E Diel, 1 Nëntor 2026

8 Dhjetori Festë kombëtare. 500 mijë njerëz në Sheshin Skënderbej

200 mijë qytetarë në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë kanë kujtuar 8 Dhjetorin, ditën që shënoi rënien e regjimit komunist në Shqipëri. Mitingu festiv në shesh, filloi me fjalimin e deputetes Mesila Doda si përfaqësuese e Lëvizjes studentore ‘90, fjalimin e ministrit Dritan Prifti në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim si dhe një vajzë 19-vjeçare, e zgjedhur në këtë moshë si simbolikë për të kujtuar plot 19 vjet pluralizëm politik.
Kryeministri Sali Berisha e cilësoi 8 Dhjetorin ditën e kurajos, lindjes së lirisë, falë sakrificës së studentëve që u përballën me një nga diktaturat më të egra në Europë. Këtu kryeministri nuk do të harronte pa përmendur kontributin e pazëvendësueshëm të tribunit të demokracisë, Azem Hajdari.
Kryeministri i ftoi qytetarët në shesh dhe jo vetëm, të bëhen pjesë e projektit të madh të Shqipërisë europiane. Në fjalimin e tij në mitingun e jashtëzakonshëm në shesh, jo vetëm për nga pjesëmarrja, kryeministri Sali Berisha kujtoi disa nga momentet e rëndësishme që ka përjetuar vendi vitet e fundit. Ky është përvjetori i parë i lëvizjes studentore që kujtohet në një kohë kur vendi është anëtar i NATO-s. Bashkë me NATO 2009 shënoi dhe hapa të rëndësishëm në integrimin europian, sikundër është shqyrtimi i aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE. Gjithçka tha kryesminitri u realizua, falë reformave të thella që transformuan vendin si dhe luftës pa tolerancë kundër krimit dhe korrupsionit.
Në fund të fjalimit të tij kryeministri Berisha shpalli 8 dhjetorin, Festë Kombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›