E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sabri Godo bën thirrje për dialog mes partive për zgjidhjen e krizës



Konstitucionialisti Sabri Godo ka deklaruar dje se është e nevojshme që dy forcat e mëdha politike të dialogojnë për t’i dhënë fund bojkotit. Godo shprehet se nga njëra anë kryeministri Berisha ka të gjithë të drejtën kur thotë se në rast të djegies së mandateve nga ana e të mandatuarve socialistë, ata do të zëvendësohen me emrat e tjerë të listës. Por Godo thekson se nuk duhet kurrsesi të arrihet deri në këtë pikë. Ai e cilëson të domosdoshme gjetjen e rrugëzgjidhjes duke sugjeruar si rrugën e vetme atë të dialogut mes palëve. “Përsa i përket betimit, atje nuk është vënë një afat se brenda sa kohe duhet bërë betimi, sepse supozohet që në seancën e parë të hapjes së Parlamentit, mbasi ke marrë mandatin, duhet të shkosh në Parlament dhe të bësh betimin. Këtu kemi gjëra anormale. Ai nuk ka shkuar të bëjë betimin. Për sa kohë do t’i lejohet kjo?! Këtu jemi te pika e dytë që thotë se humbet mandatin në qoftë se nuk paraqitesh pa arsye për 6 muaj. Do të quhet i djegur mandati i këtyre deputetëve dhe do të bëhet rekrutimi i klasës së dytë, i atyre që vijnë fill pas tyre dhe Kushtetuta këtë presupozon. Por them se Kushtetuta, në shpirtin e saj, në filozofinë e saj, e shkruan këtë ose e hap këtë shteg kur bëhet fjalë për një individ dhe nuk merret dot me mend që kjo do të shtrihej në gjysmën e Parlamentit”, - thotë Godo. Sipas Presidentit të Nderit të Asamblesë Parlamentare të Partisë Republikane, situata e krijuar nga vendimi politik i Partisë Socialiste është anormal dhe del përtej logjikës politike. Ai thotë se nuk mund të ketë vendim partiak për të mos u futur në Kuvend pasi mandati i deputetit nuk i takon partisë, por zgjedhësve. Godo kritikon gjuhën e përdorur nga kryeministri Berisha, por thotë se kjo ishte një kundër-reagim i akuzave të vazhdueshme që vetë Rama ka hedhur kundrejt familjes se kryeministrit. “Duhet që Berisha të moderojë mënyrën e tij të të folurit si kryeministër në Parlament dhe të heqë dorë nga ataket personale, megjithëse atë vetë dhe familjen e tij e kanë rënduar me të vërtetë me të tepërt, por ja që i takon atij të durojë për të mirën e këtij vendi”, - është shprehur Godo.

1 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›