8 milionë euro, dihet firma fituese e tenderit të aparaturave të QSUT
Shumë firma po ndiqnin me interes jo të vogël shpalljen e tenderit për pajisjet e fazës së parë në QSUT “Nënë Tereza”, financuar nga qeveria shqiptare. Para disa kohësh nga firma Top Consult, e cila ka kontratë vetëm të bëjë specifikimet teknike, erdhën disa të ashtuquajtura specifikime teknike për t`u aprovuar nga përdoruesi final. Sipas burimeve që nuk duan të ekspozohen, nuk u bë asnjë mbledhje dhe asnjë aprovim për këto specifikime, të cilat u quajtën të rregullta.
Tenderi ishte ndarë në katër lote. Këto dokumente, pasi ndenjën rreth 1 muaj në sirtarë zyrash pa u diskutuar asnjëherë, u quajtën të aprovuara nga njësia koordinuese e projektit.
Por çudia ndodhi para 2 muajsh. Juristët e QSUT përgatitën një pjesë të dokumenteve juridike, por pa cenuar asnjë nga kushtet e vëna nga firma Top Consult, p.sh., firma duhej të kishte jo më pak se 29 inxhinierë të specializuar në fushën biomedikale, ndërsa për firmën shqiptare që do të bëjë mirëmbajtjen, nuk ka asnjë kërkesë.
Një çudi tjetër ishte edhe fakti që firma që do të tregtonte aparaturat do të fitonte edhe furnizimet me shtretër, pra do t`i merrte të gjitha. Shkurt, organizuesit nuk donin shumë kokëçarje, pavarësisht se kjo kishte kosto të madhe financiare për taksapaguesit shqiptarë. Çuditërisht, siç u mor vesh, specifikimet teknike të të gjithë spitalit iu dhanë QSUT vetëm 24 orë më parë se të shpallej tenderi dhe nuk kishin lidhje fare me ato që kishin ardhur për aprovim 2 muaj më parë.
Kështu që firmat garuese do të duhej të përgatisnin tenderin e një spitali të tërë me specifikimet teknike në 16 ditë pune.
Për të sjellë këto specifikime mbërriti vetë përfaqësuesi i firmës Top Consult, i cili nuk pranonte të bëhej asnjë ndryshim në këto specifikime, të cilat komisioni ishte hera e parë që i shihte. Firma që do të bënte mirëmbajtjen, as që nuk flitej sa inxhinierë do të kishte, pasi kjo nuk ishte e rëndësishme.
E çuditshmja është se ky tender prej 8 milionë eurosh është me parakualifikim ose, e thënë ndryshe, do të parakualifikohen vetëm 2 firma (të cilat dihen dhe do t`i botojmë para datës së tenderit), dhe pastaj këto dy firma nën drejtimin e regjisë, do të bëjnë ofertën pranë fondit limit, ku fituese do të dalë një firmë që ka kohë që bashkëpunon me firmën konsulente Top Consult.
Jo vetëm kaq, por dy konsulentët e kësaj firme, kanë kohë që bëjnë vizitë në firmat prodhuese të materialeve për këtë spital.
Gjithçka ndodh në një itinerar takimesh dhe udhëtimesh Tiranë-Köln-Holandë-Firence. Në këtë megakoordinim, koordinuesi gjerman ka lënë shumë gjurmë dhe shumë biseda dihen dhe do të dalin në momentin e duhur. Gjithashtu ka edhe e-mail-e të printuara, ku një firmë ka kërkuar oferta shumë kohë përpara se të shpallej tenderi.
Dihet që firma fituese është e paracaktuar. Ajo ka pasur avantazhe që të kërkojë ofertat 1 muaj më parë se këto dokumente të vinin në QSUT. Pra, para se tenderi të shpallej. Se nga i ka gjetur dokumentet kjo firmë, nuk dihet, por ajo që dihet është vizita e punonjësve të Top Consult, zotërinjve F. B. dhe N. W. në Holandë, ku nuk u ra dakord për ndonjë gjë.
Duket se ata do të informoheshin për prodhimet e ndonjë firme. Derisa ata kanë fituar të drejtën të bëjnë specifikimet teknike, domethënë që ata janë të aftë ta bëjnë atë punë. Përse ata flisnin vetëm për projektin shqiptar? Kush i dha të drejtë këtyre zotërinjve të bëjnë një gjë të tillë në emër të projektit shqiptar? Mos vallë pas kësaj vizite janë bërë biseda për specifikime dhe me ndonjë firmë tregtuese që ndodhet në zonën Toscana të Italisë?
Kjo për shkak se firma si Siemens kanë protestuar që specifikimet janë fotokopje të firmave të caktuara.
Ndoshta firma është shumë konfidente me këtë projekt. Ndoshta kjo firmë, në ndonjë tender ndërtimi, pasi u vendosën çmimet dhe i kishte më të ulëta duke lënë disa punime të pakuotuara, e rriti çmimin me 700.000 Euro pas hapjes së ofertave duke mbetur vetëm 4.000 Euro nën vendin e dytë, pra gjoja fitoi me çmim të ulët.
Jo pa qëllim i ishte kërkuar një numër aq i madh specialistësh firmës së huaj 29, ndërsa për firmën shqiptare nuk kërkohej asnjë, pavarësisht se aty kërkohen 3 vite garanci, pra është shumë e rëndësishme se kush do ta bëjë servisin në Shqipëri. Të marrë me probleme të mëdha organizative, ndoshta nuk është pasur kohë që të vendosen specifikimet aty ku duhen dhe ashtu siç duhen si p.sh.,:
1) Në vizatime mungon (ndoshta me qëllim) vendosja e artikujve të mobilimit;
2) Kuotat.
Në specifikimet teknike mungojnë:
1) Përcaktimi relativ në dhomë dhe pozicionimi;
2) Nuk ka përputhje midis sasive të vendosura në Listën e Sasive për t`u kuotuar dhe Listës së Sasive të specifikimeve teknike. [Ruajtja arkivore, referoju dhomës R-1.052, sasia 9 në vizatim sasia 8].
3) Shumë artikuj nuk janë vënë në Formularin e Çmimit të Ofertës ndoshta me qëllim vjedhjeje si p.sh.,:
1.1..30. Konstruksion tavanor për furnizimin me gaze mjekësore të anestezisë
2.1..100. Tharës me tamburo
2.2..70. Dritare kthimi
4.1..10. Sistem dixhital për radiografi, Sistem detektorësh, Trauma
4.1..20. Sistem dixhital për radiografi, Sistem detektorësh
4.1..60. Sistemim dhe ruajtje e imazheve te radiografisë së kompjuterizuar
4.1..70. Njësi për fluoroskopi të lëvizshme për kirurgji
4.3..30. Shikim në kohë reale i volumit
4.3..40. Program për skanim dhe injektim kontrasti në mënyrë të sinkronizuar.
4.3..50. Aplikim për analizimin e lezioneve të enëve
4.3..60. Rikonstruksion 3 dimensional i drejtpërdrejtë.
4.4..60. Rikonstruksion 3 dimensional i drejtpërdrejtë.
Ky tender ka dalë në mënyrë të ngutshme për t`u vjedhur dhe është i bërë keq. Thjesht ai duhet të anulohet, të rishikohet, të bëhet në dobi të popullit dhe jo për t`u vjedhur. Kështu shpjegohet edhe alarmi që ka te drejtuesit e QSUT për ta mbaruar tenderin sa më shpejt para zgjedhjeve, pa mbaruar ndërtimi, pasi, pas zgjedhjeve planet mund të prishen.