E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Rinisë, Berisha fillon fushatën

Në Ditën Kombëtare të Rinisë, Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar votën për një mandat të dytë qeverisës

TIRANË- 6 muaj para mbajtjes se zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, Berisha zgjodhi 8 dhjetorin për të nisur fushatën e demokratëve me stilin e fushatës presidenciale të zgjedhjeve në SHBA. Të rinjtë e PD-së, me pankarta në duar, dhe thirrjet “Shqipëria po ndryshon”, ishin shenja e nisjes së fushatës pas muajve të prerjes së shiritave anembanë vendit. “Me vite nuk jam moshatar i juaj. Ju keni fatin e madh të jeni moshatarë me lirinë, ndërsa unë mbi katër dekada kam humbur në diktaturë. Por, unë sërish jam fatbardhë dhe i lumtur, sepse jam dhe do mbetem për jetë bashkëmoshatar i juaj në idealet e lirisë, në qëllimet, në aspiratat, në ëndrrat, në projektet për vendin tim, që 18 vjet më parë dot’i pagëzonim të gjitha së bashku “Shqipëria si Evropa!”,- tha dje Berisha në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, ku me rastin e “Ditës Kombëtare të Rinisë”, që simbolizon ngritjen e lëvizjes studentore kundër regjimit komunist, u organizua një koncert show me këngëtarët më të mirë në vend. Gjatë fjalës së mbajtur, Kryeministri Berisha përkujtoi sërish figurën e Azem Hajdarit, tek memoriali i të cilit, më pas ai vendosi edhe kurora me lule. “Në 8 Dhjetor të vitit ‘90, studentët e Universitetit të Tiranës, me në krye heroin e tyre të pavdekshëm, Azem Hajdari, në një betejë që do mbetet legjendë e vërtetë e trimërisë dhe guximit njerëzor, u përballën në rrugët dhe sheshet e Tiranës me diktaturën më të egër, më barbare të Evropës, e gjunjëzuan atë dhe me vrullin e shpirtit të tyre, shkallmuen dhe hapën me shpejtësi të rrufeshme për shqiptarët dyert e mbyllura të lirisë, sollën ndryshimin e madh, big bengun shqiptar, përmbysën një epokë, ndanë historinë”,- tha Berisha. Pas 18 vjetësh lëvizje të parë, kreu i ekzekutivit kujton se, “ne jemi ata që lirinë e sapolindur në dhjetorin e viteve ’90 e rritëm dhe e bëmë vajzë të bukur 18-vjeçare. Ne do ta bëjmë atë nuse, Shqipërinë zonjë në Evropë. Ne po e bëjmë atë”!. Duke përmendur arritjet e qeverisjes së tij, Kryeministri Berisha ka kërkuar votën e rinisë shqiptare për një mandat të dytë qeverisës. “Me ju në Bruksel firmosa marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit me Bashkimin Evropian, kontratën historike të ëndrrës suaj “Shqipëria si Evropa”. Me ju së bashku do të firmosim për lëvizjen tonë të lirë, por dhe për realizimin e plotë të ëndrrës sonë evropiane. Me ju në Bukuresht morëm ftesën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, të shndërrimit në realitet të ëndrrës suaj të bukur atlantiste. Me ju së bashku Shqipërinë do ta bëjmë anëtare të aleancës më të madhe të lirisë që kohërat kanë njohur. Me ju ne ecim të sigurt drejt një mandati të dytë, mandati për rininë e vendit tim, për shndërrimin e plotë të ëndrrave të saj në realitet. Ne do ta fitojmë atë”!,- tha Berisha.

