E Shtunë, 31 Tetor 2026

700 MILIARDËT – NJË SHËRBIM I MADH NDËRKOMBËTAR

Të shtunën e kaluar i gjithë opinioni publik u informua gjerësisht mbi debatin e parë të dy kandidatëve për President në SHBA. Debati u përqendrua kryesisht në çështjet e politikës së jashtme amerikane. Komentet në vendin tonë pas këtij debati theksuan se marrëdhëniet Shqipëri-SHBA nuk varen nga fakti se kush ka Presidencën e radhës. Sidoqoftë, politologët, sociologët dhe ekonomistët në mbarë botën studiojnë fenomenet që ndodhin në SHBA në bazë të parimit se është mënyra e jetesës se këtij vendi që dikton në masë të gjerë edhe fenomenet që do të ndodhin ne pjesët e tjera të globit. Në këtë këndvështrim, cili është komenti juaj mbi debatin e parë presidencial Mekein-Obama?

Me lejen tuaj e të lexuesit unë nuk do të ndalem në këtë çështje. E kam shumë të vështirë të përfshihem në grupin e shqiptarëve që nuk ia përtojnë të mbajnë qëndrime edhe për çështje krejt speciale siç është në këtë rast politika amerikane dhe brenda saj – prioritetet elektorale nën debat. Kjo punë e nënkupton njëfarë thellimi në tiparet e jetës politike të atij vendi, strukturat, ekuilibrat e kundërshtitë aktuale. Kërkon edhe njohje speciale të historisë politike të vendit, të programeve të partive, madje (dhe sidomos) të nuancave mes tyre. Sepse edhe në këtë debat paraelektoral me sa vë re unë, e me sa më duket logjike për një demokraci e shtet të konsoliduar siç është ajo e SHBA-së, nuk bëhet fjalë për diferenca thelbësore parimore (në kuptimin që ato kanë tek ne, vendet e tranzicionit), por për nuanca e ritme të ndryshme, për nivel thellësie të masave, për shkallë derregullimi, për shpërndarje të ndryshme të barrës së taksave, për shpejtësi të ndryshme të planeve të tërheqjes apo dërgimit të ushtarëve në këtë apo atë vend, për faktin në se ambasada do të jetë në Tel-Aviv apo Jerusalem etj.

Sigurisht të gjithë mund t’i drejtohemi internetit e të bëjmë “një koment të komenteve” mbi atë se “ç’bëhet në Amerikë”, po mua kjo punë s’më duket shumë me vend. Nga sa e kam ndjekur deri tani këtë kuturisje shqiptare “për hallet e përtej detit”, shoh se jo vetëm që nuk vjen ndonjë vlerë e shtuar, por marrim një efekt të kundërt; rrezikojmë gjithnjë ndonjë moskuptim a keqkuptim interpretimi shtesë, gjë që kuptohet, s’i bën mirë as opinionit tonë e as atij të vetë Amerikës.

Por arsyeja kryesore, se përse insistoj të kaloj me shpejtësi në çështjen tjetër, është një lloj indinjate që kam ndaj kësaj sjelljes sonë, sa tradicionale tashmë, aq edhe qesharake, për të bërë sikur i kemi zgjidhur punët tona e s’na mbetet veçse të zgjidhim punët e botës. E kuptoj atë thoni ju se fati i politikës amerikane është i lidhur direkt me fatin tonë etj., por kuptoj edhe tjetrën: që ne nuk e ndikojmë as një fije floku atë zhvillim atje. Ne vetëm se mund ta ngatërrojmë pamjen që na vjen bukuri direkt nga interneti e nga CNN-i. Ndërkohë përtej teatralitetit e padobisë ky angazhimi ynë teatral, ka edhe një pasojë krejt konkrete: e largon vëmendjen tonë nga politikat e dobëta dhe praktikat e këqija qeverisëse që shqiptarët u bëjnë shqiptarëve. Ne këtu kemi kaq shumë punë e sidomos kaq prapësina sa që normalisht as duhet të kemi kohë për t’i hedhur sytë andej këtej nëpër fushata elektorale të të tjerëve. Nëse duam të tregojmë vëmendjen e respektin e duhur për vlerat amerikane, ne këtë e kemi në dorë ta bëjmë pikërisht këtu: duke ndrequr standardet tona të demokracisë e të funksionimit të shtetit. Si mund të zhytemi ne në debatin elektoral amerikan, si mund t’ia lejojmë vetes një luks të tillë, kur jemi vetë pak muaj para zgjedhjeve? Zgjedhje të cilat kërcënohen nga rreziqe banale, që as i shkon nëpër mendje zgjedhësi amerikan: deri dhe mungesa e kartës së identitetit!

