Guvernatorët e rajonit mblidhen për krizën financiare globale
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, mori pjesë në takimin e tretë të Autoriteteve Mbikëqyrëse Bankare të Evropës Juglindore, të zhvilluar dje në Sofje të Bullgarisë. Në këtë takim kanë marrë pjesë guvernatorët e bankave qendrore të Shqipërisë, Bullgarisë, Bosnje-Hercegovinës, Qipros, Republikës së Maqedonisë, të Greqisë, Malit të Zi, Rumanisë, të Serbisë, si dhe drejtuesit e Agjencive Bankare të Bosnje-Hercegovinës dhe të Republikës Serbe. Gjatë takimit, pjesëmarrësit kanë diskutuar mbi krizën financiare globale dhe ndikimet që ajo mund të shkaktojë në ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore. Në fjalën e tij, zoti Fullani vuri në dukje se bazat e ekonomisë shqiptare vazhdojnë të jenë të qëndrueshme dhe sistemi bankar në Shqipëri vazhdon të jetë i mirëkapitalizuar dhe likuid. Megjithatë zhvillimet e fundit në tregun global diktojnë nevojën për një kujdes më të madh, në zhvillimin e ekuilibruar të veprimtarisë bankare. Shumë i rëndësishëm mbetet fakti që ekonomia jonë duhet të ruajë dhe të zhvillojë më tej faktorët që mbështesin rritjen ekonomike të vendit dhe stabilitetin makroekonomik të tij. “Vetëm një ekonomi e qëndrueshme krijon bazat e shëndosha për një aktivitet financiar efektiv dhe dobiprurës. Për këtë qëllim, thellimi i reformave strukturore mbetet një element thelbësor për çdo vend të rajonit”, - tha në fund të fjalës së tij z. Fullani. Guvernatorët e bankave qendrore u shprehën se pasojat e trazirave në tregjet financiare ndërkombëtare, të cilat filluan në vitin 2007 dhe janë intensifikuar gjatë muajve të fundit, kanë pasur deri në këto momente ndikime të tërthorta ose të kufizuara mbi ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore. Aktualisht, bankat me prani të lartë në rajon nuk kanë ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj tregjeve, që po ndikohen nga kjo krizë. Ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore vijojnë të dëshmojnë qëndrueshmëri, rritje të lartë ekonomike dhe rezistencë ndaj mjedisit të përkeqësuar financiar dhe ekonomik në botë. Megjithatë, guvernatorët e bankave qendrore kanë pranuar gjithashtu, praninë e pasigurive të mëdha për të ardhmen e ekonomive të vendeve të Evropës Juglindore, që rrjedhin nga ngadalësimi i mëtejshëm dhe i mundshëm i normave të rritjes të prodhimit dhe të tregtisë botërore, në rast se kriza financiare globale do të shtrihet në kohë.
Në këtë kontekst, guvernatorët theksuan rëndësinë e të pasurit baza të shëndosha financiare dhe ekonomike në rajon. Duke pasur parasysh rritjen dinamike të kredisë në shumë vende të rajonit, autoritetet e tyre mbikëqyrëse po monitorojnë nga afër kushtet e likuiditetit të bankave dhe zhvillimet e kredisë, me qëllim sigurimin e cilësisë së portofolit të kredive të bankave dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.
Në këtë kontekst, guvernatorët theksuan rëndësinë e të pasurit baza të shëndosha financiare dhe ekonomike në rajon. Duke pasur parasysh rritjen dinamike të kredisë në shumë vende të rajonit, autoritetet e tyre mbikëqyrëse po monitorojnë nga afër kushtet e likuiditetit të bankave dhe zhvillimet e kredisë, me qëllim sigurimin e cilësisë së portofolit të kredive të bankave dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.