8 shkurti i 1955-s ose 57-vjetori i destalinizimit
Me rastin e kësaj ngjarjeje, që shënon një arritje kulmore historike, akademikja franceze, Helena Karrerë D’Ankósë (D’Encausse), ka shkruar një analizë interesante. Ajo e quan 8 shkurtin e vitit 1955 si vdekjen e dytë të Stalinit. Një cilësim i dytë i 8 shkurtit: Shkrirja e akujve. “8 shkurti u bë paralajmëruesja e një padie përkundrejt një gjykimi historik”, - është një gjykim i mëtejshëm i shkrimit të akademikes. Tashmë grindjet përbrenda partisë, nuk përfundonin me ndëshkimin e “armiqve” me eliminimin fizik. Në vendin tonë, gjyqet brenda Byrosë Politike të Partisë përfundonin, në rastet më të përgjithshme, me ekzekutime në masë. Në kohën kur BS filloi të merrte frymë, në vendin tonë ishin nën ankth jo vetëm “të deklasuarit”, -siç ishte një cilësor i njohur për kohën,- por edhe “armiqtë” brenda radhëve. Cilido që e lexon analizën e zonjës D’Ankosë, vëren kuptimin e gjerë të frazës së saj se “ Vetëfajësimi dhe dorëheqja e ndëshkonin autorin me eliminim fizik, por edhe njerëzit e tij binin në katastrofë”. Ajo jep, pra, një profil të thellë e të thukët të një regjimi antihuman. Sepse ndëshkohej jo vetëm “fajtori” por e pësonin dhunën çnjerëzore edhe familja, farefisi dhe të njohurit, madje.
Natyrisht që artikullshkruesja në organin francez të shtypit, e vlerëson siç duhet veprimtarinë e Krushovit, të cilit nuk ia kursen, nga ana tjetër, edhe gjynahet e tij në Ukrainë, në vitet 30 “për martirizimin e fshatarëve të Ukrainës”. Por merita e pamohueshme e Krushovit qëndron në vënien në pikëpyetje të “pagabueshmërisë së Partisë komuniste”. Nostalgjikët tanë të skajshëm nuk e pranojnë këtë pagabueshmëri. Doemos, ata janë stalinistë. Jo vetëm që janë të tillë, por i kanë të hapura edhe ekranet tona, për të bërë propagandën staliniste (domethënë enveriste), duke na folur edhe për humanizmin bolshevik! Sesa humanist ishte ai sistem, akademikja na e jep me pak rreshta përmes figurës së kopukut dhe mizorit Beria, për të cilin autorja thotë se “ishte i urryer në të gjithë Bashkimin Sovjetik”. Madje, sipas saj, meqë ishte për njëfarë kohe edhe byroist në kohën e Krushovit, “Beria kërkonte që përfytyrimin e vet si një rojtar burgu, ta shndërronte më atë të një çlirimtari”. Hipokrizia e mizorëve! Sa enveristë (apo ish-funksionarë të lartë) që po na moralizojnë sot, e meritojnë te ne atë cilësorin e D’Ankosës, të rojtarëve të burgjeve?
Duke lexuar këtë shkrim, kuptojmë sa e molepsur është politika jonë e sotme me fizionominë e zezë të komunizmit. Në kuptimin e paralelizmave që përftohen nga një shkrim analitik si ky që po shqyrtojmë, mund të bëhet një pyetje: Si do të ishte tani vendi ynë, po të mund të bëhej edhe këtu destalinizimi? Vetëm të robotizuarit në tru do të thoshin se do të ishim më keq! Së paku, do të ishim më të përgatitur për pluralizmin: do të shmangeshin shumë nga arbitraritetet e monizmit. Do të çngjyrosej në njëfarë mënyre përfytyrimi i përbindshëm i “njeriut të ri”, pa din e pa iman, spiun brenda familjes. Do të binte së tepërmi ajo egërsi e pashembullt e luftës së klasave, në sajë të së cilës u bënë krime të panumërta. Historikisht do të shqyrtohej në mënyrë më poliedrike dhe më me bremje ndërgjegjeje ajo çështja e “Kolaboracionizmit”. Kur donin ta varrosnin të gjallë Madalenën, - si grua të përdalë, - me hedhje gurësh mbi të, Krishti tha: - “Le ta hedhë gurin e parë ai që mendon se s’ka mëkatuar asnjëherë gjatë jetës së tij! Kështu shpëtoi Madalena. Por komunizmi ynë hodhi jo vetëm gurë, por edhe breshëri plumbash kundër “kolaboracionistëve tanë”, edhe kur ata, me veprimtarinë e tyre, shpëtuan shumë jetë shqiptarësh (dhe të gjithë hebrenjtë, në besë të shqiptarëve, madje). Sepse regjimit tonë të E. Hoxhës nuk i shkonte ndërmend sesa kolaboracionist ishte ai vetë, ndaj armiqve shekullorë të popullit tonë! E.H.