E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Politika fut drejtësinë në ngërç

Kryetari i KLD-së: Disa ligje të rëndësishme po qëndrojnë në pritje

Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë i bën apel politikës dhe legjislativit të shkojë përtej debatit të ditës e të shohë më larg, për të votuar disa ligje të rëndësishme që e kanë futur drejtësinë në ngërç. Në mbledhjen e djeshme të KLD-së, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka folur për herë të parë pas tryezës së dialogut midis pozitës dhe opozitës, ndërsa ka deklaruar se duhet një vullnet nga të dyja palët për reformën në drejtësi, e cila është “çelësi” i liberalizimit të vizave. Në fjalën e tij hapëse, Presidenti uroi të gjitha gratë për festën, ndërsa parashtroi idenë për një numër të madh të grave në administratë, pasi në sistemin gjyqësor, shifra është 40 për qind me tendencë në rritje. Më tej foli edhe për lëvizjet në gjyqësor, teksa u ndal te dekreti i shtatorit të vitit të kaluar për numrin e përgjithshëm të gjyqtarëve.

“është një moment vërtet shumë i rëndësishëm për të bërë jo vetëm ndryshimet, por edhe për të bërë ndryshimet në sensin cilësor sa më të mirë të mundshëm”, u shpreh kryetari i KLD-së. Më tej, në cilësinë e kryetarit të KLD-së dhe Presidentit, bëri një koment për reformën në drejtësi, pa u futur në debatin politik të ditës. “është diskutuar për çështjet e Konferencës Gjyqësore, është diskutuar për çështjet e Gjykatës Administrative, është diskutuar vazhdimisht edhe për nevojën e profilizimit të Gjykatës së të Miturve, është diskutuar për funksionalitetin mbi bazat e ligjshmërisë të KLD-së. Në disa raste janë konsideruar jo paraliza, por pareza në punën e këtij Këshilli. Unë do të bëja një apel, për t’i bërë thirrje politikës, duke i bërë thirrje legjislativit që të shkojë përtej debatit të ditës. Të shohë më larg, sepse integrimi i vendit, procesi i shumëdëshiruar i lëvizjes së lirë të njerëzve është i varur në mënyrë të veçantë nga reformat dhe sidomos reformat në fushën e drejtësisë”, deklaroi Presidenti. Më tej, ai shtoi se trajtimi mekanik sa i përket numrave është i pakuptueshëm për ata që e supervizojnë procesin e integrimit në Shqipëri. “Ne vazhdimisht jemi të orientuar për të përmendur numrin e nevojshëm 84, që mund të quhet numri magjik i disa ligjeve shumë të rëndësishme që realizohen në Parlament, por kjo kërkon patjetër një vullnet”, tha Topi. Ai shtoi se Shqipëria është në një fazë të rëndësishme për liberalizimin e vizave, por sistemi i drejtësisë mbetet në një moment ngecjeje përderisa disa ligje shumë të rëndësishme i kanë imponuar këtij sistemi që të qëndrojë në pritje. Më tej, ai tha se respekton nevojën që Parlamenti të bëjë zgjedhje në praninë e të gjithë anëtarëve të vet. “Disa procedura, të cilat duhet t’i kisha realizuar prej kohësh, i kam mbajtur, nuk i kam paraqitur, por ju siguroj që Institucioni i Presidentit të Republikës nuk mund të mbesë dipendent i vullneteve politike për çështje të caktuara. Duhet patjetër një lloj bashkëpunimi për të dalë nga kjo situatë, ku disa struktura të sistemi të drejtësisë patjetër që kanë ngelur kështu”, tha kryetari i KLD-së, duke shtuar se ngërçi ka lënë pezull me mijëra interesa njerëzish dhe shqetësime të biznesit. Në fund kërkoi që pagat e gjyqtarëve duhet të rriten.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›