E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në sherr për të përcaktuar të fortin e lagjes, plagoset rëndë 25-vjeçari



ELBASAN- Një garë mes të rinjve për të nxjerrë të fortin e lagjes ka përfunduar në sherr me sende të forta dhe goditje thikash. Për pasojë ka mbetur i dëmtuar rëndë një 25-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në Elbasan mbrëmjen e së dielës, ndërsa dje është vënë në pranga autori. “Renato Bakalli, 20 vjeç, lindur e banues në lagjen ‘Qemal Stafa’, në bashkëpunim me shtetasin Gerti Hysenbelliku, 20 vjeç, banues i së njëjtës lagje, akuzohen se kanë tentuar të vrasin me mjete të forta e të mprehta një 25-vjeçar”, - thanë burimet e policisë. Sherri ka nisur për faktin se kush do të ishte më i forti i lagjes dhe dy të rinjtë kanë përdorur çfarë kanë gjetur në rrugicë kundër 25-vjeçarit nga lagjja tjetër. I dëmtuari është transportuar për në spitalin kirurgjik fillimisht dhe më pas në Spitalin Ushtarak të Tiranës për shkak të gjendjes së rëndë. Gerti Hysenbelliu është arrestuar, ndërsa është shpallur në kërkim për veprën penale “tentativë për vrasje me dashje” personi tjetër dhe policia po punon për kapjen e njërit prej autorëve. Fillimisht i plagosuri në gjendje të rëndë nuk ka dashur të tregojë, duke thënë se ishte vrarë teksa ishte rrëzuar nga motori. Policia ka dyshuar pasi ka konstatuar se plagët e marra ishin të ndryshme nga ato të një aksidenti.

Vetëvaret 24-vjeçari, humbi paratë në kazino

VLORË - Një 24-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur, pasi ka lënë një sasi të konsiderueshme parash gjatë lojës në kazino. Sipas burimeve policore bëhet e ditur se Miklovan Pazaj, baba i një fëmije, ka varur veten dje në vendin e punës. Me një tel elektrik ai është vetëvarur në tualetin e mobilierisë, ku punonte në zonën e Rrugës Transballkanike në Vlorë. Nga hetimet e para për ngjarjen, mësohet se shkak ka qenë humbja e parave në kazino, dy ditë më parë. Në gjendje të rënduar psikike pas kësaj humbjeje, ai i ka dhënë fund jetës. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka bërë ekspertimin e trupit të viktimës, gjithashtu është finalizuar dhe autopsia nga ku ka rezultuar se shkak i vdekjes ka qenë asfiksia si pasojë e telit të lidhur në grykë. Familjarët kanë deklaruar se kanë qenë në dijeni të humbjes së parave dhe kanë shtuar se shkak i këtij vendimi mund të ketë qenë pikërisht kjo arsye. Ku është rasti i dytë i vetëvrasjeve në Vlorë në harkun kohor të tri ditëve. Dy ditë më parë, ish-kreu i PD-së së Vlorës, Shpëtim Xhyheri, u vetëvra me një armë zjarri, edhe ky si pasojë e depresionit.

Dhunoi seksualisht të miturën, ndalohet nga policia 23-vjeçari

DURRËS - E ka mashtruar duke i premtuar martesë, por kur ajo nuk ka pranuar e ka dhunuar me forcë. Ngjarja ka ndodhur në Durrës dhe viktimë është një 14-vjeçare, fqinjë e dhunuesit. Sipas burimeve të policisë së Durrësit mësohet se në pranga ka përfunduar shtetasi Adem Meçe, 23 vjeç, me banim në Lagjen Nr. 8 Durrës, i martuar dhe me dy fëmijë. “Në mesin e muajit shkurt, ky shtetas ka përdhunuar 14-vjeçaren nga Elbasani që banonte me vëllain e saj në Durrës, pranë banesës së 23-vjeçarit”, - thonë burimet policore. Denoncimi është bërë fill pas ngjarjes dhe përdhunuesi u shpall shtetas në kërkim. Dje ai është ndaluar nga policia. Sipas denoncimit, ai e ka lidhur vajzën dhe më pas e ka përdhunuar. Pas kësaj, ajo i është drejtuar policisë, e cila ka nisur hetimet për ngjarjen. Mbi autorin rëndon tashmë akuza e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitur.

Ishin dënuar për krime të rënda, arrestohen maqedonasi dhe turku

Tiranë – Dy shtetas të huaj, të cilët janë dënuar për krime të rënda, janë arrestuar nga policia e Tiranës, në vijim të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore. Policia tha dje për gazetën “Albania” se u krye ekzekutimi i urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nga Seksioni kundër Trafiqeve të Paligjshme, për Ali Ademin, 52 vjeç, banues në Shkup, Maqedoni, si dhe për Yasin Ozel, 27 vjeç, lindur dhe banues në Ankara, Turqi. Ndalimi i tyre u krye sepse Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, me vendim të datës 27 shkurt 2009, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës për Krimet e Rënda, të datës 30 korrik 2008. Kjo e fundit e ka dënuar shtetasin Ali Ademi me 6 vjet e 10 muaj burg, si dhe me gjobë me shumën e parave prej 5.333 000 lekësh, ndërsa shtetasin Yasin Ozel e ka dënuar me 7 vjet burg dhe 5.333 000 lekë gjobë. Policia tha se materialet hetimore në ngarkim të shtetasve të huaj do t’i kalojnë Prokurorisë për Krimet e Rënda për veprat penale: “Dhënie e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Krijim të bandave të armatosura dhe organizatave kriminale” dhe “Kryerje e veprave penale të grupeve të strukturuara kriminale”.

Pranga 42-vjeçarit, aksidentoi me vdekje të moshuarin

Tiranë – Vdekja e një të moshuari në kryeqytet dy ditë më parë ka vënë në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes. Policia tha se kreu dje arrestimin e 42-vjeçarit Shpëtim Skerja, banues në Tiranë, pasi dyshohet të ketë konsumuar veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”. Prangosja e tij u krye sepse tri ditë më parë, duke drejtuar automjetin tip “Toyota” fuoristradë, me targa TR 3384 C, në Rrugën e Kavajës ka aksidentuar me vdekje këmbësorin Nuri Llazani, 90 vjeçar, banues në Tiranë. Në vendin e ngjarjes u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërkohë që materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij policia tha se i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën e mësipërme penale.

Mosmarrëveshja për pronën, sulmon me armë fqinjin

Shkodër – Kur ka parë se prona e tij po rrezikohej t’i ikte nga duart, nuk ka duruar më, i janë errur sytë dhe ka rrëmbyer një armë duke iu sulur fqinjit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Samrish të Komunës Dajç të Bregut të Bunës në Shkodër. Filip Kolaj, 57 vjeç, lindur e banues në këtë fshat, ka kanosur me një automatik, pas një debati për motive pronësie, një bashkëfshatarin e tij, - bëri të ditur dje policia vendore. Ajo tha se pasi u bë e mundur kapja në flagrancë e të dyshuarit, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit që ai e mbante pa leje. 57-vjeçari përballet tani me akuzat: “Kanosje” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake e municioneve”.

3 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›