8 vjedhje në 24 orë

Gjurmët e gishtërinjve i dokumentojnë 11 vjedhje në kryeqytet, ligji e shpëton nga prangat. Në kërkim instruktori i rritur
TIRANË - Një tjetër i mitur i shtohet listës famëkeqe të hajdutëve, që përdoren nga të mëdhenjtë. Edhe më tepër i dhunshëm se “kolegët” e tij, 13-vjeçari Julian A. mësohet të ketë specialitet vjedhjet me thyerje të makinave dhe lokaleve. Ai ka arritur të vendosë një rekord personal në këtë fushë, duke realizuar tetë vjedhje brenda një dite. E nëse tashmë konsiderohet “profesionist” në këto lloj vjedhjesh, gjurmët e gishtërinjve të lëna në njëmbëdhjetë raste kanë çuar për disa orë në komisariat të miturin. Burime të besueshme policore bëjnë të ditur se ai nuk është i vetëm. Një person dyshohet se është tutori dhe instruktori i tij, i cili përfiton edhe pjesën më të madhe të sendeve të vjedhura. Agjentët e policisë besojnë se është pikërisht ky person që i jep udhëzimet për makinat, banesat apo dyqanet më luksoze që duhet të godasë minoreni. Ndërkohë, 13-vjeçari do të mund të shfrytëzojë edhe për 24 muaj privilegjin e moshës, e cila nuk i lejon prangosjen, pasi në momentin kur do të mbushë 14 vjeç, ligji shqiptar e arreston dhe e vë në bankën e të akuzuarve.
Provat
Hetimet dhe provat e grumbulluara nga specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve të Biznesit, në bashkëpunim me Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, mundësuan ditën e djeshme kapjen në flagrancë të Julian A., lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë. Burime zyrtare të policisë së Tiranës thanë se vetëm ditën në të cilën ai është kapur në flagrancë në një dyqan në “Rrugën e Durrësit”, kishte bërë edhe shtatë vjedhje të tjera, duke çuar në tetë numrin rekord të vjedhjeve brenda ditës. Dhe pas zbardhjes së vjedhjeve më të fundit, krahasimi i gjurmëve të gishtave të lënë në vendin e ngjarjes “ka tradhtuar” hajdutin minoren. Por një vit nga mosha që i lejon arrestimin e ka shpëtuar minorenin, i cili në një moment tjetër do të ishte dënuar për veprën penale të “vjedhjes me dhunë”. Ai është mbajtur vetëm disa orë në Komisariatin Nr. 3, për t’u lënë më pas i lirë. Ato çka mbeten edhe dyshimet e policisë, kanë lidhje me një person të rritur, i cili i jep edhe udhëzimet përkatëse dhe piketon vendet ku do të realizohen vjedhjet e banesave dhe të makinave. E pas një dite të dendur vjedhjesh, pjesa më e madhe e fitimeve dyshohet se futet në xhep pikërisht nga ai, rreth të cilit ka të dhëna vetëm në rrugë operative, por deri tani asnjë provë konkrete.
Rastet
Sipas policisë së Tiranës, u tha se deri tani Julian A. i numërohen njëmbëdhjetë raste vjedhjesh, tetë prej së cilave të kryera vetëm brenda një dite, në zona të ndryshme të kryeqytetit. Kështu, vetëm ditën e kapjes 13-vjeçari ka mundur të vjedhë në “Rrugën e Durrësit” një parukeri para gjimnazit “Qemal Stafa”, ku ka marrë një sasi pajisjesh parukerie, pa mundur t’i shesë. Ndërkohë, në një dyqan celularësh në sheshin “Rilindja” ka vjedhur dy telefona, në “Rrugën e Barrikadave” ka vjedhur një supermarket, në një lokal në “Rrugën e Durrësit” ka vjedhur 15 mijë lekë të reja, në një tjetër parukieri në rrugën “Mihal Duri” ka marrë 20 mijë lekë të rinj. Dhe po atë ditë ka vjedhur me anë të thyerjes makinën “Passat”, me targa TR 5651 K, së cilës i ka marrë kasetofonin, ka vjedhur makinën tip “Nissan”, me targa TR 4680 K, ku ka marrë sende të ndryshme personale dhe makinën tip “Toyota”, me targa RAV 4, ku ka marrë sende të ndryshme. Pasi i janë dokumentuar këto raste, nga gjurmët e gishtërinjve dhe nga dëshmi të personave të dëmtuar, 13-vjeçarit i janë dokumentuar edhe tri vjedhje të tjera: një vjedhje e datës 21 të këtij muaji, gjatë së cilës ka vjedhur një minimarket në rrugën “Don Bosko”, duke marrë 10 mijë lekë të reja. Po atë ditë ka kryer edhe dy vjedhje të tjera: një tjetër minimarket në “Don Bosko”, ku ka marrë 15 lekë të reja, nëntë karta rimbushëse telefonike dhe disa steka me cigare të llojeve të ndryshme dhe një minimarket në rrugën “Perlat Rexhepi”, ku ka vjedhur 100 mijë lekë të reja.
120 vjedhje në Lezhë e Durrës
Në fillim të nëntorit Juliani u ndalua nga policia e Lezhës, por u shpëtoi prangave, për shkak të moshës. Blutë e këtij qyteti pasi shkëmbyen informacionin e nevojshëm edhe me kolegët e rretheve të tjera, konstatuan se 13-vjeçari i marrosur pas rekordit të hajdutërisë kishte dorë në rreth 120 raste vjedhjesh në qarqet e Lezhës dhe Durrësit. Mendohet se agjentët e Tiranës e kanë pasur më të lehtë për ta identifikuar sërish minorenin, të ndihmuar nga shenjat e gishtave që i ishin marrë atij gjatë procedurave të aplikuara në ndalimin e mëparshëm.