Violinisti që u bë biznesmen...
Një bisedë me Veli Kazazin, muzikantin që tashmë drejton biznesin elbasanas: “Nuk kemi kohë më për humbur, nuk kemi kohë për të investuar keq...”
Pak kush mund të gjejë lidhje mes një artisti dhe një biznesmeni, sepse duken dy fusha shumë të largëta, po ja që pasioni për violinën dhe personaliteti prej biznesmeni, mund të mishërohen edhe në të njëjtin individ. Së paku në rastin e 36- vjeccarit Veli Kazazi, kështu ka ndodhur.
Ish violinisti i njohur elbasanas prej 4 vjetësh drejton Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në këtë qytet dhe njihet për projektet e shumta në ndërtim, më i afërti i të cilëve, siç tregon vetë është një qendër tregtare.
Kush ua ushqeu pasionin për muzikën?
Pasionin për muzikën ma ka ngulitur im atë. Në moshën 7-vjeçare kam hyrë në shkollën Onufri. Kam studiuar për rreth 6 vitet e para në Elbasan dhe im atë insistoi që të transferohesha në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Kam qenë pjesë e grupeve që jepnin koncerte në shumë vende të botës edhe në kohën e regjimit komunist. Pas vitit ’90, pasi regjimi ra dhe shkollat filluan në një farë mënyre shthurjen, konkurrova në konservatorin e Milanos dhe në ’96-n u sistemova në orkestrën “Xhuzepe Verdi” të Milanos. Studioja dhe punoja sepse duhet të mbaja veten. Kjo periudhë ndoshta ka qenë ndër më të vështirat e jetës sime. Në Itali kam jetuar përreth 9 vjet. Në vitin 2000 vendosa që të kthehem në Shqipëri.
Si vendosët të ndryshoni në mënyrë radikale jetën tuaj duke nisur një biznes?
Kur u ktheva në Shqipërikisha vite që kultivoja brenda meje idenë e një sipërmarrjeje. Kisha disa miq në Itali arkitektë dhe inxhinierë. Ata më ndihmuan shumë për fillimin tim, më orientuan drejt biznesit të ndërtimit. U ktheva në Elbasan me idenë për të krijuar një Elbasan të dytë, një Elbasan në zhvillim, në transformim.
Duket disi e vështirë që një artist të shndërrohet në një biznesmen...
Natyrisht, për një njeri të orientuar drejt artit të kthehesh në një sipërmarrës është e vështirë, pavarësisht se në një farë mënyrë arkitektura apo ndërtimi është në vetvete edhe art, por ishte më shumë ndryshimi rrënjësor i konceptit për të filluar një biznes nga një muzikant që isha. Muajt e parë kanë qenë shumë të vështirë, sepse brenda meje ishte gjithmonë ankthi që do të isha apo nuk do të isha i zoti të realizoja idenë time duke qenë se nuk kisha eksperiencë në biznes dhe aq më tepër në fushën e ndërtimit.
Atëherë si ia dolët mbanë...
Besoj se ka disa elementë bazë për të garantuar sukses në një biznes. E para, duhet të punosh shumë.. . Eksperienca e Italisë më ndihmoi ta kuptoja çfarë do të thotë të besosh në një kulturë pune. Kultura e punësnë bazën e saj ka korrektesën. Natyrisht kisha edhe një armë tjetër që lidhet me vullnetin. Dhe këtu më duket se ka një pikë të përbashkët mes biznesmenit dhe muzikantit. Një muzikant që nuk ka vullnet ose nuk e kultivon atë nuk mund të jetë i suksesshëm. As në muzikë, as në biznes, nuk jam tërhequr asnjëherë...
E keni braktisur violinën ?
Herë pas here e marr dhe luaj diçka në familje, po edhe në festa me miqtë e mi. Hera e fundit që unë i kam rënë violinës ka qenë para dy muajsh në ditëlindjen e një mikut tim. Vura re me shumë kënaqësi që pjesa që kam luajtur u pëlqye nga të pranishmit.
E ardhmja, do të jetë biznes apo muzikë...?
Kam shumëide në sirtar, kam shumë ëndrra, shumë projekte. Ndoshta disa janë projekte që shpesh kalojnë edhe kufijtë e mundësive. Megjithatë mendoj që do të vazhdoj drejt sfidës të të bërit biznes. Një miku im italian më ka thënë: “Kush tenton të pamundurën gjen pak konkurrentë”.
Çfarë do t’i këshillonit sipërmarrësve të rinj?
Do t’i këshilloja që të mbledhin informacion, shumë informacion, para se të vendosin të investojnë. Ka mungesë të një politike të mirëfilltë zhvillimi, ka mungesë të informacionit mbi kapacitetet e tregut shqiptar në shumë produkte. Para së gjithash, duhet orientim në këtë treg. Hapi i parë duhet hedhur shumë i menduar dhe për këtë informacioni është baza. Një biznesmeni nuk i falet sot që të nisë një investim pa bërë një studim të thellë të merkatos vendase. Madje edhe shteti duhet të orientojë drejt këtij varianti që është më i sigurt. Të mos mendojmë se duke kopjuar, mund të ndërtojmë një biznes. Shumë investues bien në kurthin e përsëritësit me idenë primitive që secili ka kismetin e vet...
Nëse më lejoni do ngrija dhe një problem shqetësues për mendimin tim. Në shumë privatizime strategjike vazhdohet të mos i jepet rëndësi biznesit shqiptar. Shqipëria nuk meriton të jetë thjesht një republikë bananesh.
Shumë biznesmenë seriozë ankohen për rolin e shtetit dhe raportet me administratën. Sipas jush, cili është roli i shtetit përballë biznesit?
Mendoj se shteti para së gjithash duhet të planifikojë ekonominë dhe t’u japë së paku një përgjigje të qartë shqiptarëve se kush do të jetë vizioni i së nesërmes. Pra do të jetë një ekonomi e orientuar nga turizmi, nga industria, industria e rëndë, apo e lehtë, agrokultura, apo do të jetë një orientim drejt një kombinimi të tyre. Kam përshtypjen se mungon akoma një strategji ekzakte. Nuk kemi kohë më për të humbur, nuk kemi kohë për të investuar keq.
Imazhi aktual i Shqipërisë është pozitiv, nxitës për investime?
Mendoj se në këtë çështjen e imazhit, media ka një rol shumë të rëndësishëm. Personalisht gjykoj që media duhet të nxjerrë në pah më shumë histori suksesi në këtë vend sepse nuk mungojnë. Do të shërbente shumë për të shtuar pozitivitetin jo thjesht për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, por edhe për shqiptarët që jetojnë në të gjitha anët ebotës. Kemi nevojë shumë si shqiptarë për këtë gjë.
Në rast se do të reklamojmë vetëm të keqen, vetëm problemet, kjo krijon një imazh jo real. Edhe kur duket sikur situata është krejt e errët, le të provojmë të jemi disi pozitivë. Në fund të fundit le të shesim edhe pak iluzion se nuk mendoj se na bën keq. Ndonjëherë njerëzit kanë nevojë shumë të ëndërrojmë...