Djali im 3 vjeç, sillet dhunshëm
Përgjigjet e pediatrit për pyetjet tuaja si dhe një përmbledhje e zhvillimit psikomotor dhe fizik i fëmijëve ne moshën nga 3 deri në 6 vjeç
Pyetje - Dr Çimi, djali im, 3 vjeç, parqet një sjellje disi të dhunshme. Herë pas here godet e për më keq edhe na kafshon. Si duhet t’i kuptojmë këto sjellje të tij dhe a do të përbëjnë ato probleme për të ardhmen e tij?
Përgjigje - E nderuar lexuese apo lexues i gazetës “Shekulli” dhe i artikujve të mi!
Së pari do të desha t’ju sqaroja se, në përgjithësi, sjelljet agresive të fëmijëve të moshës nga një deri në katër vjeç, në vetvete, nuk janë sjellje patologjike dhe që duhet të na shqetësojnë. Në këtë moshë këto lloj sjelljesh janë shumë të domosdoshme për zhvillimin e fëmijës e sidomos për zhvillimin e kufijve të Uni-t të tij.
Të gjitha sjelljet që shoqërohen me goditje me grushte a me shkelm, kafshime, (sikurse tek fëmija juaj) por edhe me gërvishtje, pickime etj., futen në termin e sjelljeve të dhunshme. Këto sjellje që vërehen më shumë tek fëmijët e seksit mashkull dhe shumë më pak tek fëmijët e seksit femër, vijnë si rezultat i një veprimi apo një sjelljeje të të rriturve, i cili e ndalon atë për të kryer një lojë a një dëshirë të tij. Ndalesa mund të vijë nga ne (prindërit, edukatorët, motrat vëllezërit etj.) por, edhe nga objekte që nuk e lejojnë të veprojë. Shumë më reagues, fëmijët e kësaj moshe, janë në marrëdhëniet me kolektivin e çerdhes apo të kopshtit. Fëmijët me sjellje të tillë, në shtëpi, janë më të toleruar ndërsa, në kolektiv edukatoret e tyre nuk janë e nuk mund të jenë kaq tolerante. Kjo, për arsyen fare të thjeshtë, sepse ato i druhen reaksionit të prindërve të fëmijëve të tjerë. Nga të gjitha sjelljet e përmendura më sipër, kafshimi dhe gërvishtjajanë sjellje që shkaktojnë një ankth më të madh tek të rriturit, prandaj, ato janë më pak të tolerueshme.
Gabimi më i madh që bëhet, në përgjithësi, nga prindërit por edhe nga edukatoret, kur kemi të bëjmë me fëmijë me sjellje të tilla është: Përgjigjja ‘me të njëjtën monedhë’, që do të thotë kafshimi i fëmijës që kafshon apo goditja e fëmijës që godet. Të jemi të sigurt se, me një kundërveprim të tillë nuk do të bënim tjetër gjë veçse do të krijonim: Një rreth të mbyllur agresiviteti reciprok fëmijë-prind apo fëmijë- edukator. Në këto raste tek fëmija mund të kultivohet një dëshirë e papërmbajtur hakmarrjeje ose ai mund të dominohet nga ankthi e të përfshihet nga fantazma faji e ndëshkimi.
Pas moshës 4-vjeçare, në përgjithësi, fëmijët kanë fituar eksperienca dhe mjete të tjera për t’u afirmuar si subjekt plotësisht i pavarur, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër për të reaguar ndryshe ndaj ndalesave, urdhrave etj. Në këto eksperienca e mjete rolin kryesor e luan zotërimi i të folurit.
Kur këto sjellje, vazhdojnë të shfaqen edhe përtej moshës katër vjeçare atëherë duhet të mendojmë se tek fëmija mund të kemi një papjekuri të uni-t të tij. Këtu duhet parë në se fëmija, për një mori arsyesh, ka pasur një deficit të hershëm të dashurisë për të. Po kështu duhet parë nëse lidhjet nënë-fëmijë kanë qenë dhe janë shumë të karakterizuara nga mbimbrojtja e fëmijës. Një mundësi tjetër mund të jetë edhe dhuna fizike apo verbale e psikologjike në familje. Arsye e veçantë e papjekurisë së uni-t, mund të jetë edhe një lidhje midis tij e vuajtjes nga dëgjimi apo edhe ardhjes me vonesë të të folurit.
Por, së fundi, ka edhe fëmijë psikotikë të cilët paraqitin sjellje të dhunshme përtej moshës katër vjeçare. Në këto raste duhet vënë re se fëmija paraqet herë pas here momente agresiviteti të pamotivuara, ndonjëherë dhuna është ekstreme. Kjo dhunë i drejtohet mjedisit që e rrethon, objekte apo njerëz, në një kohë që ky mjedis nuk e ka ngacmuar apo provokuar atë.
Nëse për sjelljet e dhunshme të fëmijëve nën katër vjeç nuk ka pse të shqetësohemi, për ato të moshës mbi katër vjeç është e domosdoshme që të marrim kontakt me mjekun e këshillimores, pediatrin e zhvillimit, meuropediatrin dhe psikologun.
