Gëzuar ditëlindjen "Mrikë"!
Koncerti festiv i mbajtur në teatrin “Migjeni” në Shkodër ka qenë dhe aktiviteti përmbyllës i javës kushtuar 50-vjetorit të operës së parë shqiptare “Mrika”. Në një atmosferë festive, me një publik të zgjedhur, ku nuk mungonin as politikanë, si kryeparlamentarja Topalli dhe pushtetarët vendorë, në prani dhe të atyre të cilët kanë qenë pjesëmarrës në shfaqjen e operës së parë, orkestra filarmonike e qytetit, kori “Prenk Jakova”, solistët dhe prezantuesit Rikard Ljarja e Zerina Kuke, dhuruan emocione të shumta. Ekzekutimi i arieve si “Dielli ka perëndue” nga akti i parë, dueti Mrika-Doda nga akti i dytë, etj, solli në skenë tingujt e Prenk Jakovës dhe veprës së tij, ndërsa është duartrokitur interpretimi i sopranove Emiljana Palushaj (Mrika), Mimoza Rakaj (Mara), Ramë Lahaj (Doda) etj. Në program janë përfshirë dhe ekzekutimi i një pjesë të kompozitorit Gjon Kapedani me motive nga opera “Mrika”, rapsodia e gjyshit Ndue, po nga kjo operë e Gjon Simonit, e interpretuar nga orkestra e harqeve nën drejtimin e Ibrahim Madhit, “Aria e Lekë Dukagjinit” nga opera tjetër e kompozitorit Prenk Jakova, ajo “Skenderbeu”, si dhe disa arie nga vepra klasike të Verdit, Puçinit e Maskanjit, kompozitorëve të preferuar të Jakovës. Dhe në mbyllje, urimi për ditëlindjen e 50-të të operës së parë shqiptare, “Happy birthday”, si dhe “Marshi i fizkulturistëve” i Jakovës. Orkestra e dikurshme e Filarmonisë së Shkodrës, në të cilën ishin të pranishëm dhe mjaft instrumentistë që prej vitesh jetojnë në Tiranë, ishte ajo që ekzekutoi gjithçka në këtë koncert, nën drejtimin e dirigjentit Desar Sulejmani. Gjatë gjithë javës, në kujtim të 50-vjetorit të shfaqjes për herë të parë në skenën e teatrit “Migjeni” të së parës operë shqiptare, janë zhvilluar koncerte me këngëtarë lirikë e artistë të njohur, edicioni i 8-të i konkursit artistik “Pjetër Gaci”, i cili u fitua nga tenori nga Kosova, Ramë Lahaj etj. Opera “Mrika” u shfaq për herë të parë në Shkodër më 1 dhjetor 1958 me pjesëmarrjen e artistëve shkodranë, ndërsa një vit më pas, më 1959- n, u vu në skenë nga Teatri i Operas dhe Baletit në Tiranë, i cili e rivuri në skenë dhe në vitet 1966, 1973 dhe 1989.