Ka pothuajse një muaj që tregu mbarëbotëror i financave është tronditur nga dështimi i disa bankave të mëdha të investimeve në SHBA. Të frikësuar nga pasojat, vendet e zhvilluara dhe kryesisht Gjermania, Japonia, Franca, Anglia dhe Zvicra kanë vendosur të kontribuojnë në para që efektet e kësaj krize të mos ndihen në vendet e tyre. A mendoni se kriza e mësipërme i ka dhënë fund filozofisë liberale (laissez faire) sipas të cilës është tregua ai që përcakton politikat e qeverive dhe më tej stilin e jetës së njerëzve?

Së pari, mendoj se lajmi i mbrëmshëm për miratimin e paketës së mbështetjes financiare nga Kongresi, duhet të na gëzojë vërtet të gjithëve. Edhe ne këtu në Shqipëri. Sepse paketa 700-miliardëshe nuk është thjesht një ndihmë për bankat vendase – edhe pse teknikisht drejtohet tek ato. Ajo përbën një instrument për shëndoshjen e ruajtjen e gjithë sistemit financiar ndërkombëtar. Madje edhe atij ekonomik në tërësi. Që edhe në mos evitoftë gjithë tronditjen, do të sjellë patjetër një zbutje thelbësore të saj.

***

Ndërsa në tërësinë e vet pyetja juaj është sa interesante aq edhe historike. Në fakt është thelbi i debatit klasik mbi tregun dhe shtetin. Do të ishte jo dhe aq e nevojshme që duke shfrytëzuar këtë rast, ne të fillojmë e të rishkruajmë gjithçka kanë shkruar e thënë mendimtarët dhe ekonomistët e mëdhenj mbi këtë çështje. Dihen dy polet e mendimit ekonomik e filozofik mbi këtë çështje, domethënë ajo garë shumëshekullore mes shkollës libertariane nga njëra anë (përfaqësuar nga Xhon Loku e Berkli, Hjumi e Adam Smithi më shekujt 17-18 e deri tek Friedmani e Hayeku të fundshekullit të kaluar), dhe shkollës së kontrollit të shtetëror nga ana tjetër, ose asaj “intervencioniste”, e cila ka gjithashtu përfaqësuesit e vet të mëdhenj, nga ata të balancuarit si fjala vjen Xhon Keinsi (në ekonomi) apo Xhon Kenet Galbraiti e pasuesit të cilët kërkojnë optimizim brenda sistemit të tregut, e deri tek ata më radikalët, që në vrull e sipër dalin fare nga “orbita e tregut”. Versioni ekstrem i këtyre të fundit kulmon sigurisht me Marksin e ca më thellë akoma me marksistët, që i gjejmë edhe sot, jo vetëm në politikë, por edhe në qeveritë e disa vendeve. Ne në fakt, këtu në Shqipëri, kemi njohur pikërisht versionin “ultra” të tyre, domethënë ata që të rrëmbejnë jo vetëm pronën (le të thotë Loku që prona krijohet nga puna dhe vjen para shtetit e qeverive), por mundet edhe të të varin në ndonjë pemë nëse bën ca si shumë fjalë. Po qe për versionin tonë të “intervencionizmit” pra, këtu do të ishin varur me kohë të jo vetëm Keinsi dhe Galbraiti, por edhe vetë etatistët radikalë. Këta vetë nga ana e tyre, sigurisht që do të ishin befasuar e zënë ngushtë nëse do të shihnin se në ç’duar mund të binte e si mund të shpërdorohej doktrina e shkruar si pa të keq prej tyre. Kjo është fare e sigurt nëse kujtojmë që edhe vetë Marksi në fund të jetës, aq fort pat qenë tronditur nga shpërdorimi ekstremist i teorive të veta sa që paskej thirrur me të madhe: “Unë nuk jam marksist!” Nejse, tjetër histori ajo.