Kryeministri: “Të brohorasim edhe një herë për Presidentin Ramiz Alia”

Berisha në ’90-n: Alia shpëtimtari i demokracisë

TIRANË- Në 18 vite pluralizëm politik, lideri i së djathtës shqiptare, Kryeministri aktual i vendit, Sali Berisha, ka treguar shpesh herë luhatje të mëdha në qëndrimet dhe vlerësimet e tij politike. Kështu, Berisha, ndërsa dje, në përvjetorin e protestave të mëdha të lëvizjeve studentore, gjatë një fjale që zgjati më shumë se 30 minuta, e ka konsideruar si fitore historike triumfin e demokracisë mbi diktaturën, 18 vite me parë, në ditën e themelimit të Partisë Demokratike, pra më 11 dhjetor 1990, pikërisht për këtë triumf, ai u ka qenë mirënjohës pikërisht atyre që e drejtonin këtë diktaturë. Në një material audio të regjistruar në mitingun e 11 dhjetorit 1990, të mbajtur në Qytetin Studenti, (dhe të bërë publik dje nga emisioni “Fiks Fare”), përpara mijëra studentëve dhe qytetarëve tiranas, Berisha, ndërsa ka përshëndetur turmën, ka shprehur falënderime për rolin që kishte luajtur në atë lëvizje Presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia. Siç edhe dëgjohet nga regjistrimet, kjo mirënjohje ka sjellë dhe irritimin e turmës, e cila ka filluar ta fishkëllejë në shenjë kundërshtimi. “Dua të përshëndes në radhë të parë Presidentin e Republikës, shokun Ramiz Alia, i cili me atë mençuri dhe guxim që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë sonë në betejat çlirimtare, udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja të demokratizimit të Shqipërisë. Si një mik që dëshmoi dhe shpresoj të mbetem i Partisë Demokratike, dua t’i uroj asaj suksese gjithnjë e më të mëdha në punën e saj. Ju ftoj, gjithashtu, që të brohorasim edhe një herë për Presidentin Ramiz Alia, duke shpresuar se do të krijojë të gjitha kushtet dhe mundësitë për arritjen e plotë të demokracisë në vendin tonë”, - shprehej Berisha në fjalën e vet të mbajtur në atë takim me studentët. Vlen të përmendet fakti se qëndrimi i Berishës ndaj Alisë nuk ka qenë një fragment i shkëputur i asaj kohe, pasi jo shumë muaj më pas ai do ta përfshinte atë dhe në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike.

Ish-dhjetoristët kujtojnë lëvizjen në Shkodër

SHKODËR- 18 vjet pas lëvizjes studentore, ish-dhjetoristët kanë preferuar ta kujtojnë këtë lëvizje pa praninë e politikanëve në pushtet dhe larg kryeqytetit. Dje, ata kanë zgjedhur Shkodrën, për të filluar aktivitetin e tyre me vendosjen e luleve pranë memorialit të “Dy Prillit”.Katër Dëshmorët e Demokracisë, të vrarë më 2 prill 1991, në qytetin e Shkodrës, janë përkujtuar dje me një ceremoni të veçantë nga vetë ish-dhjetoristët. Pas homazheve tek memoriali kushtuar Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Besnik Cekës dhe Nazmi Kryeziut, rreth 50 ish-dhjetoristë ndër ta Afrim Krasniqi, Edmond Bushati, Beslim Ahmetaj, Nesti Kiri, Arben Ibro, Myftar Gjana, etj., kanë zhvilluar një tjetër aktivitet në përkujtim të kryengritjes së armatosur të 9 shtatorit të vitit 1946 në Postribë, e cila është cilësuar si e para kryengritje antikomuniste në të gjithë vendet e Evropës Lindore. Kryengritja e Postribës kujtohet në Shkodër si një nga ngjarjet më të dhimbshme, pasi regjimi komunist, gjatë përleshjes, vrau 21 burra, si dhe pushkatoi më pas pa gjyq 19 të tjerë. Ndërsa 13 persona u dënuan me burg të përjetshëm, 123 të tjerë u dënuan me vite të ndryshme burgimi, si dhe u dogjën 18 shtëpi. Qëllimi i kryengritjes ishte të sulmonin pikat kryesore të pushtetit lokal të asaj kohe në Shkodër dhe më pas të rrisnin pjesëmarrjen për të marshuar drejt Tiranës, deri në çlirimin e plotë të vendit nga forcat komuniste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›