E Shtunë, 31 Tetor 2026

73 DEPUTETË KUNDËR 92% TË SHQIPTARËVE

Denis Dedej / Luis Tanushi

Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar dje me 73 vota dekretin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për rishikimin e ligjit për menaxhimin e integrimit të mbetjeve, ndërsa pro tij votuan 59 deputetët e opozitës. Rreziku për të humbur këtë ligj kishte bërë që mazhoranca të dërgonte në sallën e Kuvendit të 74 deputetët e saj. Të vetmit përfaqësues që mungonin ishin ministrat Vasili dhe Haxhinasto, të cilët nuk janë deputetë dhe për pasojë nuk kanë të drejtë vote. Në fund të votimit rezultoi se një prej deputetëve të mazhorancës nuk kishte marrë pjesë në votim. Ndërsa opozita kishte gjashtë mungesa në seancën e djeshme. 59 deputetët e saj votuan sipas qëndrimit të grupit kundër ligjit që lejon importin e plehrave në Shqipëri.

Pas shtatë orësh debatesh midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, mazhoranca nuk është zmbrapsur nga qëndrimi i saj, duke miratuar në këtë mënyrë lejimin e importit të mbetjeve. Në seancën maratonë të ditës së djeshme, në të cilën folën 54 deputetë për çështjen e plehrave, pati dhe akuza nga më të ndryshmet, por edhe përplasje midis kryeministrit Berisha dhe kryetarit të grupit parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi.

Në fund të diskutimeve, në sallë mbërriti dhe kreu i qeverisë, i cili në emër të shumicës ka shprehur qëndrimin mbi këtë çështje shumë të diskutuar, duke akuzuar opozitën se ka interesa klienteliste për mosmiratimin e ligjit të plehrave. Ai solli në vëmendje se vetë socialistë kanë miratuar në vitin 2003, kur ishin në pushtet, një vendim që lejon importimin e 400 lloje mbetjesh. Nga ana tjetër, kreu i mazhorancës akuzoi opozitën se po mban peng Shqipërinë përmes votave. Çdo shqiptar që po ndjek në televizion punimet e parlamentit kupton qartë dhe përfundimisht se përveç partiçkës së plehut, prapa qëndrimit të krerëve të opozitës qëndrojnë interesat mafioze. A e dëgjuat se i gjithë problemi ishte se do vendoset vendimi i qeverisë si kusht për çdo import dhe këtë nuk e kanë nga urrejtja ndaj meje, jo, e kanë nga dashuria për plehrat që importojnë pa asnjë vendim, fitimet që nxjerrin përmes tyre nga klanet,- deklaroi Berisha.

Pas këtyre akuzave, ka ardhur reagimi i kryetarit të grupit parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, i cili vlerësoi se në ligjëratën e kryeministrit vetëm një e vërtetë u tha, që u pranua se shqiptarët që na ndjekin me këtë debat e kuptojnë që qëndrojnë interesa. Kreu i qeverisë ka ndërhyrë në atë moment nga vendi, duke iu drejtuar zyrtarit socialist, pa mikrofon të ndezur, me fjalët: E kape.

Por ata kuptojnë dhe një gjë tjetër dhe të pyesin ty, janë duke të ndjekur edhe tani. Mos u ngopsh, thonë ata, por edhe nga plehrat do që të fitosh. Së dyti, po mirë punët e tjera, që aq di dhe aq bën, thonë ata, por si mjek, si ka mundësi që e kthen në një tragjedi ekologjike këtë vend, si mjek, jo si kryeministër. Së treti, kur ke pasur të drejtë. Në 2004 që ke thënë, importi i plehrave është një bombë ekologjike, këtu në këtë tribunë që jam unë, apo sot, – replikoi Ruçi. Duke iu referuar deklaratave të Berishës se PS ka miratuar në 2003 ligjin për hyrjen e 400 lloje mbetjesh, kryetari i grupit të PS-së solli në vëmendje se si rezultat i debatit që është zhvilluar, qoftë edhe për atë ligj që është miratuar, PS anuloi marrëveshjen më një kompani të shtetit italian. Këtë kërkesë ka shoqëria civile. Anuloje! Mirato dekretin e presidentit,- ishte apeli i fundit i zyrtarit të lartë socialist.

