Flamuri gjen zgjidhjen për të bërë Bumçin kryetar të Tiranës
Flamuri ka nisur përpjekjet për të kurorëzuar Aldo Bumçin kryetar të Tiranës. Është e vetmja punë që ka nisur pa qejf. I duhet të plotësojë një dosje formale që ta ketë për degën e kuadrit. Për t’i rënë shkurt, i bëri një telefon zyrës së nëpunësit civil. I tha: “Më bëj një kërkim ç’ka bërë ky Aldo para 2005-ës.” Pas një ore ia ktheu përgjigjen.
- S’na del gjë, - tha. - Ka vetëm një aplikim për të punuar në Kryeministri më 2003, por e ka anuluar Fatos Nano me shënimin “është kokëbosh”. Ka dhe nja dhjetë kërkesa drejtuar Ermelinda Meksit për punë, por s’ia ka pranuar. I ka dhënë disa projekte për OJQ. Më pas ka punuar te një OJQ, dhe më 2005-ën ministër.
- Epo shyqyr që s’qenka ngatërruar, tha Flamuri me vete.
- A ka ndonjë gjë të shënuar, që t’ia përmendim si rekord? - tha Flamuri.
- Ka, - i tha. - Është i vetmi katolik, madje familje e njohur katolike, që ka bërë shkollën në Qipron turke.
- Dhe këtë kisha mangët tani, - i tha Flamuri. - Po tjetër, tjetër, çfarë të themi ndonjë gjë për këtë? ǒka bërë, me se është marrë, kur ka qenë ministër?
- Ka qenë njeriu më korrekt si ministër. I vetmi që nuk hoqi nga puna as shoferin e Fatmir Xhafës dhe as sekretaren. Dhe ju e dini se ç’kiamet i ndodhi pastaj.
- Çfarë? - i tha Flamuri.
- Po ja, atëherë që ndihmonte Shkëlzenin të bënte letrat për fabrikën e Gërdecit, çdo gjë e bënte me sekretaren e Xhafës. Dhe faksin që i raportonte Shkëlzenit, e niste ajo. Tani ajo i ka treguar të gjitha në prokurori. I thashë disa herë. Merr ndonjë gocë forumi, se këto s’tregojnë. “Jo, - më thoshte, - se po të marr ndonjë nga PD, më kërkojnë ndonjë nder ata të zonës sime dhe s’di kujt t’ia prish e kujt t’ia ndreq. Më mirë po mbaj në punë këta socialistët.”
- Mos, - tha Flamuri, - se po na e morën vesh këtë, s’na e voton njeri. Se gati janë këta të seksioneve. Po Aldo thotë që nuk e ka nisur ai faksin?!
- Aldo të thotë ç’të dojë, por puna është që mund ta thërrasin në gjykatë dhe të dëshmojë. Se në dosje i ka të gjitha. Dhe që ka pritur Shkëlzenin dy herë në zyrë, dhe që i ka nisur faksin, dhe që ia ka dhënë me dorë të vet sekretares. Pra, s’ka ku luan.
- Kjo qenka e mirë, - tha Flamuri. - Kjo duhet të dalë patjetër këtë javë në shtyp, se me këtë mund t’i marrë lehtë votat. Se kjo partia jonë ka kodin e saj, s’ka Kodin Penal për bazë. Ne kemi Kodin e Familjes. D.m.th., kush ka ndihmuar familjen, Fazlliçin, ecën përpara. Kështu që po u hap llafi që ky ka ndihmuar Shkëlzenin, do ta adhurojë gjithë PD. Kjo që ty të duket e keqe, mua më duket shumë e mirë. Këtë s’i t’ia bëjmë ta botojmë këtë javë gjëkundi.
- Nuk e di, - i tha nëpunësi. - Di që nga gjykata më kanë thënë që Aldo e ka dosjen sterrë dhe duhet t’i hiqet imuniteti, të thirret si dëshmitar i akuzës.
- Ore imunitet nuk heqim ne, po si t’ia bëjmë të botojmë një dokument që ky ka ndihmuar Shkëlzenin për Gërdecin, se të tjerat i ndreq vetë unë? Me Gërdecin çan në PD. Unë që kam ngelur këtu jam dhe s’kam ecur përpara shumë, dy fatkeqësi kam në jetë. E para që s’më rekrutuan këta të Sigurimit dhe e dyta që s’më ra fati t’i ndihmoja këta të Familjes për Gërdecin. Madje, kjo e Gërdecit tani në PD është kartë më e fortë se ajo e Sigurimit që ka qenë më parë. Se kjo e Sigurimit u bë banale. Më parë, kush ishte spiun, ecte, bëhej deputet, ministër. Tani ka ndërruar. Tani, kush ka ndihmuar Familjen në Gërdec, ecën përpara. E kupton ti që po ecën përpara dhe Fahri Balliu që ai burri s’e shihte dot me sy. Vetëm pse ka bërë fabrikën e Gërdecit, e mban Luli para-mbrapa gjithë kohën.
- D.m.th., ti ke interes që të dalë kjo gjë, që Aldo ka ndihmuar Shkëlzenin në Gërdec?
- Kjo është fantastike. Ku ta gjej. Po s’e gjeta këtë, s’e ndihmoj dot. Kam frikë se do ma votojë PD kundër, se u duket si skuth që ia ka me hile atij burrit. Po e panë që është inkriminuar te Shkëlzeni, ecën menjëherë para. Kështu u ngjitën të gjithë këta b. q… e KOP në pushtet. Edhe Alibeaj kështu u bë i madh, edhe Aldo kështu, të gjithë me Gërdecin. Kush ka pasur fat t’i japë një dorë punës atje, është sikur e ka bekuar Zoti.
- Atëherë e paske të lehtë. Këtë javë do përpiqemi ta nxjerrim këtë gjë dhe e ke punën përpara.
- Rrofsh! - i tha Flamuri. - S’ta harroj kurrë këtë nder. Më shpëtove, se s’kisha ku të gjeja asnjë lidhje me PD. Dhe në shkollë më ‘97 në Qipro e paska çuar Dash Shehi, që është armik, dhe nuse paska vajzën e Zhulalit. Shyqyr që na del i lidhur me Gërdecin, që të ketë një meritë.