-a e tejkaloi kolaboracionistin për antonomazí, Kuislingun, kur i ofroi vendin e sekretarit I të K.Q. të PP-së shqiptare, shokut Tito! Për kolaboracionizmin, akademikja franceze shkruan: “Më 10 mars të vitit 1955, të gjithë njerëzit e liruar (në BS) morën statusin juridik (…) të qytetarit. Dhe pas dy muajve u shpall një amnisti për të gjithë ata individë dhe ato popullsi që ishin dënuar për kolaboracion me gjermanët gjatë luftës”. Të gjitha këto që u bënë në kohën e Krushovit nuk duan të thonë aspak se në BS u realizua demokracia. Autorja thotë vetëm se “në atë kohë u përmbys sistemi i trashëguar nga Stalini. Natyrisht u hapën edhe dyert e gulagëve”. Artikulli i akademikes franceze përfundon me: “Statuja e Stalinit u shkatërrua në Kongresin XX”. Në të vërtetë ajo folja “u shkatërrua”, në origjinal është “debouloné”, vështirësisht e përkthyeshme: Ngushtësisht domethënë: statuja e zbërthyer nga bulonat; me një fjalë, e zhvidhosur.
Ndërsa te ne, për një paradoks të kohës, mjaft nostalgjikë kërkojnë të vidhosin enverizmin (=stalinizmin), se statujat i mori lumi. Këto prapësira nuk ndodhin vetvetiu (spontanisht). Janë të fuqishëm materialisht, me privilegjet e trashëguara para vitit 1992 dhe pas vitit famëkeq 1997, paçka se shtiren se janë të papajtueshëm me fanatikët e statujave të rrëzuara, sa për sy e faqe, por shpirtërisht me mendësi mjaft të përafërt. Korrupsionin “e luftuan”, ashtu siç bëri Rama në vitin 2005, (për të marrë kryesinë e PS-së) duke e përbaltur tetëvjeçarin e “korruptuar” me “apolitikë” fshehjen e korrupsionit, si dosjembuluari Theodhori Sollaku, që tani është anëtar i Asamblesë Kombëtare të Ramës!
Shkrimi i plotë i Helenë Karrerë D’Ankosë, me titull “8 shkurt 1955, vdekja e dytë e Stalinit/Revolucioni i trëndafilave, revolucion i portokalltë: Popujt e nënshtruar që prej njëzet e dy vitesh ende nën shtypjen sovjetike, shprehin me forcë prirjen e tyre që të vendosin vetë për fatet e tyre. Dhe këtë popull nuk mungojnë që ta përgojojnë në mënyrë të papërmbajtur që s’po tundet, siç thuhet në mënyrë të përsëritshme, që ta hedhë poshte të kaluarën e tij të rëndë. Ky gjykim i shpejtuar nuk merr parasysh se shenja që i dha fillesën një lëvizjeje të re, e pati nisjen tamam në Rusi, pikërisht pesëdhjetë vite më parë. Bash në Rusi, në zemër të sistemit, filloi shkrirja e akujve. Më 8 shkurt të vitit 1955, pas vdekjes së Stalinit dy vite më parë (më 5 mars 1953), që kishte lënë në vend një sistem të plotfuqishëm në dukje, ky pësoi një vdekje të dytë, paralajmëruese e një padie përkundrejt një gjykimi historik. Lufta për zëvendësimin e tij nuk reshti përgjatë dy vjetësh dhe, pas përjashtimit të Berias, dolën në skenë dy njerëz, Malenkovi dhe Krushovi. Lufta përfundoi me fitoren e këtij të dytit. Për habinë e të gjithëve, Malenkovi, - kryeministri i cili, që nga viti 1952, dukej si personi politik i paracaktuar nga Stalini për ta zëvendësuar, - u rrëfye atë ditë para Sovjetit Suprem, se kishte bërë mjaft gabime dhe se ishte, madje, jo në lartësinë e duhur për të kryer detyrën e lartë që mbante, duke dhënë, kështu, dorëheqjen. Gjer në atë kohë, skenari ishte i njohur mirë nga populli sovjetik. Vetëfajësimi dhe dorëheqja e ndëshkonin autorin me eliminim fizik. Por nuk ndodhi asgjë e tillë. Malenkovi vazhdoi të mbante vendin e tij në organet drejtuese të Partisë dhe mundej, sipas qejfit, të intrigonte kundër fitimtarit, Nikita Krushovit. Ishte, pra, një