Integrimi, caktohen 56 përkthyes për pyetësorin
Një grup prej 58 vetësh do të bëjë përkthimin e pyetësorit të KE-së që pritet t’i vijë Shqipërisë si test për anëtarësimin e plotë në BE. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, zhvilloi dje në ambientet e kësaj ministrie takimin e parë me grupin e përkthyesve të përzgjedhur për përkthimin e rreth 15 mijë faqeve të pyetësorit të Komisionit Evropian që pritet të mbërrijë së shpejti në tryezat e punës së administratës shqiptare. Znj. Bregu pohoi se grupi prej 58 përkthyesish përbëhet nga njerëz me përvojë, pedagogë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, ekspertë të fushës që gjatë gjithë karrierës së tyre janë marrë me përkthim në Shqipëri ose Kosovë, pranë UNMIK-ut. “Ju uroj mirëseardhjen të gjithëve ju që do të jeni pjesë e grupit të madh të punës që do të përfshihet në një nga sfidat më të mëdha tonat, ajo e kompletimit të instrumentit zyrtar të Komisionit Evropian për dhënien e përgjigjeve të pyetjeve të pyetësorit. Nuk kam dyshim se përkthimi i dokumentit zyrtar shqiptar që do të dorëzohet në Bruksel, është një punë voluminoze, por cilësia dhe respektimi i kohës, shpejtësia do të jenë dy elementët kryesorë që do të karakterizojnë punën tuaj”, - tha ministrja që informoi se brenda kësaj jave do të jetë gati portali që do të ndihmojë identifikimin e përkthyesve në bazë të preferencave të përkthimit, njohurive, fushave apo institucioneve përkatëse që janë të përfshira në proces. Ministrja prezantoi gjithashtu edhe një manual përkthimi për legjislacionin shqiptar në anglisht, glosarin e MSA-së, i cili ka 1300 termat kryesorë të përdorshëm edhe në Acquis dhe fjalorthin për integrimin evropian, institucionet dhe politikat e BE-së, materiale këto që do t’u vijnë në ndihmë përkthyesve gjatë punës së tyre. Duke u nisur edhe nga përvoja kroate, e sjellë në Shqipëri nëpërmjet grupit të ekspertëve të kryesuar nga kryenegociatori kroat Vladimir Drobnjak, ministrja vuri në dukje se përkthimi dhe rrjedhshmëria e gjuhës së përgjigjeve të pyetësorit janë elementë që ndikojnë jashtëzakonisht në vlerësimin e përgjigjeve nga Komisioni Evropian.