E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy milionë lekë diploma, pa qenë në klasë

21/03/2011  Mësuesi i “Kostandin Kristoforidhit” e sekseri në pranga nga Antikorrupsioni i policisë

Përpilonin e regjistronin dokumente për persona që nuk ishin regjistruar në shkollë

TIRANË- Një profesor dhe sekseri i tij kanë rënë në pranga dje nga Seksioni Kundër Korrupsionit në policinë e Tiranës, pasi u kishin shpërndarë diploma të shkollës së mesme personave që kurrë në jetën e tyre nuk i kishin parë bankat me sy. Kështu, nga burimet policore mësohet se u krye arrestimi në flagrancë i shtetasve Bashkim Canaj, 57 vjeç, banues në Tiranë, me profesion arsimtar në shkollën e mesme të përgjithshme “Kostandin Kristoforidhi” në Tiranë dhe Petrit Asllani, 49 vjeç, banues në Tiranë. Kapja dhe më pas arrestimi i tyre u krye pas shtrirjes së një hetimi të gjerë, duke aplikuar të gjitha metodat speciale të hetimit, në ngarkim të tyre, me synim zbardhjen dhe dokumentimit tërësisht të veprimeve të tyre korruptive. Gjithashtu nga të njëjtat burime të policisë mësohet se arrestimi i shtetasve të lartpërmendur, u krye sepse në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë përpiluar duke regjistruar dhe më pas lëshuar dokumente shkollore, shtetasve të ndryshëm, të cilët nga hetimi i kryer rezultojnë se, nuk kanë qenë të regjistruar kurrë më parë, si nxënës apo studentë të arsimit të mesëm dhe të përgjithshëm në Tiranë (kryesisht në shkollën e mesme të përgjithshme “Kostandin Kristoforidhi” dhe shkollave të arsimit të mesëm në zonat rurale në Tiranë etj). Dyshohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për marrjen dhe vendosjen nën dispozicion të një diplome të arsimit të mesëm e kryenin kundrejt pagesave prej 200 mijë lekësh, për një dëftesë pjekurie. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme, për konsumim të veprës penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Momentalisht nga seksioni i Antikorrupsionit në policinë e Tiranës janë duke u kryer disa verifikime në gjimnaze të tjera të kryeqytetit, me qëllim për të zbuluar raste të tilla të ngjashme mashtrimesh me diplomat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›