revolucion politik i rëndësishëm. Për herë të parë, që nga vdekja e Leninit në vitin 1924, një përgjegjës politik mund ta humbiste pushtetin pa humbur edhe jetën, pa qenë e nevojshme, madje, që njerëzit e tij të binin në katastrofë; përkundrazi ruajtën vendin në shoqërinë politike. Ai që ia doli mbi të gjithë të tjerët në atë kohë ishte Nikita Krushovi, një personazh i zjarrtë me fizikun e një muzhiku, me shpërthime të paparashikuara, përgjegjës në vitet 30 për martirizimin e fshatarëve të Ukrainës. Ai vendosi autoritetin e vet, që nga ky çast, e afërsisht gjatë dhjetë viteve që pasuan, duke përmbysur të gjithë sistemin e trashëguar nga Stalini. Në fillim iu desh që ta ndante pushtetin me mareshalin Bulganin, që vinte nga qeveria e Malenkovit. Por ky personazh “kot më kot” nuk mundej dot as ta eklipsonte, as t’u kundërvihej nismave, të cilat do të ishin në atë vit, në vitin 1955, të rënda dhe me pasoja. Së pari Krushovi premtoi dhe përshpejtoi hapjen e dyeve të gulagëve, që e kishin fillesën në vitin 1953 nga Beria i cili, i urryer në të gjithë BRSS-në, kërkoi atëherë që përfytyrimin e vet si një rojtar burgu, ta shndërronte më atë të një çlirimtari. Që atëherë filluan të liroheshin të internuarit, por në shifra të vogla (thuajse 100.000), përkundrejt 8 milionëve të burgosurve nëpër gulagë. Por edhe tashmë të liruar, ish-të burgosurit nuk u bënë ndërkaq njerëz të lirë, të mbrojtur nga ligji. Më 10 mars të vitit 1955, u shpall një masë revolucionare: të gjithë njerëzit e liruar dhe përgjithësisht pa të drejtë ndërrimi të vendeve, morën të drejtën për të pasur një pasaportë, domethënë statusin juridik të qytetarit. Dhe pas dy muajve u shpall një amnisti për të gjithë ata individë dhe ato popullsi që ishin dënuar për bashkëpunim (kolaboracion) me gjermanët gjatë luftës. Amnistia nuk kishte ende kuptimin e rehabilitimit, por ajo u dha lirinë qindramijëra sovjetikëve, të cilët mundeshin të dëshmonin për karakterin arbitrar të Shtetit sovjetik.
Jashtë kufijve të Bashkimit Sovjetik Krushovi i dha, po ashtu, goditje buldozeri sistemit të vendit të tij. Më parë në Austri, në të cilën nënshtrimi i traktatit të paqës u dha pavarësinë vendeve të cilat i kishin larguar menjëherë trupat sovjetike. U përftua e pabesueshmja. Pasi mori fund pushtimi i 1945-s, që u paraqit si i përhershëm), dhe si u ndërprenë shndërrimet politike të radikale, popuj të tjerë, të nënshtruar nga tanksat ruse, mundeshin tani të shpresonin për një fat më të mirë. Veçse duhet të kemi parasysh edhe se këto nënshkrime traktatesh u pasuan nga një akt i kundërt, nga krijimi i paktit të Varshavës. Këto kanë të bëjnë me tuafllëqet e Krushovit i cili, në të njëjtën kohë, krijoi një hapësirë ushtarake të njësuar, që mundi të bëhej e njëmendtë nga shtrirjet staliniane. Nga ana tjetër hoqi dorë prej njërës nga të drejtat e trashëguara nga paraardhësi i tij i ndjerë: Çështja zieu përsëri, një muaj më vonë, në Jugosllavi. Më 26 maj 1955 Krushovi zbriti në Beograd, në krye të një delegacioni, por vetëm ai fliste dhe merrte nismat. Ky qëndrim do të përbënte një revolucion ideologjik të vërtetë. A priori, - pra pa u mbështetur në faktet, në të dhënat, në përvojën, domethënë subjektivisht - , ky udhëtim nuk zgjoi asnjëlloj habie, ndonëse në formë ishte një lëshim. Stalini e kishte zakon që të mblidhte shefat komunistë në Moskë, - shpesh edhe duke i vrarë,- po jo të vinte ai vetë tek ata. Vetëm Tito u bëri qëndresë këtyre farë ftesave. Ai vazhdoi me të vetën edhe përkundrejt Krushovit. Ky, i vendosur që t’u jepte fund grindjeve, pranoi që të vinte vetë në Beograd, me shpresën se do të pajtohej me bashkëbiseduesin. Pikërisht