E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet fushata zgjedhore në Maqedoni



Ka nisur dje në Maqedoni fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale dhe vendore, që do të mbahen më 22 mars. Për postin e presidentit garojnë shtatë kandidatë, mes tyre edhe kandidatë shqiptarë. Rreth 700 kandidatë garojnë për postin e prefektit në 84 komunat e Maqedonisë. Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, tha se janë ndërmarrë të gjitha përgatitjet politike dhe institucionale që zgjedhjet të jenë korrekte dhe demokratike. Gruevski u bëri apel të gjithë qytetarëve të Maqedonisë që të sillen në mënyrë korrekte në zgjedhje, me qëllim që ato të mbahen në atmosferë demokratike. Zgjedhjet konsiderohen test për Maqedoninë, në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike. Shkupi zyrtar shpreson që brenda vitit të aplikojë për statusin e kandidatit në BE. Konflikti me Greqinë bëri që Maqedonia të anashkalohej nga hyrja në NATO. Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë demokratike duke mos përsëritur incidentet e dhunshme që shoqëruan zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni.

Serbi, ish-shefi i Sigurimit, agjent i CIA-s

Ish-shefi i Sigurimit Shtetëror serb, Jovica Stanishiç, ka qenë për tetë vjet njeriu kryesor i shërbimit të inteligjencës amerikane (CIA) në Beograd. Lajmi u bë i ditur nga gazeta “Los Angeles Times”, sipas së cilës CIA tashmë i ka dorëzuar Gjykatës së Hagës, ku po gjykohet Stanishiç, një dokument sekret ku përshkruhet ndihma që ky i fundit i ka dhënë shërbimit të inteligjencës amerikane. Sipas gazetës, Stanishiç ishte kontaktuar që në vitin 1992 nga CIA, respektivisht nga oficeri i shërbimit amerikan të inteligjencës, Uilliam Lofgren, dhe shton se, ata dy kishin arritur partneritet sekret për të cilin askush nuk ka ditur gjë. Stanishiç konsiderohej si truri i regjimit të Millosheviçit, pasi CIA nuk kishte informacione se çfarë po ndodhte në Jugosllavi në momentin kur kishte shpërthyer lufta.
CIA i ka paraqitur Gjykatës së Hagës një dokument të besueshëm, ku bëhet i ditur kontributi i Stanishiçit dhe dëshmitë për ndihmën që i ka ofruar këtij shërbimi. Millosheviçi e kishte shkarkuar Stanishiçin nga detyra në vitin 1998 për shkaqe të paditura. Ai u arrestua në vitin 2003 dhe iu dërgua Gjykatës së Hagës ku vazhdon të gjykohet.

Guinea Bisaut, ushtria ekzekuton presidentin

Forcat e ushtrisë në shtetin afrikano-perëndimor të Guinea Bisaut sulmuan dje pallatin presidencial dhe vranë presidentin e vendit, Zhoao Bernardo Vieira. Presidenti u vra pasi edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura humbi jetën në një sulm me bombë. Presidenti u akuzua si urdhërues i hedhjes në erë të ndërtesës ku ndodhej shefi i Shtabit. Një zëdhënës i Ushtrisë shpjegoi se ushtarët më pas vranë kreun e shtetit, pasi ai u përpoq të arratisej. Guinea Bisau është një ndër vendet më të varfra në botë. Me një të kaluar plot grushte shteti qëkur fitoi pavarësinë nga Portugalia më 1974-n, Guinea Bisau njihet si qendër e transitit të kokainës latino-amerikane drejt Europës.

Egjipt, konferencë donatorësh për rindërtimin e Gazës

NË Egjipt u zhvillua dje Konferenca njëditore Ndërkombëtare e Donatorëve. Në të morën pjesë përfaqësues të më shumë se 70 vendeve, përfshirë edhe sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton, e cila u angazhua se ndihma që do të jepet për Gazën është 900 milionë dollarë. Ndërkohë, Arabia Saudite ka premtuar 1 miliard dollarë. Donatorët kryesorë thanë se asnjë prej ndihmës se dhënë nuk do të kalojë përmes lëvizjes “Hamas”, që kontrollon Gazën dhe që shikohet nga SHBA-të dhe Bashkimi Europian si një organizatë terroriste. Programi për zhvillimin i OKB-së vlerëson se gjatë ofensivës në Gazë, që zgjati tri javë, u shkatërruan apo dëmtuan 14 mijë shtëpi, 219 fabrika dhe 240 shkolla. Kryeministri palestinez, Salam Fayad, që përfaqëson palestinezët, ka kërkuar 2.8 miliardë dollarë ndihmë.

3 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›