E kishim fjalën për karshillëkun e vjetër mes dy shkollave: asaj “laissez faire” (lërja çdo gjë tregut” dhe asaj “intervencioniste” (shteti duhet të ndërhyjë, së paku atje ku tregu s’ia del dot të sigurojë eficiencën e duhur). Ideja bazë e vetërregullimit ekonomik përmes lirisë absolute, e dimë që vjen nga Adam Smithi, i cili thotë pak a shumë se vendimet më të mira ekonomike merren jo nga bordet e larta të drejtimit ekonomik, por në mënyrë spontane e të pavetëdijshme, përmes miliona minivendimeve që marrin vetë individët në treg. Janë ata që krejt pa u marrë vesh me njeri-tjetrin, duke hequr dorë apo rritur interesin për një mall, përcaktojnë parametra kyçe lidhur me të (p.sh. çmimin e tregut) duke ndikuar pastaj në vendimet e operatorëve të tjerë. Gjë që në rezultanten e në mesataren e vet përcakton edhe “vendimin” e shoqërisë për të prodhuar më shumë apo për të hequr dorë nga ky mall apo shërbim. Ajo pra që të gjithë e njohim me termin “dora e fshehtë e tregut”.

Por unë mendoj se pozicioni i shkollave përkatëse del më qartë akoma mes një citimi nga liberalist-monetaristi Friedman, që më 1948-ën, kur ai thotë: “Synimet bazë afatgjata, janë liria politike, eficienca ekonomike dhe barazia e shanseve (economic power) të cilat, unë besoj - thotë ai - që të tria (si treshe pra), realizohen më mirë nëse mbështetemi sa më shumë që të mundemi në një mekanizëm tregu brenda një “rregulli konkurrues”. Zgjodha pikërisht këtë pasazh të një libertariani (në thelb), për dy arsye. Edhe që të tregoj se si e sheh ai gjetjen e ekuilibrit që siguron eficiencë maksimale (e bën mekanizmi i tregut –thotë Friedmani), por edhe që të dëshmoj se jo vetëm për ata që njihen si intervencionistë, por edhe për vetë liberalistët si Friedmani, një lloj e një nivel ndërhyrje shtetërore është i pashmangshëm. Kjo duket qartë tek termi “rregull konkurrues” që përdor ai në fund të tezës së mësipërme. Këtu është edhe thelbi i debatit të sotëm. Që ne sot mund ta formulojmë kështu: Nuk ka shtet e shoqëri reale pa një nivel intervencionizmi. Liberta-ja ekstreme dhe “laissez-faire” ekziston vetëm teorikisht. Ama asnjë organizim shtetëror i derisotëm, as ai ku ka punuar vetë Xhon Loku e Hjumi, Hayeku apo Ludwig von Mises, nuk ia ka dalë të mbajë larg duart nga ekonomia. Të paktën për dy arsye bazë. E para, sepse ekonomia përbën vendfurnizimin e vendfinancimin për sektorët e tjerë të shtetit (ushtrinë p.sh., të cilën s’ka si e rregullon kërkesë-oferta e tregut). E dyta, sepse të gjitha rrymat e të gjitha shkollat pranojnë sot se në ekonomi vërehen “pamjaftueshmëri të tregut” (market faillures), pamundësi të botës së tregut (të marrë si bashkësi e veçuar) për t’ia dalë mbanë vetë, me anë të vetërregullimit. Me pamjaftueshmëri ose “ngecje” të tregut zakonisht kuptohet një skenar i tillë, ku interesi vetjak i individëve çon në rezultate të dëmshme për shoqërinë në tërësi

Veç sa më sipër, sot po vihet re se boshllëqeve tradicionale të tregut, po i shtohen disa sfida të reja të pamendueshme në të kaluarën, para të cilave bota e tregut ndihet shumë ngushtë dhe është e detyruar t’i referohet një intervencionizmi gjithnjë e më të fortë. I tillë është realiteti i ngrohjes globale, ai i sëmundjeve globale, i mjedisit global dhe në përgjithësi i rreziqeve globale. Është bërë vërtet e paimagjinueshme sot që fatet e globit tonë të vogël t’ia lësh ekskluzivisht tregut, sinjaleve të tij spontane dhe . vetërregullimit. Tregu na sjell vërtet të mira të pafundme, por ja që atmosferën tonë të vetme as që ka ndërmend ta kursejë. Sepse atmosfera është një dhe e përgjithshme, ndërsa firma interes privat i dikujt. Po kështu me detin, me lumin, me pyllin, me florën e me faunën.

