E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 marsi, sherr dhuratash mes grash

Përpihen lulet natyrale, “shitës” ambulantë për karafila, trëndafila enkas për rastin e festës

Për të vetmen ditë në vit, atëherë kur nuk jepet llogari, nuk bëhet asnjë punë, por mendohet vetëm për vete, gratë festojnë si asnjëherë tjetër. Madje askush nuk duhet të diskutojë qoftë edhe një fjalë të tyre, në rast se data është 8 mars...

Ashtu siç ka ndodhur edhe dje, femrat, nënat me fëmijë, pa fëmijë apo edhe vajzat, kanë pushtuar lokalet, restorantet e pastiçeritë. Më të organizuarat kanë qenë ato që bënë udhëtime në fundjavë me rastin e festës së gruas, së nënës, apo së femrës...

Asnjë protestë nuk është zhvilluar dje për të drejtat e grave, asnjë projektvendim për rritjen e pjesëmarrjes së tyre në sektorin publik apo privat nuk u publikua. Por ajo që u pa me 100 për qind, edhe dje, ishte angazhimi i tyre për të nxjerrë nga dollapi kostumin, fustanin më të bukur, shallin më të hollë, si dhe bizhutë më të shndritshme për t’u paraqitur më mirë në aktivitetet, festat e punës, apo drekat e darkat plot gaz e gosti. Jo vetëm sepse dje ishte e hënë, por edhe sepse dje ishte edhe festa e 8 marsit, rrugët e kryeqytetit ishin mbushur plot, trotuaret me këmbësorë e pjesa tjetër me makina në lëvizje, në qëndrim apo në parkim. Shiu që binte litar, si dhe ulja e temperaturave, nuk ua ka prishur planin grave për të vazhduar programin e planifikuar.

Orë të shkurtuara...

Punonjëset e administratës, pak më pak ato të sektorit privat, janë bërë gati për të planifikuar në axhendën e tyre që pas mesditës do të mbylleshin të gjitha angazhimet si në punë, ashtu edhe në familje. Kështu, pas orës 12:00 me tufa lulesh, dhuratash, paketimesh e ëmbëlsirash, janë paraqitur në restorante, në aktivitete, për të udhëtuar në periferi apo jashtë qytetit, vetëm e vetëm për të ndryshuar sadopak ditën. Fotografi, buzëqeshje, gaz e dëfrim për gratë shqiptare. Gosti, kërcime, edhe mes tyre, por edhe mirëkuptim e ndihmë edhe nga ana e kolegëve, bashkëshortëve apo fëmijëve. Pakkush ka guxuar të shkojë në shtëpi, sikur edhe me një lule të vetme në dorë, me urimin “Gëzuar 8 Marsin”. Ata fëmijë apo bashkëshortë që nuk kanë denjuar të bëjnë një dhuratë apo të angazhohen më pak se ditët e tjera të zakonshme, e kanë pasur të vështirë për të përmbajtur qortimet e grave në ditën kur menyja e drekës apo e darkës ka qenë si në rast feste. Por në fakt, nga viti në vit, burrat në mënyrë të veçantë janë ndërgjegjësuar edhe më shumë lidhur me festën, duke i kryer detyrimet e duke respektuar ritualet e dhuratave, “zakon” i paharruar mes grave.

Shumë meshkuj janë parë në mënyrë të veçantë, në dyqanet e luleve, me buqeta apo vazo të veçanta, kjo sipas buxhetit personal të gjithsecilit.

Lulet

Të paktën, për një ditë nuk është ndjerë kriza ekonomike në dyqanet e tregtimit të luleve natyrale. Më shumë se asnjë ditë tjetër, festa e 8 Marsit ka boshatisur jo vetëm dyqanet e luleve, por edhe shitësit “ambulantë” të tyre, të cilët dje mund t’i gjeje në çdo kryqëzim në zonën e qendrës. Nuk kanë munguar ëmbëlsirat apo edhe mendimet e tjera materiale për dyqanet e tjera.

Rroba, bizhu, lule, ëmbëlsira, produkte bukurie, por edhe suveniret e pasuara nga aksesorët që duhen për të zbukuruar shtëpinë, qelqurina e komplete pjatash, lugësh, filxhanësh, kanë qenë ndër dhuratat më të shpeshta që gratë kanë bërë mes tyre.

Por kurrsesi, asnjëra nga këto nuk do të zëvendësojë dot numrin e buqetave dhe luleve të blera e të dhuruara dje në ditën e gruas, festën e nënës, 8 Mars.

Edhe pse jo në të gjitha rastet gratë kanë marrë dhurata, apo shpërblime, kjo edhe si pasojë e vështirësive ekonomike dhe krizës, të paktën këtë 8 mars gratë kryeqytetase do të vendosin në albumin e tyre edhe një kujtim tjetër nga viti 2010.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›