Topalli verifikon kartat

Pas replikave kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, hapi procedurat e votimit, e cila u kthye në një gjueti të kartave të deputetëve që mungonin. Kjo pasi kryeparlamentarja u kërkoi sekretarëve që të hiqnin të gjitha kartat e votimit dhe ti gjenin ato se ku ndodheshin që deputetët të tjerë të mos votonin në emër të atyre që sndodheshin. Pas kontrollit të imtësishëm, në të cilën edhe Topalli jepte ndihmën e saj duke lexuar emrat e deputetëve socialistë që nuk ndodheshin aty, seanca ka vijuar me votimin e dekretit të Presidentit, i cili u rrëzua nga mazhoranca.

Deputetët që mungonin

Dritan Prifti

Rudina Seseri

Tom Doshi

Ditmir Bushati

Namik Dokle

Kastriot Islami

Artan Gaçe

Argumentet pse e ktheu Presidenti ligjin

1 I tërë ligji përshkohet nga rregullat dhe procedurat për kryerjen e këtij procesi menaxhimi; por, parashikimi i nenit 49, për importin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë, vlerësoj se del jashtë qëllimit të ligjit. Në një kohë kur i tërë ligji i është dedikuar marrjes së masave dhe kryerjes së procedurave për menaxhimin mjedisor të mbetjeve në Shqipëri, si një problem i rëndë dhe ende i pazgjidhur i mjedisit shqiptar sot, krijimi i mundësive për import të mbetjeve të vendeve të tjera, duket se bie ndesh me qëllimin e deklaruar për minimizimin e mbetjeve ose pakësimit të ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve, apo pakësimit të ndikimeve negative të përgjithshme nga përdorimi i burimeve.

2 – Neni 2, pika 1 e ligjit përcakton objektin e ligjit, duke parashikuar se dispozitat e tij zbatohen për menaxhimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjykoj se kjo dispozitë ka parasysh se në territorin e Republikës së Shqipërisë do të menaxhohen mbetjet që vijnë nga burime brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Meqenëse, neni 49 i ligjit, bën fjalë për importin e mbetjeve në Shqipëri, atëherë, vlerësoj se neni 49 vjen në kundërshtim edhe me objektin e ligjit, të shprehur në dispozitën parimore të tij, neni 2, pika 1.

3 – Neni 2, pika 2 e ligjit parashikon se ligji përcakton rregullat e përgjithshme për menaxhimin e integruar të mbetjeve, përfshirë parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i tyre, përmes pakësimit të përdorimit të burimeve. E konsideroj se një dispozitë e tillë është në përputhje me objektivin e krijimit të një mjedisi sa më të shëndetshëm; por, neni 49 i ligjit, duke parashikuar dhe lejuar importin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë jo vetëm që nuk ndihmon në arritjen e këtij qëllimi, pra në parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi i mbetjeve, por ai shton edhe përdorimin e burimeve të mbetjeve.

Akuza në Kuvend: Ligji i mbetjeve mbështetet nga mafia

Deputetët kanë akuzuar dje qeverinë se pas ligjit për plehrat qëndron mafia dhe paratë e saj të pista. Duke sulmuar nenin që lejon importin e plehrave nga jashtë vetëm përmes një VKM-je, deputetët kërkuan që të ndalohet miratimi i ligjit dhe të organizohet një referendum popullor për të kuptuar nëse populli shqiptar është dakord apo jo me importin e mbetjeve.

Blendi Klosi

Ky ligj është për importimin e plehrave në Shqipëri. Po, po, është importim i plehrave dhe mos kërkoni ti gjeni asnjë emër tjetër. Kërkohet që Shqipëria të bëhet depo e importimit të plehrave. Neni 49 i tij flet qartë se Shqipëria do bëhet vend i importimit dhe i depozitimit të plehrave. Ligji që ne kemi përpara, është një ligj që në asnjë nen të tij nuk flet qartë për menaxhimin e plehrave, por hap vetëm dritaren për tu futur plehra në Shqipëri. I gjithë ky ligj është një ligj klientelist, i cili bëhet vetëm për importimin e plehrave në një vend pranë BE-së, por shumë larg kontrollit që BE ofron për këto procedura. Ju sot thoni që ne do ta menaxhojmë, por kush do ta menaxhojë?! Dogana shqiptare?! Administrata publike shqiptare, kontrollorët shqiptarë?! Kush e kontrollon sot firmën në Elbasan që ditën e vë filtrin e natën e heq. Kush i kontrollon sot fabrikat e çimentos në Fushë Krujë, që ditën i vë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›