E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 Dhjetori, urdhri për administratën: Lini punën hajdeni në shesh!

Sipas korrespondentëve tanë në rrethe, administrata do të punojë deri në orën 11.00. Angazhohen edhe nxënësit e shkollave


TIRANË - Partia Demokratike do të përkujtojë sot lëvizjen e 8 Dhjetorit, ditën simbol të shembjes së komunizmit, përmes organizimit të një tubimi, ku janë urdhëruar të marrin pjesë të gjithë punonjësit e administratës, si dhe nxënësit e shkollave në rrethe.


Urdhri ndaj administratës për të gjitha rrethet është braktisja e orarit të punës, me qëllim sigurimin e një pjesëmarrje sa më të madhe në sheshin "Skënderbej", një synim ky i kërkuar më ngulm nga kryeministri i vendit, Sali Berisha, për t'i kujtuar liderit të opozitës Edi Rama, se ai mund të mbledhë më shumë se protesta e 20 Nëntorit. Sipas korrespondentëve tanë në rrethe, orari i autobusëve për tu nisur për Tiranë është ora 11.00 e paradites, kulmi i punës në një ditë të zakonshme për administratën.


Mësohet se shërbimi urban do të jetë falas, ndërkohë që urdhri për administratën është i prerë: të lihet puna me qëllim ndjekjen e aktivitetit të PD-së që sot do të fillojë në orën 16.00 në sheshin "Skënderbej". Kjo është situata që raportohet veçanërisht për qytetin e Shkodrës, ndërkohë që një ndër qytetet që është angazhuar së tepërmi për të siguruar një pjesëmarrje sa më të madhe është edhe Vlora.


Sipas korrespondentes së gazetës "Shekulli", dega e PD-së së Vlorës ka marrë të gjitha masat për të siguruar një pjesëmarrje masive.


Kësaj here, drejtuesit e degës së PD-së së Vlorës, por edhe deputetët e këtij qarku, Ardian Kollozi dhe Astrit Patozi kanë urdhëruar angazhimin edhe të nxënësve. Kështu në disa shkolla private, sot do të bëhet pushim, për t'u zëvendësuar më ditën e shtune.


Ndërkohë që për disa shkolla publike, përfshi edhe shkollën e mesme "Ali Demi", nxënësit do të udhëtojnë drejt kryeqytetit me autobusë, që do të nisen nga "Sheshi i Flamurit". Në disa institucione, puna do të vijojë deri në orën 11:00 dhe pas kësaj ore shërbimet do të ndërpriten, pasi punonjësit do të udhëtojnë drejt Tiranës.


Administrata në disa komuna të këtij qarku do ta ketë pushim. E njëjta situatë vërehet edhe në qarkun e Fierit. "Jemi të detyruar të shkojmë, - kanë thënë disa punonjës të administratës së këtij qarku, pasi rrezikojmë vendin e punës". Ndërkohë, punëtorëve të kompanisë "Albpetrol" u është komunikuar se ata që nuk janë në punë do të shkojnë në Tiranë.


Kjo do të bëhet në mënyrë të organizuar dhe e kontrolluar nga drejtuesit e sektorëve të naftës. Edhe nga qyteti i Tropojës janë vënë tashmë në dispozicion autobusë dhe fugonë falas për të festuar ditën e 8 Dhjetorit në Tiranë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›