E Diel, 1 Nëntor 2026

8 dhjetori, krerët e PD-së “zbarkojnë” në rrethe për të mbledhur elektorat



Eljona Ballhysa
Krerët e Partisë Demokratike kanë “zbarkuar” në rrethe të ndryshme të vendit për të ftuar anëtarët e PD-së për mitingun madhështor që kjo parti do të organizojë më 8 dhjetor për të kujtuar Lëvizjen e studentëve, që shënoi rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Burimet nga selia blu bënë të ditur për gazetën se gjatë fundjavës dhe në ditët në vazhdim qëllimi i takimeve të krerëve të partisë me strukturat drejtuese të degëve të PD-së në rrethe të ndryshme të vendit ka si synim masivizimin e festës së 8 dhjetorit. Qëllimi i demokratëve është që të arrijnë të mbushin sheshin “Skënderbej” në Tiranë si dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga mëngjesi i datës 8 deri në mbrëmje vonë. Burimet bëjnë të ditur se demokratët synojnë ta kthejnë 8 dhjetorin në një ditë feste që i kalon kufijtë e një feste vetëm për kryeqytetasit, por të kthehet në një ditë feste për të gjithë shqiptarët, në mënyrë që kjo datë të mbetet në kujtesën e të gjithëve si festa e Partisë Demokratike. Lidershipi i PD-së, përveç nëpunësve të administratës shtetërore, të cilët do të jenë të parët dhe në vijën e parë të mitingut në shesh, po mobilizojnë të gjitha strukturat në rrethe për sa më shumë njerëz në këtë datë, në mënyrë që mitingu i PD-së të jetë më gjigant sesa ai i socialistëve.
Takimet
Gjatë ditëve të fundit, anëtarët e Kryesisë Qendrore, nënkryetarët dhe sekretarët e partisë, bashkë me kryetarin, kanë zhvilluar një sërë takimesh me strukturat drejtuesve të degëve të PD-së në rrethe të ndryshme të vendit. Në fjalimet e tyre, përveç akuzave drejtuar kreut të PD-së, u bëhet thirrje qytetarëve që të vijnë në Tiranë më 8 dhjetor për të festuar atë që Berisha e quan ditën e demokracisë. “Do festojmë më 8 dhjetor 19-vjetorin e rrëzimit të ‘Murit të Berlinit’ në Shqipëri, në Tiranë. Është një përvjetor në të cilin ne e rrëzuam Kristaq Ramën, e rrëzuam Xhelil Gjonin, e rrëzuam edhe Sulejman Bushatin”, - është shprehur dje nga takimi me demokratët e Malësisë së Madhe nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli. Ndërsa kryetari i PD-së, Sali Berisha, bëri thirrje dje nga Lezha për të festuar 8 dhjetorin. Madje Berisha, edhe gjatë urimit për Ditën e Pavarësisë, nuk harroi të përmendte 8 dhjetorin. “8 dhjetori ishte dita tjetër e madhe e lirisë, e cila bëri të mundur që ne të rifitojmë lirinë, dinjitetin, dita që shembi ‘Murin e Berlinit’ në Tiranë, dita që hapi dyert e një marshimi fitimtar të shqiptarëve drejt NATO-s, drejt BE-së, drejt një të ardhmeje të shkëlqyer”, - u shpreh kryeministri Berisha.
Thirrje për të marrë pjesë në mitingun e PD-së kanë bërë gjatë këtyre ditëve eksponentë të shumtë të PD-së, si Bode, i cili ka zhvilluar takime me demokratët e Korçës dhe të Pogradecit; Pollo në një takim me demokratët e Beratit; Patozi në një takim me demokratët e Kavajës dhe deputetë të tjerë të PD-së.
Antimitingu
Megjithëse kryeministri Berisha e ka hedhur poshtë cilësimin antimiting atë të datës 8 dhjetor, shumë mendojnë se i tillë do të jetë. Kjo për faktin se mbajtja e mitingut të datës 8 dhjetor u njoftua nga kreu i PD-së vetëm një ditë pas protestës treditore që organizoi PS-ja në kryeqytet përpara selisë së Kryeministrisë. Protesta e PS-së u komentua gjatë për masivizimin e saj. Madje burimet bënë të ditur se as vetë drejtuesit e Partisë Socialiste nuk prisnin që kjo protestë të ishte kaq e madhe. Pikërisht fakti që Berisha e njoftoi mbajtjen e mitingut të PD-së një ditë pas protestës së PS-së nxiti cilësimin e tij si antimiting. Një tjetër arsye është edhe fakti që përpara datës 8 pritet që socialistët të zhvillojnë një tjetër protestë, po aq masive se e para. Këtë e kanë njoftuar drejtues të kësaj partie, pasi përfundon afati 10-ditor që këta kishin vënë për të përmbushur kërkesat e tyre nga qeveria. Burimet theksojnë se qëllimi i Berishës për të bërë miting është që t’i kthejë përgjigje Ramës në të njëjtën monedhë; duke matur forcat dhe mbështetjen me njerëz në shesh.

1 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›