këtu ndodhi ajo që nuk pritej. Tito nuk pranoi që të bënte paqe në qoftë se BRSS-ja nuk do të pranonte se ishte ajo vetë përgjegjëse në këtë konflikt. Krushovi, më së fundi, e uli hundën. Ai pranoi se vendi i vet i kishte të gjitha fajet; se Tito, pavarësisht se ç’kishte thënë e rithënë Moska që prej vitit 1948, na qënkesh një shef i vërtetë komunist, i një Shteti komunist, që s’kishte dalë ndonjëherë nga rruga e drejtë; se as ideologjia e përbashkët për të dy Shtetet dhe as autoriteti i revolucionit rus apo pesha e ndryshme e të dy vendeve, nuk do të ishin të mundshme për të përligjur ndërhyrjet e BRSS-së, as orvatjet për të nënshtruar Jugosllavinë. Krushovi e dinte mirë edhe se natyra ideologjike e sistemeve nuk mund të ndryshonte marrëdhëniet e qenësishme ndërmjet Shteteve. Edhe kur ai u orvat, por pa dobi, që ta shpjegonte komfliktin me anë të një komploti të nxitur nga “spiuni Beria” dhe nga imperializmi, ky shpjegim u hodh poshtë nga Tito. Por kjo ishte edhe një pranim i nënkuptuar i Krushovit për falimentimin e ideologjisë. Kjo të çonte, njëherësh, edhe në dështimin ideologjik të BRSS-së në rrafshin ndërkombëtar, si edhe në atë të brendshëm, pavarësisht që komunizmi duhej ruajtur, në teori, nga gabimet e tij. Veçse kështu pagabueshmëria e P. komuniste u vu në pikëpyetje, bashkë me legjitimitetin për të udhëhequr njerëzit dhe popujt.
Sapo u kthye në Moskë, Krushovi, ky zanatçi i këtij revizioni dramatik, u vu përpara qortimesh të forta nga ata që teorizonin trashëgiminë e drejtë, me në krye ministrin e Jashtëm, Molotovin. Ky grup e quante veten si të përbërë nga bolshevikë pranë Leninit. Atëherë u vu në përballje fuqia e Krushovit dhe praktika e re e qetësimit të luftës për pushtetin. Molotovi, i akuzuar për moskuptim ideologjik, e humbi postin e tij por, megjithatë, nuk pësoi, siç nuk kishte pësuar edhe Malenkovi para tij, asnjë pasojë shtypjeje. Lufta politike kishte kaluar nga një egërsi e papërmbajtur, në njëfarë shkalle civilizimi. Molotovi nuk kishte lajthitur kur, gjatë debateve të viteve Gjashtëdhjetë, theksonte se “shkatërrimi i sistemit nuk kishte filluar me Kongresin XX, por një vit më parë, më 1955”.
Bilanci i këtij viti 1955 është mbresëlënës: Përshpejtim i liberalizimit, duke i çuar në jetën civile viktimat e Stalinit, me mendimin e ngulitur që të nxirrnin në shesh paudhësitë, kishte si qëllim që të mos kthehej e kaluara. Ky përshpëjtim përmbante edhe njohjen e dhunës që ishte ushtruar ndaj partive dhe vendeve motra, ndonëse Krushovi ishte në njëfarë mënyre i mënjanuar, por partitë e tjera satelite ishin, tanimë të gatshme, që të shfrytëzonin rastin për llogari të tyre. Liberalizimi vijonte, ndonëse njihej edhe rreziku që, në ndonjë rast, mund të cenohej edhe ndonjë nga arritjet, në kuptimin e fitoreve, pavarësisht se në ç’rrugë ishin realizuar. Së fundi, u zhdramatizua lufta për pushtetin. Në këtë pikë Krushovi do të fitonte mjaft. Pak a shumë të siguruar për fatin e tyre të ardhshëm në rast të një humbjeje, kundërshtarët e tij patën si prirje që të ishin më pak kundërveprues të dëshpëruar dhe, herë-herë i linin fushë të lirë, duke e quajtur si më pak të rrezikshëm nga kandidatë të tjerë të mundshëm për pushtetin tërësor. Në këtë vit vendimtar Krushovi kishte zgjuar shpresa tepër të mëdha, mbi të cilat mbështetej legjitimiteti i tij. Por, duke i zhgënjyer rivalët e tij, ata nuk vonuan që të shfrytëzonin pakënaqësitë, për ta mundur. Intuita e tij dhe vullneti që të bëhej detyrues, përgjithmonë e çuan atë drejt asaj që do të ishte pasoja logjike e prishjes së pjesshme me stalinizmin: statuja e Stalinit u shkatërrua në Kongresin XX.