranuar akuzat për posedim dhe shitje të lëndëve narkotike kategoria A, si dhe për pastrim parash.