Avokati i Evsen-it: Bllokimi i llogarive dëmton 25 mijë pasagjerë
Avokati Vladimir Meçi i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme dhe gjykatës të lirojnë nga masa e sekuestros llogaritë bankare të pronarit të “Albanian Airlines”
Tiranë Avokati i kompanisë “Albania Airlines” i ka kërkuar dje Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatës së Apelit të lirojnë nga masa e sekuestros llogaritë bankare në emër të kompanive në pronësi të shtetasit turk Ali Evsen, i liruar tashmë nga gjykata spanjolle kundrejt garancisë pasurore. Nëpërmjet një kërkese drejtuar prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe drejtorit të hetimit, Sokol Stojani, përfaqësuesi i kompanisë ajrore kërkon zgjidhjen e shpejtë të problemit që po çon drejt falimentimit kompaninë dhe po lë pa paguar mbi 100 punonjësit e kësaj kompanie. Duke argumentuar përse ky vendim është i kundërligjshëm, avokati Vladimir Meçi sqaron arsyet përse duhen liruar llogaritë bankare, në të cilat janë gjetur rreth 200 mijë dollarë. “Sekuestroja preventive e vendosur në mënyrë të veçantë ndaj kompanisë ‘Albania Airlines’ bllokon totalisht veprimtarinë ekonomiko-financiare të këtij subjekti dhe i shkakton atij, palëve të treta, bizneseve të lidhura me të, udhëtarëve dhe vetë shtetit, pasoja ekonomiko-financiare” - thuhet në kërkesën e depozituar ditën e djeshme në Prokurorinë e Përgjithshme. Më tej në kërkesë thuhet se, duke bllokuar totalisht llogaritë bankare, janë bllokuar njëkohësisht pagat e punonjësve. Gjithashtu, nuk mund të realizohen pagesat që shoqëria duhet të kryejë në favor të shtetit, pagesat e tatimeve, taksave, pagesat për sigurimet shoqërore, pagesat për taksat e aeroportit, apo dhe pagesat për shërbime të domosdoshme për mirëfunksionimin e kompanisë. “Veç kësaj, sqaroj se nga bllokimi i aktivitetit të kësaj shoqërie, rrezikohen mbi 25 mijë pasagjerë, që për periudhën korrik-shtator kanë prenotuar fluturimin me avionët e shoqërisë ‘Albania Airlines’”- thuhet në kërkesë. Avokati argumenton se vendimi i prokurorisë, i miratuar në gjykatë, ka qenë i nxituar, pasi vetë njësia e inteligjencës financiare, pas kontrollit që u është bërë llogarive, ka arritur në përfundimin se “informacioni i siguruar nga Interpoli nuk është i vlefshëm për të mundësuar referimin e çështjes penale në prokurori”. Por pavarësisht këtij argumenti, policia e informuar nga mediat për arrestimin e Ali Evsen-it nga autoritetet spanjolle i ka kërkuar prokurorisë të nisë hetimet në Shqipëri, pa vënë në dispozicion asnjë element që hedh dyshime mbi burimin e të ardhurave. L.Bakillari