E Diel, 1 Nëntor 2026

Orteku në Qafë të Malit izolon Kukësin

Stuhia e borës mbyll rrugët edhe në Shkodër, Pukë, Malësi të Madhe, Dibër, Bulqizë dhe Korçë

Rikthehet dimri, stuhi dëbore në juglindje dhe veri të vendit. Për pasojë komunat e thella malore dhe akset nacionale në Kukës, Dibër, Shkodër dhe Korçë kanë qenë të bllokuara nga akulli dhe bora.

Kukës

Përkeqësimi i motit ka shkaktuar rrëzimin e një orteku në Qafën e Malit. Për pasojë dhjetëra automjete kanë mbetur të izoluara për një kohë të gjatë në rrugë. Burime të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve të Kukësit bëjnë të ditur se në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur një numër mjetesh borëpastruese, por deri në orët e vona të pasdites nuk është bërë qarkullimi i automjeteve. “Jemi bllokuar te klubi në afërsi të Ujit të Ftohtë, nuk e dimë sa i madh është orteku, por mesa duket nuk ka shkaktuar dëme. Këtu jemi rreth 30-40 mjete në drejtim të Kukësit, dëbora shkon deri në 50 centimetra dhe do ta kemi vështirë edhe të kthehemi mbrapa”, tha në telefon një drejtues furgoni. Mësohet se disa rrugë rurale janë bllokuar totalisht. Aksi Kukës-Shishtavec është mbajtur në funksionim deri në orën 16:00, ndërsa më pas është ndërprerë qarkullimi. Njoftohet e bllokuar edhe rruga Kukës-Bishtricë-Peshkopi. Burime të policisë tregojnë se në orët e pasdites, policia ka kthyer mbrapsht gjashtë furgonë pasagjerësh pasi do të përbënte rrezik kalimi në Bushtricë.

Dibër

Stuhitë e borës kanë krijuar probleme serioze në akset nacionale të Qarkut të Dibrës. Segmentet më problematike mbeten ata në vendet e quajtura “Qafa e Qenokut”, “Dishesa e Maranicës”, “Pishat” dhe “Qafa e Buallit” në Bulqizë, ku kalimi pa zinxhirë ka qenë i pamundur për mjetet. Ndërkaq në fshatrat e komunave Trebisht, Zerqan dhe Martanesh, trashësia e borës shkon nga 50 deri në 80 centimetër, gjë që ka bllokuar shumë fshatra të këtyre komunave. Për mbajtjen hapur të rrugëve rurale, pothuajse nuk punohet fare, pasi edhe pse jo zyrtarisht, merret vesh se mungojnë mjetet dhe fondet për zhbllokimin e tyre.

Korçë

Reshjet e borës kanë rënduar sërish situatën në juglindje të vendit. Aksi nacional Pogradec–Qafë-Thanë ka qenë i kalueshëm vetëm më zinxhirë, ndërsa akset rurale kanë paraqitur vështirësi në kalim, për shkak të trashësisë së madhe të borës. Sipas të dhënave nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve, me probleme ka qenë edhe aksi nacional Korçë-Kapshticë për shkak të segmenteve me ngrica. Ulja e temperaturave dhe reshjet e borës kanë vështirësuar lëvizjen e mjeteve në segmentin Plasë-Cangonj për shkak të ngricave që kanë rrezikuar shkarjen e mjeteve. Të kalueshme me zinxhirë kanë qenë akset që lidhin Korçën me Dardhën, Lekasin, Vithkuqin dhe Voskopojën, ndërkohë që Moglica vazhdon të jetë e izoluar për shkak të shembjes së urës lidhëse dhe nga trashësia e dëborës që ka kaluar 50 centimetra.

Shkodër

Në 24 orët e fundit, reshje të dendura bore kanë rënë në zonat e thella malore të Qarkut të Shkodrës dhe për pasojë fshatrat e Dukagjinit, Komunat e Pukës dhe në zonën e Vermoshit në Malësi të Madhe kanë qenë të bllokuara nga dëbora. Raportohet se kalimi për në Vermosh është i pamundur. Në të njëjtën kohë është i bllokuar dhe aksi nacional që lidh Dukagjinin me Malësinë e Madhe, në vendin e quajtur Qafa e Thores.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›