E Diel, 1 Nëntor 2026

Truallit i del pronari; Mbi 30 familje rrezikojnë të mbeten pa strehim

Mbi 30 familje që banojnë në plazhin e Durrësit, rrezikojnë të dalin në rrugë të madhe, pasi kabinave të plazhit ku ata banojnë u ka dalë pronari. Bashkia e Durrësit është vënë në vështirësi nga ky problem që ka lindur dhe ka qenë e detyruar të heqë nga rendi i ditës në mbledhjen e fundit të KRRT-së kërkesën për leje ndërtimi në truallin ku ndodhen 30 kabina, duke u angazhuar me strukturat e saj dhe dikasteret qeveritare, për zgjidhjen e problemit.

Zanafilla e problemit

Në plazhin e Durrësit dhe konkretisht tek sektori “Iliria” akoma ruhen siç kanë qenë ambientet e ish-hotelit ku sot banojnë mbi 30 familje të ardhura nga zona të ndryshme të vendit. Disa kohë më parë Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ia ka kthyer këtë sipërfaqe toke 2 pronarëve të cilët kanë paraqitur dokumente si pronarë të truallit. Bëhet fjalë për një sipërfaqe trualli 600 metra katrore. Ata kanë vendosur që në këtë sipërfaqe të ngrenë një pallat. Për këtë arsye kanë aplikuar në KRRT-në e Durrësit. Ndërkohë kanë marrë kontakte me banorët e kabinave dhe u kanë deklaruar atyre se do t’u japin nga 17 m2 sipërfaqe banimi aq sa ç’janë hapësirat e kabinave aktuale. Banorëve nuk u ka pëlqyer kjo zgjidhje dhe e kanë mbajtur vrapin në bashki. Atje janë ankuar dhe kanë detyruar drejtuesit e bashkisë që për momentin ta heqin këtë aplikim nga rendi i ditës i mbledhjes së KRRT-së e cila u zhvillua 4 ditë më parë. Por kjo në fakt është një zgjidhje provizore nga ana e këtij institucioni, pasi një herë ai do të jetë i detyruar të vendosë për këtë kërkesë.

Ish-dhomat e plazhit

Në plazhin e Durrësit janë 600 familje të cilat jetojnë nëpër kabinat e plazhit. Pjesa më e madhe e tyre tashmë ngjan me getot e banimit në mes të pallateve shumëkatëshe. Banorët e këtyre relikteve të kohës së shkuar nuk kanë mundur që të bëhen pronarë të tyre, pasi nuk kanë shtënë në dorë hipotekat e këtyre objekteve. Vetëm në këtë mënyrë ata do të kishin mundur të hynin në pazare me ndërtuesit e mëdhenj, të cilët kanë paraqitur interes për të ndërtuar mbi këto karakatina.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›