Greqia nuk gjen qetësi, vazhdojnë protestat
Protestat e dhunshme që shënuan një-vjetorin e vrasjes së Aleksandroas Grigoropulos nga policia, kanë tronditur Greqinë fqinje. Ato kanë vazhduar edhe gjatë natës duke regjistruar një bilanc prej dhjetëra të plagosurish dhe afro 350 të arrestuar. Intensiteti i demonstratave nuk është ulur aspak. Protestuesit kanë vazhduar të hedhin gurë dhe bomba molotov në drejtim të forcave të rendit të cilët kanë përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë turmat. Përveç Athinës përleshjet mes policisë dhe manifestuesve janë rënduar edhe në Selanik Rodi, Kretë dhe Janinë. Sipas shtypit helen, përleshjet kanë qenë më të rënda nga sa parashikohej. Sot në kryeqytetin grek është parashikuar një marshim i dytë në kujtim të adoleshentit Grigoropulos. Familjarët e tij kanë bërë thirrje për qetësi, ndërkohë që qeveria greke ka deklaruar se nuk do të tolerojë aktet e dhunës.