E Shtunë, 31 Tetor 2026

73 vera me muzën e liqenit

Bisedë me shkrimtarin e njohur Dhimitër Xhuvani. Rrëfimi për fabulat e librave dhe skenarët e filmave: “Qytet i njerëzve miqësorë”

Mëngjes herët. Nga një vilë trekatëshe fare pranë bregut të liqenit del një çift të moshuarish të kapur pas dore. Është shkrimtari i njohur Dhimitër Xhuvani dhe bashkëshortja e tij Fatmira. Ata dalin qetësisht dhe çapin ngadalë buzë liqenit.

Me vështrimin e qetë dhe pamjen meditative Dhimitri përshëndet kalimtarët prej të cilëve ka shumë e shumë të njohur dhe miq. Mëpas qëndron pranë kafenesë që preferon…

Dhimitër Xhuvani në 74 vitet e jetës së deritanishme, verën e 73 viteve e ka kaluar në Pogradec. Vetëm në çmendurinë e vitit 1997 ai nuk erdhi të pushonte buzë liqenit...

Pse kjo lidhje kaq e ngushtë me Pogradecin?

Unë në Pogradec kam lindur, kam kryer shkollën fillore. Jam larguar në moshën 10 vjeç në kohën e Luftës për t`u rikthyer më pas çdo verë. Pogradecarët janë njerëz të dashur dhe mikpritës. Kur të japin çelësin e shtëpisë me qira ku pushon të duket sikur e ke shtëpinë tënde…

Ka ndikuar kjo lidhje thuajse e pazakontë në krijimtarinë tuaj?

Shumë, pothuajse të gjitha veprat e mia janë shkruar në këtë qytet.. Romanin “Përsëri në këmbë”, skenarin e filmit “Mëngjese lufte”, “Kupa e Helmit”, skenaret e filmave “I dashur armik”, apo “Lindje Perëndim “ që është duke u xhiruar me regji të djalit tim Gjergj Xhuvanit. Shumë e shumë përmbledhje me tregime dhe novela. Këtu i kam shkruar…

Po fabula a janë marrë nga ky qytet dhe krahinat përreth?

Patjetër. E keni parë filmin “Një ditë nga një jetë”?Atë skenar ia kam kushtuar një infermieri pogradecar Laqo Bushos. Një hero i vërtetë i heshtur. Nuk ka lënë derë pogradecare pa bërë injeksione, pa mjekuar plagë. Njeri që rrezaton mirësi dhe dashuri. Duhet të ishte patjetër “Qytetar Nderi” për Pogradecin. Është shkrirë tërë jetën dhe nuk merrte asnjë grosh përveç rrogës simbolike. Sot jeton në varfëri.

Edhe në skenarin e filmit “Mëngjese Lufte” është tërë fëmijëria ime në qytetin e Pogradecit gjatë luftës.

Veprat tuaja i shohim gjithnjë e më shpesh të ekranizuara nga djali juaj Gjergji…

Po patjetër. Me djalin i kam realizuar dhe do t`i realizoj edhe në të ardhmen. Në familje shpesh bisedat rreth temave të ndryshme, na kthehen në një debat artistik. Sugjerimet e Gjergjit dhe të nuses Lizës, më ndihmojnë shumë. Gruaja ime Fatmira shpesh merr pjesë në këto debate. Madje, filmi “I dashur armik” ka lindur nga një rrëfim i gruas sime mbi një ngjarje të kohës së luftës që kishte ndodhur në familjen e saj. Bëhet fjalë për familjen e njohur elbasanase Belegu. Një nga ato pak familje ku nuk qe primare politika, por njerzillëku.

Z. Xhuvani, diçka që ju pëlqen shumë tek Pogradeci…?

Në Pogradec më pëlqejnë njerëzit.. Janë shumë miqësorë dhe të dashur. Më bën përshtypje që kanë një të folur të figurshme. Prindërit i trajtojnë fëmijët e tyre si tërritur... Më pëlqen sigurisht natyra, liqeni

Diçka që nuk ju pëlqen?

Nuk më pëlqen kaosi urbanistik. Nuk më pëlqejnë ndërtesat shumëkatëshe që kanë bllokuar bregun e liqenit. Më duket se kanë ardhur në vitet e tranzicionit shumë më tepër banorë sa mund të mbajë qyteti realisht. Shoh se ka shumë papunësi dhe varfëri në qytet dhe kjo më trishton.

Më vjen mirë që qyteti ka siguruar ujë të pijshëm 24 orë dhe po kryen punimet e ujërave të zeza që të mos derdhen në liqen. Gjithsesi Pogradecin e dua me të mirat dhe të këqijat e tij, kjo është e sigurt…

Çfarë po shkruan këtë verë Dhimitër Xhuvani në Pogradec?

Jam duke shkruar një roman të ri të titulluar “ Përdhunuesit”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›