E Diel, 1 Nëntor 2026

8-vjeçarja nga Durrësi fiton Festivalin Ndërkombëtar për Fëmijë në Mal të Zi



Vogëlushja Aurora Kapo, nga Durrësi, është shpallur fituese e Festivalit të 16-të Ndërkombëtar të Këngës për Fëmijë, që u zhvillua më 27-28 shkurt në Rozhajë të Malit të Zi. Në festivalin “Zlatna Pahulja” (Floku i artë i dëborës), që organizohej nga Qendra Kulturore e fëmijëve të Rozhajës dhe Radiotelevizioni i Podgoricës, morën pjesë 34 këngëtarë të vegjël nga Shqipëria, Hungaria, Gjermania, Franca, Rumanija, Kroacia, Sllovenia, Serbia, Maqedonia, Bullgaria, Bosnjë Hercegovina dhe Mali i Zi.
Drejtori i QKF-së së Durrësit, Naim Kërçuku, bën të ditur se këngëtarja 8-vjeçare Aurora Kapo fitoi vendin e parë me këngën “Koncerti i ëndrrave”, të kompozitorit Klodian Qafoku, duke lënë pas këngëtarin nga Franca, Valentin Vierling. Kapo përfaqësoi Shqipërinë bashkë me këngëtarin tjetër nga Durrësi, Devid Duma, i cili këndoi “Të gjithë fëmijët kërcenin rrok”, të kompozitorit Ylli Ramzoti. Kërçuku shtoi se këngëtares së vogël 8-vjeçare Kapo i hapet rruga për pjesëmarrje në festivale të tjera ndërkombëtare. Këngëtarët e vegjël nga Durrësi u seleksionuan gjatë edicionit të katërt të festivalit “Bilbilat e Adriatikut”, i cili u zhvillua në dhjetor të vitit të kaluar në qytetin bregdetar.

Shfaqja

Ilir Bezhani çon “Mashtrues me licencë” në Vlorë

“Mashtrues me licencë” titullohet shfaqja me skenar dhe regji të Ilir Bezhanit, e cila është vënë këto ditë nga trupa e varietesë në skenën e teatrit “Petro Marko” në qytetin e Vlorës. Katër muaj pas vënies së shfaqjes për herë të parë në skenë, interesimi i artdashësve vlonjatë bëri që drama të kthehej sërish. Kjo edhe për faktin se në të trajtohen probleme të kohës, si korrupsioni, abuzivizmi me pushtetin dhe shqetësime të tjera, me të cilat përballet vazhdimisht gjatë ditëve të sotme shoqëria jonë.
Shfaqja është konceptuar dhe ndërtuar në një formë mjaft të veçantë, me katër mikrokomedi që lidhen mes njëra-tjetrës në një mënyrë të natyrshme, me muzikë dhe pjesë baleti.

3 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›