E Shtunë, 31 Tetor 2026

700 minatorë ndalin punën në minierë për përmirësimin e kushteve

Minatorët janë mbështetur në këtë protestë edhe nga metalurgët e uzinave të ferrokromit Burrel e Elbasan, madje përfaqësues të tyre kanë qenë në mbështetje të drejtuesve të sindikatës së minatorëve e metalurgëve

BULQIZË Afro 700 minatorë kanë ndalur punën dje në qytetin e Bulqizës, duke parashtruar disa kërkesa ekonomike, ku ndër më kryesoret mund të përmenden kushtet e punës, rritja e rrogave dhe kryerja e investimeve të premtuara në galeritë e kësaj miniere. Minatorët janë mbështetur në këtë protestë edhe nga metalurgët e uzinave të ferrokromit Burrel e Elbasan, madje përfaqësues të tyre kanë qenë në mbështetje të drejtuesve të sindikatës së minatorëve e metalurgëve.

Kërkesat

Kryetari i këshillit sindikal të minatorëve të Bulqizës, Dilaver Përkoxha, deklaroi se “Ndër kërkesat parësore të minatorëve janë rritja e pagave, kushte më të mira gjatë punës si dhe ulja e moshës së pensionit, duke parë vështirësinë e këtij profesioni. Nuk është hera e parë që minatorët mblidhen në protesta për kushtet në punë. Të tilla janë zhvilluar edhe para Ministrisë së Ekonomisë, por edhe Kryeministrisë” - nënvizoi Përkoxha. Punëtorët e turnit të parë janë grumbulluar në heshtje në oborrin para zyrave të kompanisë së huaj Albanian Krom. Kanë folur para tyre kryetari i konfederatës së sindikatave të industrisë, Taf Koleci, dhe sindikalistë të tjerë. Disa herë ata u kanë kërkuar autoriteteve të firmës koncesionare të ndërmarrin hapa konkretë për zgjidhjen e kërkesave të tyre ekonomike. “Ne, tha Koleci, kërkojmë në mënyrë urgjente të mbahen premtimet për kryerjen e investimeve në minierë, pasi minatorët, vagonistët, zjarrmëtarët dhe punëtorët e sektorëve ndihmës vazhdojnë të punojnë në kushte mjaft të rënda. Prej kohësh kemi kërkuar të ulet mosha e daljes në pension për minatorët, pasi ata nuk e gëzojnë atë për shkak të vuajtjeve në minierë dhe moshës së madhe kur dalin në pension. Këtë kërkesë ua kemi bërë të ditur edhe autoriteteve të larta të shtetit, Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministrit dhe institucioneve të tjera” - theksoi ai.

Licenca

Një problem më vete është ai i abuzimit me minierën ACR nga subjekte të cilët punojnë brenda territorit të firmës së huaj. Këshilli sindikal ka kërkuar largimin e subjekteve të palicencuara që grumbullojnë krom brenda territorit të ACR-së dhe ia shesin përsëri kësaj firme. Kreu i sindikatës së minatorëve, Taf Koleci, deklaron se minatorët i janë drejtuar me një letër përfaqësuesve të firmës ACR, prej së cilës kërkojnë plotësimin e kushteve por edhe qeverisë. Deri dje pasdite nuk ka patur një përgjigje për këto kërkesa ekonomike. “Minatorët shprehen se janë të vendosur të hyjnë në grevë urie, nëse kushtet e tyre nuk plotësohen. Nuk ka pasur asnjë zgjidhje deri tani. Minatorët janë të vendosur të hyjnë në grevë urie nëse kërkesat nuk plotësohen”, tha Koleci. Bashkë me minatorët e Bulqizës kanë protestuar dje paqësisht edhe metalurgët e Burrelit dhe Elbasanit.

PAJTIM HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›