Po le që ç’e zgjat edhe unë. Ne shembullin më të mirë të pasojës së “laissez-faire” e kemi këtu. Mu në mes të Tiranës, po të doni. Edhe në këtë aspekt punët tek ne kanë shkuar shumë më thellë. Bota vërtet e ndot atmosferën, por së paku ca parqe e ca pyje, ca sheshe e ca shëtitore sa për vete i ruan me shumë kujdes.

***

Në një plan ndërkombëtar, kriza e sotme financiare pa dyshim përbën rastin më domethënës të pasojave që sjell një ekzagjerim i “laissez-faire”. Bankave u është lënë një terren aq i lirë, sa që kjo nga një avantazh për zhvillimin e sektorit financiar, në një moment, u shndërrua në të kundërtën e vet: në një kërcënim serioz për vetë bankat – deri më sot në liberta të plotë. Një nga rastet e pakta, por gjithsesi më të qartat raste kur liria e tepërt (nga mbikëqyrja) ka prodhuar të kundërtën e efektit të pritshëm. E vërteta është që kjo në vetvete nuk është një e papritur e madhe në se mendojmë lidhjen që ekziston mes përfitimit nga zhvillimi i shpejtë dhe riskut. Liria i ka bashkë të dyja, edhe shansin për zhvillim të shpejtë por edhe rrezikun. Kjo dihet. Qari shkon bashkë me zararin. Ekuilibrin mes tyre dhe minimizimin e riskut, shoqëria ka arritur ta sigurojë pikërisht me anë të mekanizmave shtetërore që përpunon, bankave qendrore, fond-garancive, rregullave e normave të mbikëqyrjes etj. Ajo që mësuam rishtas është se me këto norma e rregulla nuk bëhet shaka. Se për të korrigjuar një sistem (financiar) pas lëvizjes së tij nga orbita, nevojiten shumë më tepër para e përpjekje sesa duhen për mbajtjen e tij normale në orbitë. Shkurt, mësuam se çdo ekzagjerim është i dëmshëm: edhe atëherë kur i mëshohet ca si tepër vetë “lirisë”.

Pa masa të qarta shtetërore dhe pa koordinime ndërshtetërore madje, nuk ka asnjë shans që t’i jepet rrugë morisë së problemeve e kërkesave që i shtron sot shoqëria njerëzore, së paku kjo e organizuar në shtete.

Kjo është arsyeja që shkollat e sotme të mendimit e organizimit po afrohen e po orientohen gjithnjë e më shumë drejt një modeli mikst, ku vetërregullimi kombinohet mirë me rregullimin. Sistem ky që natyrisht ka sfidat e kërcënimet e veta; pikësëpari vetë etatizmin.

Gjatë fushatës elektorale të vitit 2005 Kryeministri aktual, në atë kohë në opozitë, premtonte se do ta rriste nivelin e kreditimit për shqiptarët 7 herë më shumë se në momentin e dhënë. Këtë premtim ai e ka realizuar duke e rritur kreditimin me 10 herë në nivelin e 30% të PBB-së. Kjo do të thotë se bankat në 100 lekë depozitë kthejnë në formën e investimit me anë të kreditimit vetëm 30 lekë, ndërsa diferencën e investojnë në vende të tjera. Sipas bankave, niveli i kreditimit nuk mund të rritet më në vendin tonë në rast se në Shqipëri nuk zgjidhet çështja e sistemit të drejtësisë dhe pronësisë mbi tokën. Në këtë kontekst, a mendoni se lëvizja e Kryeministrit për reformë në drejtësi duhet të gjejë më tepër mbështetje në opinionformuesit e vendit tonë?

E ç’mund të presësh nga një skenar ku edhe ai që e rrit apo e ul kredinë, është përsëri... Kryeministri!? Po mjaftohem të them që sistemi financiar dhe populizmi janë gjëra që s’puqen fare me njëra-tjetrën. Këtë e thotë troç fare FMN-ja në raportin e saj pak javë më parë.

Shtjellimi i kësaj çështjeje gjithsesi, duket që mbeti për një herë tjetër.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›