Protesta në Mitrovicë, serbët bllokojnë funksionimin e Gjykatës
150 ish-punonjës kërkojnë të kthehen në vendet e punës. Autoritetet kosovare: Protestat po dirigjohen nga Beogradi
Blerina Oldashi
150 ish-punonjës serbë të Gjyqësorit kanë protestuar dje para Gjykatës së qarkut në veri të Mitrovicës, ku EULEX-i kishte planifikuar të zhvillonte procesin e parë. Ish-punonjësit e këtij institucioni duan të kthehen në vendin e punës. Njëri nga gjykatësit serbë, i quajtur Nikolla Kabashiç, tha se gjyqtarët e BE-së do të lejohen të mbajnë gjykime vetëm në mandatin e Kombeve të Bashkuara. Mediat serbe bënë të ditur se protestuesit, të cilët kundërshtojnë sistemin sipas të cilit synon të realizohet procesi, bllokuan hyrjen e Gjykatës. Ata kërkojnë që më parë të sqarohen disa çështje kyçe, si për shembull statusi me të cilin punon gjykata, me çfarë ligjesh vepron dhe a përdoret vula ku shkruhet “Republika e Kosovës”? Për këtë arsye procesi i parë gjyqësor që do të mbahej dje në Gjykatën e Mitrovicës u shty për shkak të protestës. Gjyqi i djeshëm në ngarkim të dy serbëve që do të gjykoheshin për një vjedhje të rëndë, ndodhur në 2007-n në Leposaviç, do të mbahej vetëm nga gjykatës dhe prokurorë të EULEX-it. Serbët thanë se nuk ishin kundër gjykimit, por kundër sistemit, sipas të cilit synohet të realizohet procesi. Forcat e Policisë së Kosovës, të KFOR-it dhe Policisë së EULEX-it u gjendën përpara Gjykatës së qarkut dhe asaj komunale dhe thanë se protesta e rreth 150 vetave kaloi pa incidente.
Shqetësim për mosfunksionimin e Gjykatës shprehu edhe qeveria e Kosovës. Avokati dhe këshilltari për çështje ligjore i kryeministrit Hashim Thaçi, Tome Gashi, u shpreh se mosfunksionimi i Gjykatës në Mitrovicë ka sjellë shumë probleme. Ai shtoi se punonjësit serbë të Gjykatës po dirigjohen nga Beogradi dhe se vendimet e njëanshme të Gjykatës, që nuk njihen nga pala tjetër, sjellin probleme. Gjykata e Mitrovicës nuk funksionon që prej një viti, qëkur serbët nuk donin të njihnin pavarësinë dhe institucionet e shtetit të ri të Kosovës. Ndërkohë për punonjësit shqiptarë të Gjykatës nuk kishte kushte sigurie, duke bërë që një pjesë e stafit shqiptar të zhvillonte disa seanca në Vushtri.
Mbështetja për Kosovën, Sejdiu vazhdon takimet në Nju Jork
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka vazhduar dje takimet në Nju Jork, pas takimeve në Uashington me zyrtarët më të lartë të administratës amerikane, me nënpresidentin Xho Bajden dhe sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton, si dhe me kongresistë e përfaqësues diplomatikë të shumë shteteve në SHBA. Presidenti Sejdiu u takua dje me ambasadoren e SHBA-ve në OKB, zonjën Suzan Rajs, si dhe ambasadorë dhe përfaqësues të lartë diplomatikë të vendeve të ndryshme në OKB. Ai takoi ambasadorin Frenk Uizner dhe zonjën Rozmari di Karlo, zëvendësambasadore e SHBA-ve në OKB. Në këto takime biseda u përqendrua në proceset që kanë të bëjnë me zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë në vazhdimin e procesit të njohjeve të Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë. Presidenti Sejdiu kërkoi nga bashkëbiseduesit vazhdimin e ndihmës së tyre për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës.
3 Mars 2009