75 vjet nga lindja e politikanit dhe shkrimtarit Pjetër Arbnori
Izaura Ndoj
“Jeta e Arbnorit, një sfidë e pandërprerë” nën orientimin e këtij titulli është zhvilluar dje aktiviteti përkujtimor me rastin e 75-vjetorit të lindjes së Pjetër Arbnorit. Dokumentari i përgatitur por edhe botimi i librit me letra nga burgu “Shumë e dashura nanë” i kanë ndihmuar të pranishmit në ceremoni të thellohen në kujtime. Gjatë këtij përkujtimi u përuruan edhe dy libra të Arbnorit të përgatituara prej studiuesit Nevruz Shehu, “Pse do të rrëzohet komunizmi” dhe “Shumë e dashura nanë”. Zv. ministri i Kulturës e vlerësoi figurën e Pjetër Arbnorit si Mandelën shqiptare. "Iniciuesi i parë në kushtet kur mbretëronte Partia Socialiste, për krijimin e pluralizmit politik, për këtë ai kishte përparimet demokratike dhe lirinë e mendimit ku u privua u arrestua dhe u kthye në një mandelë shqiptare. Arbnori mbetet edhe pas viteve '90 si një kryetar parlamenti dhe politikan simbol i politikanit të paqes, tolerancës dhe mirëkuptimit ", u shpreh Nikollë Lesi, zv.ministër i Kulturës. Ceremonia përkujtimore vazhdoi edhe me një vizitë pran familjes së Arbnorit si dhe në studion e tij të kthyer tashmë në një muze. I njohur dhe si Mandela shqiptar, Arbnori u lind në qytetin e Durrësit 75 vjet më parë, në 18 janar të 1935. Ai pati një jetë të vështirë, ndonëse arriti ta alternonte atë mes letërsisë dhe politikës. Në vitin 1960, pas përfundimit të studimeve, filloi punë si mësues letërsie në një shkollë të Kavajës. Në këtë kohë, së bashku me intelektualë të tjerë, morën iniciativën për të formuar partinë e parë opozitare "Partinë Social Demokrate", duke sjellë kështu tentativat e para të pluralizmit në Shqipëri. Por kjo lëvizje e tyre u vu re nga sigurimi i Shtetit dhe shtatë prej aktivistëve u burgosën. Pas një periudhe dy vjeçare mes torturave dhe hetimeve të gjata, Pjetër Arbnori mori dënim me vdekje. Më tej, ky dënim u ndryshua, duke u kthyer në 25 vjet dënim me burg në burgun e Burrelit. Ndonëse në burg dhe në kushte tej mase të vështira, Pjetër Arbnori shfrytëzonte çdo mundësi që i jepej për të shkruar. Mendimet e tij në formën e historive të shkurtra ai i shënonte në bordurat e bardha të gazetave që qarkullonin mes të burgosurve. Në këtë mënyrë, Pjetër Arbnori arriti të krijonte një novelë të plotë, të cilën e botoi vite më vonë. Kur kishte përmbushur një pjesë të madhe të dënimit, Pjetër Arbnorit i shtohen dhe 10 vjet të tjera dënim. E tek sa hyri në burg në moshën 26-vjeçare, ai doli prej tij i thinjur në vitin 1989, në moshën 54-vjeçare. Menjëherë pas lirimit, në janar të 1990, mori pjesë në demostrata kundër regjimit komunist të zhvilluara në Shkodër. Po në të njëjtin vit, ai u rreshtua mes themeluesve të Partisë Demokratike. Prej vitit 1991 deri më 2001, Pjetër Arbnori ishte pjesë e pandashme e Parlamentit shqiptar, ku në fillim ishte deputet e më tej kryeparlamentar në vitet 1992 deri më vitin 1997. Pjetër Arbnori, krahas kontributit të tij të shquar në politikë, dallohet dhe për kontributin e tij artistik e letrar. Gjatë 28 viteve të dënimit, ai shkroi pjesën më të madhe të librave të tij, të cilat i botoi menjëherë pas lirimit. Ai ka lënë pas një bibliotekë të pasur me tituj të shumtë si "Kur dynden vikingët" (novelë, 1992), "Mugujt e mesjetës" (roman, 1993), "Bukuroshja me hijen" (novelë, 1994), "E bardha dhe e zeza" (roman, 1995), "E panjohura", Vdekja e "Gëbelsit" (novela, 1996), "Shtëpia e mbetur përgjysmë" (roman, 1997), "Vorbulla" (roman, 1997), "Letër nga burgu", "Nga jeta në burgjet komuniste", "Brajtoni, një vetëtimë e largët" (roman, 2000) dhe "Lufta për të mbetur njeri", (cikël me intervista, 1990-2000). Pjetër Arbnori u nda nga jeta më 2006 në Napoli të Italisë, ku kishte shkuar për kurim pas shqetësimeve që pati në zemër. Figura e Pjetër Arbnorit është vlerësuar dhe nderuar si gjatë kohës kur ishte në jetë dhe pas saj. Ai ka marrë nderime të shumta si "Mësues i Popullit", "Pishtar i Demokracisë", "Oficer i Madh i Urdhrit të Plejadës", Urdhri "Nënë Tereza" dhe Urdhri "Gjergj Kastriot Skënderbeu". Salla e Byrosë parlamentare të Kuvendit ka marr emrin e Pjetër Arbnorit.