----------------------------------------------------Fëmijët tanë nga mosha 3 deri në 6 vjeç
Reaksioni i sjelljes së mjedisit ve në dyshim qëndrimin edukativ të prindërve, edukatorëve e ndonjë herë edhe të të gjithë shoqërisë. Në mënyrë të veçantë ky dyshim prek edhe sistemin e ligjeve dhe atë gjyqësor.
Sot do të përshkruaj zhvillimin psikomotor dhe fizik të fëmijëve nga tre deri në gjashtë vjeç, periudhë kjo që përbën moshën parashkollore të fëmijëve. Natyrisht edhe gjatë kësaj periudhe, të gjitha eksperiencat e fituara deri në këtë moment, fëmija i përpunon dhe i përmirëson në mënyrë të vazhdueshme e ditë pas dite. Nga ana tjetër, ai mëson edhe eksperienca të tjera të reja, edhe më të avancuara e më të larmishme. Të gjitha këto e përgatisin që të jetë më i pavarur, më i sigurt dhe më i plotë në të gjithë veprimtarinë e tij psikomotore.
Të kuptuarit natyrisht që lidhet me faktin se ka arritur që të përmirësojë nga dita në ditë, të kuptuarit e të ftohtit, të lodhurit, urinë dhe jo vetëm kaq por, është në gjendje të të thotë se çfarë bën ai kur ka këto ndjesi. Përgjigjet saktë vishem, ulem apo ha bukë kur e pyet se çfarë bën për to. Është në gjendje fillimisht, e pastaj gjithnjë e më i sigurt në të kuptuarit e analogjive të kundërta. Aty nga fundi i vitit të gjashtë është në gjendje të dallojë, pothuajse, të gjitha të kundërtat si i gjatë apo i shkurtër, i gjerë apo i ngushtë, i madh apo i vogël, vajzë apo djalë etj. Jo vetëm që njeh katër ngjyrat bazë (kuq, blu, verdhë e jeshil), por nga fundi i vitit të gjashtë edhe ngjyrat e tjera, madje disa fëmijë edhe nuancat e tyre. Fillimisht është në gjendje të dallojë ndajfoljet e më vonë të kuptojë dhe të zbatojë deri në nëntë të tilla. Kështu e di mirë se çdo të thotë mbi, nën, mbrapa, përpara, përballë, anash etj. Gjatë këtij trevjeçari fillon të përcaktojë deri tetë fjalë: sipas termit të përdorimit, sipas formës, përbërjes apo edhe sipas kategorisë së përgjithshme. Kështu p.sh. një mollë mund ta përcaktojë si “e rrumbullakët”, “e kuqe”, “e ëmbël” apo edhe “është frut” e kështu për topin, shtëpinë, lumin, liqenin, dërrasën, tavanin, dyshemenë etj. Fillon të njohë përbërjen e disa materialeve dhe në fund të gjashtë vjetorit i njeh mirë ato. Është në gjendje që të përcaktojë materialin nga i cili është bërë luga, këpuca dhe dera.
Në zhvillimin e lëvizjeve të mëdha vazhdojnë të konsolidohen kërcimi në vend, kërcimi lart 20 cm, hedhja e topit me duar mbi kokë deri në 90 cm lart, kërcimi me një këmbë, qëndrimi me një këmbë deri në 15-20 sekonda. Veç këtyre, fillon të kapë me duar (jo me parakrahë) një top që i hidhet nga një largësi prej gati një metër largësi. Fillon të ecë, tre-katër hapa përpara, duke vendosur thembrën 2.5 cm para gishtave. Aty nga viti i katërt, fillon të bëjë të njëjtën gjë por në drejtimin mbrapa.
Zhvillimi i lëvizjeve fine përfshin të gjitha veprimet që fëmija ka mësuar deri në këtë kohë, natyrisht ato bëhen lëvizje më perfekte, më të sigurta dhe më të plota në formën e tyre. E reja në këto lëvizje është se fillon të jetë në gjendje të kopjojë edhe katrorin. Po kështu, fëmija është në gjendje që të vizatojë fillimisht tre e pastaj gjashtë pjesë të trupit.
Në zhvillimin vetjak shoqëror është e rëndësishme të përmendet se jo vetëm perfeksionohen veprimet e veshjes të mbikëqyrur, por aty nga fundi i vitit të katërt ose fillimi i vitit të pestë, veshja bëhet fare pa mbikëqyrje. Ndërkohë shoqërizimi dhe loja me të tjerët, tashmë është bërë natyra e dytë e fëmijës dhe nuk mund ta konceptojë më ndarjen nga shokët e miqtë e tij.
Zhvillimi fizik, pesha dhe gjatësia, tashmë nuk përbëjnë ndonjë problem të domosdoshëm për t’u matur dhe për t’u shqetësuar as për prindërit, as për vetë fëmijën e as për mjekun. Kjo, për të vetmen arsye sepse, fëmija ka arritur një pavarësi të plotë në të ushqyerin e tij dhe në përdorimin e një menyje të larmishme, shumë më afër asaj të të rriturve. Sidoqoftë, nuk është keq të dimë se një femër gjatë moshës 3-6 vjeç peshon mesatarisht nga 13 deri në 21 kg, ndërkohë që gjatësia e saj arrin nga 96 deri në 116 cm. Pesha e një mashkulli mesatarisht varion nga 14 në 22 kg.Përsa i përket gjatësisë së një femre, ajo mesatarisht varion nga 98 në 118 cm.