E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 Marsi, me protesta dhe memorandum kundër dhunës

Durrës

Protesta dhe memorandum bashkëpunimi në luftën kundër dhunës ndaj grave në ditën e nënave, si një dhuratë për angazhimin institucional dhe shoqëror për të përmirësuar gjendjen e tyre. Memorandumi u nënshkrua në Bashkinë e Durrësit, me pjesëmarrjen e institucioneve lokale të pushtetit dhe policisë e drejtësisë, drejtorisë arsimore, si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, duke marrë përgjegjësi konkrete në këtë drejtim. Ndërkaq, dhjetëra gra e vajza të zonave të margjinalizuara, të periferisë së Durrësit, të organizuara nga Shoqata e Grave me Probleme Sociale kanë protestuar para prefekturës dhe bashkisë së qytetit nën moton: “Gratë kërkojnë drejtësi sociale dhe ekonomike”. çdo ditë, gratë e Spitallës e Porto Romanos, si dhe gra të tjera të periferisë, përballen me indiferentizmin, diskriminimin, mungesën e mbështetjes nga institucionet, të cilat kanë përgjegjësi të plotësojnë interesat e qytetarëve dhe veçanërisht të grupeve në nevojë. Ato ngritën zërin ndaj mungesës së një plan-veprimi dhe strategjie zhvillimi për popullsinë e këtyre zonave, si dhe mungesën e një shkolle të mesme dhe një çerdheje për fëmijët e tyre. 203 familje të këtyre zonave periferike në veri të qytetit po jetojnë në kushte të mjerueshme ekonomiko-sociale, kushte që i mbajnë shumicën e fëmijëve të tyre larg arsimit të mesëm për shkak të shpenzimeve që ka transporti për në qytet. Mungesa e investimeve në zonë dhe hapja e vendeve të punës gjithashtu janë faktorë që ndikojnë ndjeshëm në problemet e tyre dhe mosintegrimin në jetën e qytetit, ndonëse konsiderohen lagje e tij. Niveli i papunësisë është mjaft i lartë dhe prandaj gratë e zonës zgjodhën 8 Marsin, ditën e tyre, për t’i kujtuar pushtetarët se ato duhet të kenë vëmendjen konkrete që nuk ngel në premtime dhe nënshkrime memorandumesh, po shkon përtej tyre.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›