“KosovaFest Theranda 2010”, një festival me 7 shfaqje teatrore
Një ngjarje e rëndësishme kulturore pritet të zhvillohet pas disa ditësh në qytetin e Therandës. Ky qytet organizon për herë të parë edicionin e parë të Festivalit Mbarë Kombëtar të Teatrove, i cili fillon më datën 11 shkurt dhe do të zgjasë deri më 17 shkurt. Gjatë këtij edicioni do të shfaqen 7 shfaqje teatrore profesionale nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia. Përveç çmimeve të tjera do të jepen edhe çmimi “Ukë Bytyqi”, çmimi “Besim Ndrecaj” dhe shfaqja më e mirë e festivalit do të prezantohet në Belgjikë. Në jurinë profesionale përveç atyre vendore do të marrin pjesë edhe Philippe Preux, shef i departamentit për audovizuale ne Ministrinë e Kulturës në Bruksel. Daniel Leuëeurs, dramaturg. Organizatorët e festivalit teatror “Kosovafest Theranda 2010”, ftojnë të gjithë dashamirësit dhe punëtorët e teatrit e filmit shqiptar që të marrin pjesë në këtë festival, pasi për herë të parë ky qytet do të kthehet në një arenë të vlerave teatrore. Ndërkohë që përgatitjet për këtë eveniment madhështor teatror kanë nisur që vitin që lamë pas. Duke e cilësuar si një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore që pritet të zhvillohet në këtë qytet, organizatorët bëjnë të ditur se për disa ditë me radhë publikut nuk do ti ofrohet vetëm teatër, por dhe spektakël.
“Portreti i një gruaje të panjohur" i Da Vincit në ankand
Një pikturë e cila dikur mendohej se ishte vepër e Leonardo Da Vinci, e titulluar "Portreti i një gruaje të panjohur", pritet të nxirret në shitje në një ankand që do të organizohet së shpejti nga Sotheby në Nju Jork. "Portret i një gruaje të re me kapele" e cila pritet të shitet me një çmim prej 8 deri 12 milion dollarë do të nxirret në ankand më 28 Janar. Tashmë e cilësuar si vepër e një piktori anonim, punuar prej tij rreth dy vjet pas vdekjes së Da Vinci, ky portret gruaje ngjalli diskutime në vitin 1929. Gjithçka nisi kur eksperti i famshëm i artit, Sër Xhozef Duvin, kundërshtoi shitësit e pikturës, familjen Hahn nga Kansas City, në lidhje me origjinalitetin e saj. Kjo gjë u bë shkak për nisjen e një konflikti ligjor i cili zgjati disa vjet. Xhorxh Uaçer është zëvendës drejtuesi i seksionit të Sotheby në Amerikën e Veriut dhe të Jugut si dhe bashkë-kryetar i ‘Piktura të Mjeshtrave të Vjetër në Mbarë Botën’. Ai shpjegoi atë që kishte ndodhur në këtë gjyq dramatik. "Tërë këta shkollarë të mëdhenj u sollën në Kansas City nga Duvin si Bernard Berenson, si Langton Douglas, tërë më të mirët e asaj kohe. Por gjithçka që mundën të thonin ata ishte "Kam parë kaq shumë punime të Leonardo Da Vinci, kam studiuar kaq shumë piktura të tij ndaj mund të them që nuk bëhet fjalë për një vepër të Leonardo Da Vinci". Megjithatë nuk pati asnjë provë shkencore ndaj juria, edhe pse nuk mendoj se ishte tërësisht në anën e familjes Hahns, mbështeti pretendimin e tyre. Si përfundim Duvin u detyrua t’iu paguante 60,000 dollarë për mbylljen e procesit gjyqësor ndërkohë që piktura mbetet ende pronë e kësaj familje. Ajo vepër mendohet se mban firmën e Da Vinci ose një prej nxënësve të tij. Në të paraqitet Lukrezia Krivelli, e dashura e Ludoviko Sforca, Duka i Milanos. Përsa i përket debatit në lidhje me pronësinë e kësaj vepre ai është ende i hapur. Një ndër ekspertët kryesorë të veprave të Da Vinci tha në vitin 1993 se kjo pikturë ishte punuar nga Da Vinci. Megjithatë ai tha se piktura ishte realizuar në gjysmën e parë të shekullit 17.
25 Janar 2010