Stambolli, atje ku ndërthuret e vjetra me modernen
Të gjesh fillimin dhe fundin e Stambollit është pothuajse e pamundur. Atë thjesht mund ta ndash në zonën aziatike dhe evropiane, ndarje që në fakt bëhet nga deti. Për historinë dhe vendet turistike, padyshim që pjesa evropiane e një prej qyteteve më me histori dhe kulturë në botë është më e preferuar nga ana e turistëve të shumtë, të cilët gëlojnë në Stamboll në çdo stinë të vitit. Gjatë javës së kaluar, bashkë me disa miq, m’u dha rasti që për herë të parë ta shihja dhe vizitoja nga afër këtë qytet madhështor. Duke qenë se ishte hera e parë, padyshim që isha kurioz të eksploroja çdo gjë nga ky qytet, si nga ana turistike e kulturore, ashtu dhe nga mentaliteti e traditat e banorëve të këtij vendi. Kontakti i parë me qytetin më bëri të kuptoj se sa nacionalistë janë turqit. Nga të gjitha anët mund të shihje flamuj të mëdhenj turq, madje nëpër lulishte edhe të vizatuar ne anë të luleve, si dhe bustin e heroit të këtij vendi, Mustafa Ataturkut. Si një prej qyteteve me numrin më të madh të popullsisë, pasi në Stamboll mendohet se jetojnë nga 17 deri në 24 milionë banorë, rrugët gumëzhinin në çdo orë të ditës nga njerëzit e shumtë. Më bëri përshtypje se, këta të fundit, ashtu si dhe ne shqiptarët, kishin “alergji” nga semafori, pasi e respektonin shumë pak atë.
***
Ahmedi, shoferi që erdhi për të na marrë në aeroport, ishte i pari person, me të cilin patëm kontakt. Ashtu siç do ta konstatoja edhe më pas nga njerëzit e tjerë, ai ishte tepër miqësor, ndërsa rruga me të drejt hotelit, edhe pse zgjati më shumë se një orë, m’u duk shumë e shkurtër, pasi pamjet dhe ndërtesat e qytetit nuk mund të mos të tërhiqnin vëmendjen. Pamja e rrugëve të magjepste me lulishtet e shumta, të cilat, ashtu siç nuk kisha parë në asnjë qytet tjetër, ishin të mbjella me mijëra tulipanë, që ishin dhe të vetmet lule që të shihte syri në qytet. Për fat, rrugës nuk kishte trafik, pasi në Stamboll, trafiku është një nga problemet më të mëdha, çka sjell një humbje të madhe të kohës nga ngecja në trafik dhe zgjatja pa fund e rrugës, gjë që kërkon nerva të forta për t’u përballuar ose këmbë të palodhura për të shkuar me këmbë në destinacion. Në lagjen ku do qëndronim, Kadikoi, lagje e vjetër kjo e Stambollit, m’u krijua përshtypja se ndodhesha në Gjirokastër, me ato rrugët e ngushta dhe me kalldrëm. Duke qenë se hoteli gjendej shumë pranë detit, pasditja ishte e ftohtë, në të kundërt nga pasditet e Tiranës, të cilat ishin më të ngrohta. Mbrëmja në këtë lagje ishte me të vërtetë e qetë dhe rrugës ndjehej një atmosferë melankolie, ndërsa në sfond dëgjoheshin zërat e shumtë të pulëbardhave të detit. Madje, në orët e vona të natës, zëri i tyre ishte i vetmi që prishte qetësinë e Kadikoit.
