Problemet me zemrën, Gjykata liron bosin e “Euroil” nga qelia
Tiranë Gjykata e Tiranës liron bosin e kompanisë “Euroil”, duke ndryshuar masën e sigurisë së vendosur ndaj tij katër muaj më parë, si i dyshuar për mashtrimin me naftën virxhin. Vendimi është marrë ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës, e cila ka shqyrtuar kërkesën e avokatit të biznesmenit Hajri Elezaj për ndryshimin e masës nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Argumenti i paraqitur nga pala mbrojtëse ka pasur si objekt gjendjen e rënduar shëndetësore të biznesmenit Elezaj, i cili pjesën më të madhe të kohës së paraburgimit e ka kaluar në spital, për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme me zemrën. Mbrojtja ka argumentuar para gjykatës se qëndrimi i mëtejshëm në qeli i biznesmenit Hajri Elezaj mund të ishte një rrezik serioz për jetën. Përfaqësuesit e biznesmenit kanë sjellë para gjykatës kartelën mjekësore si dhe dokumente të tjera që tregonin se i arrestuari vuante nga disa probleme shëndetësore në zemër. Këto pretendime u verifikuan nga Gjykata, e cila caktoi një grup mjekësh për të analizuar të gjitha të dhënat e paraqitura nga mbrojtja, lidhur me gjendjen shëndetësore të biznesmenit, por kryen edhe kontrollet e nevojshme mjekësore. Në përfundim të këtyre kontrolleve, mjekët arritën në përfundimin se Hajri Elezaj ka probleme të rënda shëndetësore dhe qëndrimi i mëtejshëm në qeli mund t’i rrezikojë atij jetën. Ky raport u paraqit mesditën e djeshme në gjykatën e Tiranës, e cila pasi u njoh me rezultatet e grupit të mjekëve kërkoi të dëgjojë edhe pretendimin e palëve. Prokuroria e përfaqësuar në këtë proces nga prokurorja Daniela Sula kërkoi rrëzimin e pretendimeve të mbrojtjes dhe lënien në fuqi të masës së sigurimit “arrest me burg”, të caktuar po nga kjo gjykatë në mars të këtij viti dhe të lënë në fuqi nga të dyja shkallët e tjera të gjyqësorit. Duke u bazuar mbi raportin e mjekëve, gjykata vendosi të ndryshojë masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, duke liruar kështu biznesmenin e dyshuar për kontrabandën e 17 mijë tonë naftë virxhin. Me lirimin e biznesmenit Hajri Elezaj shkon në 9 numri i të arrestuarve që janë liruar nga Gjykata e Tiranës. Më herët, kjo gjykatë liroi shoferët dhe punonjësit e kompanisë “Fisheku”, pasi të gjithë kishin pranuar se nafta virxhin nuk kishte shkuar realisht në Vlorë, ashtu sikundër figuronte zyrtarisht, por ishte transportuar drejt depozitave në Golem të Durrësit. Gjykata e Apelit, gjithashtu, vendosi të lirojë dy nga katër biznesmenët e arrestuar për këtë çështje, Bajram dhe Martin Fisheku, pasi nuk provohej përfshirja e tyre në skemën mashtruese me naftën virxhin. Të vetmit që ndodhen në qeli për superdosjen “virxhin” janë biznesmeni Iljas Fisheku, pronar i kompanisë “Fisheku”, doganieri Edmond Ferraj dhe inspektori i Tatimeve të sektorit VIP, Dashamir Kasaj.
17 Mijë tonë naftë virxhin dyshohet se janë ricikluar në tregun vendës, pas përzierjes me benzinë. Kjo naftë nuk lejohet të hidhet në treg, për shkak të nivelit të lartë të ndotjes
9 Të pandehur të kësaj çështjeje, mes të cilëve djali dhe vëllai i Iljaz Fishekut, si dhe shoferët e kompanisë së tij, janë liruar nga gjykata. Në qeli ndodhet vetëm Fisheku dhe dy ish-zyrtarët