E Diel, 1 Nëntor 2026

8 maji, Rama zbardh sot vendimin mbi rikandidimin

21/03/2011  Takime me zyrtarë të lartë dhe deputetët të PS-së

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, pritet të bëjë publik sot vendimin lidhur me rikandidimin apo jo të tij për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Nisur nga deklarata e bërë publike prej vetë kryetarit të socialistëve, dita e sotme do të jetë ajo e cila do të sqarojë në mënyrë përfundimtare lidhur me një zhvillim të tillë në skenën politike. Kështu, gjatë mesditës së sotme është thirrur në një mbledhje të posaçme grupi kuvendor socialist, i cili mendohet të jetë dhe takimi në të cilin të zyrtarizohet vendimi për konkurrimin ose jo të kreut socialist për një tjetër mandat në krye të qeverisjes vendore për Tiranën. Burime pranë selisë rozë bënë me dije se tashmë kupola rozë ka diskutuar dhe ka konkluduar në faktin se në krye të kësaj gare duhet të jetë vetë kreu i PS-së, Edi Rama. Megjithatë, do të jetë dita e sotme ajo që tu japë fund të gjitha pikëpyetjeve mbi këtë çështje. Gjithashtu mësohet se në mëngjesin e kësaj të hëne, kryetari Rama do të zhvillojë një takim me eksponentët e lartë të PS-së, ku do të mbyllë paraprakisht vendimin mbi kandidaturën që do të përfaqësojë këtë parti në garën elektorale për kreun e Bashkisë së Tiranës, ku nga kampi i djathtë, ashtu si kundër është zyrtarizuar, është emri i ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, ai i cili po pret në duel konkurrentin kundërshtar. Ndërkohë që gjatë këtyre ditëve janë zhvilluar mbledhjet e asambleve socialiste në rrethe, për të përzgjedhur kandidaturat që do të kandidojnë në zgjedhjet lokale të 8 majit. Data 19 mars ishte afati i fundit për një proces të tillë dhe pritet që ti delegohet kryesisë së Partisë Socialiste për miratim lista e konkurrentëve. Nga ana tjetër, lidershipi socialist ka zhvilluar takime të veçanta me aleatët e Partisë Socialiste, ku ka nënshkruar me ta marrëveshje paraprake në funksion të zgjedhjeve lokale. Megjithatë, nuk dihet ende nëse do të ketë një mbledhje të përbashkët të të gjitha partive që do të jenë në një koalicion parazgjedhor me PS-në.

Rama preferoi të hënën si ditë për të dhënë “lajmin”

“Ditën e hënë do kemi përgjigjen e qartë, të plotë dhe të shtjelluar lidhur me kandidimin tim në krye të Bashkisë së Tiranës”. Kështu u shpreh pak ditë më parë kreu i socialistëve, Edi Rama, lidhur me kandidimin e tij në garën për një tjetër mandat në drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Në vlerësimin e lidershipit socialist, zgjedhjet lokale të 8 majit vetëm emërtimin do të kenë të tillë, pasi përpjekjet dhe lufta për fitoren e tyre do të jetë e njëllojtë me zgjedhjet e përgjithshme. Për këtë arsye, në komunikimin e tij me mediat Rama rishprehu qëndrimin e partisë që ai drejton. “Zgjedhjet e 8 majit për sa na takon do të jenë një demonstratë e madhe e mbarë popullit opozitar, e çdo qytetari që kërkon ti çojë mesazhin e tij me votë Saliut. Ndërkohë, ky popull opozitar do të jetë i gatshëm të përballet, ashtu siç thonë hebrenjtë, sy për sy e dhëmb për dhëmb me çdo lloj trupe dhe me çdo lloj forme të organizuar për të cenuar vullnetin e popullit të shprehur me votë”, vuri në dukje Rama lidhur me një çështje të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›