E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Kerni sjell Arrëthyesin në skenën shqiptare

Një nga veprat më popullore të baletit, pjesë e repertorit të teatrove më të njohur në perëndim për Krishtlindje, Arrëthyesi, i romantikut gjenial rus Cajkovskij është në provat e fundit për premierën e tij të parë në Tiranë, në Teatrin e Operas dhe Baletit. Koreografi i njohur Ilir Kerni po e realizon këtë vepër mbështetur mbi libretin e Ernst Theodor Amadeus Hoffman. Historia jo më një ëndërr, tregon për aventurat e heroinës Mari me lodrat e saj dhe me Arrëthyesin mbretin e minjve, me të cilin në fund ajo martohet, një fabul që me kompozimet më të bukura të traditës ruse të baletit si Trepak, vallëzimit dhe valsit të famshëm të luleve, e kthen skenën në një atmosferë festive.
Ilir Kerni, Koreograf
“Është një vepër e madhe dhe kisha një stepje, megjithëse angazhimi i tërë kësaj trupe më ka kënaqur vërtet. Kjo është një vepër e madhe që luhet për festat. Ka një konceptim pak ndryshe nga unë duke i adaptuar trupës një shfaqje për këtë teatër.”
Në këtë balet masiv me dy akte, që do të luhet nga Orkestra Sinfonike e Teatrit të Operas me dirigjent Petrika Afezollin, janë angazhuar solistët, trupa e Baletit, Nxënës të Akademisë së Dansit, të gjithë nën drejtimin e mjeshtrit të koreografisë Ilir Kernit, i cili do të interpretojë edhe vetë në rolin e Magjistarit.
Ilir Kerni, Koreograf
“Ne nuk do vuajmë kurrë për balerinë, pasi jemi një popull që e duam kërcimin dhe do kemi gjithnjë kërcimtarë, ndryshe nga vendet e tjera.”
Bashkë me kostumet për artistët të krijuara nga Eva Bella, premiera e Arrëthyesit që do të shfaqet mbrëmjen e të djelës në Teatrin e Operas, bashkë me pesë shfaqje të tjera të saj në vijim, janë një nga dhuratat artistike të këtij institucioni për festat e fundvitit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›