***
Gjatë kohës njëjavore që qëndrova bashkë me miqtë e mi në Stamboll, një pjesë të mirë të kohës e kaluam duke vizituar universitetet e qytetit, të cilat nuk mund të gjej fjalë për t’i përshkruar, pasi ishin thjesht madhështore. Në to ndjeheshe dinjitoz, nëse do të ishe student, gjë që nuk mund të thuhet për universitetet tona, me të cilat është e pamundur dhe e kotë të bësh paralelizma, pasi, nëse universitetet e Stambollit ishin si një qytet më vete dhe në to kishte parqe, lulishte, fusha sportive, në të cilat studentët kalonin kohën e lirë, universitetet tona janë si kotece dhe në krah të tyre gjen vetëm kafene, në të cilat studentët, ashtu si edhe të moshuarit, kalojnë kohën e tyre të lirë. Më madhështori prej tyre padyshim që ishte universiteti i Boazichit, i vendosur majë një kodre, ndërsa poshtë qëndronte deti. Një parajsë e vërtetë! Në të mund të gjeje studentë nga e gjithë bota, edhe Shqipëria. Një prej tyre ishte Ramadani nga Presheva, që studionte për ekonomi, i cili u gëzua së tepërmi që takoi bashkatdhetarët e vet. Por, ashtu si edhe ambienti, që të ngrohte dhe të bënte për vete, mund të thuhet edhe për studentët, që ishin shumë miqësorë dhe të hapur, sidomos kur mësonin se ishim shqiptarë. Aaroni, student amerikan, që me shaka i thërrisja Bruce Willis, pasi kishte një ngjashmëri të llahtarshme me aktorin e njohur, edhe pse ishte shumë më i ri, kishte një histori mjaft interesante, pasi të fejuarën e vet turke e kishte njohur pikërisht në Shqipëri. “Shqipëria është një nga vendet që do ta kem gjithmonë në zemër, pasi aty njoha njeriun tim më të dashur. Jo vetëm kaq, por njerëzit atje janë shumë miqësorë dhe të dashur. Dy vjet më vonë, kur edhe të martohem me Esrwn, kemi vendosur që ta kalojmë muajin e mjaltit pikërisht në Shqipëri”. Në fakt, duke qenë se 99% e popullsisë në Turqi është myslimane, prisja që studentët në Stamboll të ishin më të mbyllur dhe më fetarë, ndërsa mendoja se femrat ishin të mbuluara të gjitha me shami, si shenjë e besimit të tyre. Por u befasova nga fakti se femrat që mbanin shami ishin shumë të pakta, ndërsa studentët ishin shumë më pak fetarë nga sa kisha dëgjuar. Nëse do të flisje me ta për besimin e tyre, që të gjithë do të përgjigjeshin se ishin myslimanë, por mjaft prej tyre e praktikonin shumë pak fenë e tyre.
***
Nëse do të shkosh në Stamboll, është e pamundur që të mos vizitosh një nga objektet më madhështore të këtij qyteti, me të cilin në fakt krenohet gjithë Turqia. Bëhet fjalë për Xhaminë Blu, e cila qëndron krenare prej shekujsh në mes të Stambollit. Vizita brenda saj ishte ndoshta gjëja që më la më shumë mbresa, pasi ishte ndërtuar në një mënyrë të tillë që njeriu dukej shumë i vogël para saj, madje i parëndësishëm, pasi në të, ata që e kanë ndërtuar, janë përpjekur që të tregojnë madhështinë e Zotit dhe vogëlsinë e njeriut para tij. Kjo shihej fare mirë në dritaret e sipërme, nga të cilat edhe hynte drita në xhami, dritë që në fakt të krijonte ndjesinë e një drite hyjnore, që ndriçonte njerëzit, të cilët e vizitonin atë. Përveç ambientit të brendshëm, edhe përjashta ishte një mrekulli e vërtetë, me lulishtet dhe ambientet që të falnin një qetësi të plotë. Ndërkohë, edhe pse Turqia është një vend mysliman, në krah të objektit më të rëndësishëm të adhurimit të Zotit nga ana e turqve, gjendet Kisha e Sofisë, një objekt madhështor ky për nga ana e arkitekturës. Ndërkohë, vetëm pak minuta më larg ndodhet pazari i famshëm turk, Grand Pazar, i cili është i futur mes ndërtesave të shumta, në formën e një tuneli dhe me ndarje të shumta, në të cilin mbizotërojnë sendet e floririt. Teksa po vizitonim pazarin e famshëm, në një prej dyqaneve të vogla dallohej një flamur shqiptar, që qëndronte pranë atij turk. Kureshtja na shtyu drejt dyqanit, ku dhe takuam pronarin e tij, i cili ishte shqiptar i Maqedonisë. Nexhati na tha se flamurin shqiptar e kishte vendosur për të afruar ndonjë klient më shumë, gjë që në fakt, sipas tij, kishte rezultuar efektive, pasi mjaft shqiptarë që shkonin për vizitë në Grand Pazar, pasi shihnin flamurin, ashtu si dhe ne, ktheheshin për ta vizituar dyqanin e tij.
***
Java kaloi shumë shpejt dhe si pa u ndjerë në Stamboll, teksa nga e njëjta rrugë që na solli, mesditën e së dielës u larguam, me dëshirën për t’u rikthyer sërish. Rreth orës 15:00, avioni na uli në Rinas dhe tashmë ndodheshim sërish në Tiranë. Edhe pse kisha qëndruar vetëm një javë në një prej qyteteve më të mëdhenj dhe të zhurmshëm në botë, rrugët e zbrazëta të kryeqytetit tonë më krijuan përshtypjen se nuk kisha jetuar ndonjëherë në këtë qytet dhe qetësia e tij më dëshpëroi. Por ishte vetëm një çast, pasi ditët në vijim Stambolli ishte thjesht një iluzion, ndërsa Tirana një realitet.