E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata ua njeh, Puleri se kthen

Familjet Balliu e Kaçani sorollaten padrejtësisht për tokën e prindërve, që u është njohur edhe me vendim gjykate Agjencia e Kthimit të Pronave në Vlorë, në qendër të një skandali të përmasave të mëdha

TIRANË - Zyra Rajonale e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të qarkut Vlorë prej kohësh është kthyer në një pengesë serioze për zgjidhjen e çështjeve të pronësisë, të cilat janë tepër të mprehta, sidomos në këtë qark. Gazeta “Korrieri” ka arritur të zbulojë një rast flagrant, kur Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë mban peng procesin e kthimit të tokës tek pronarët e ligjshëm, të cilët posedojnë gjithë dokumentacionin e nevojshëm që vërteton se familja Balliu dhe Kaçani janë pronarë të një sipërfaqeje prej rreth 750 hektarësh tokë.

Pas shumë peripecish që këto dy familje kanë kaluar në zyrat e shtetit, ku u janë propozuar lloj-lloj kompromisesh, më 14 korrik të vitit 2007, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave prish vendimin që u hiqte në mënyrë abuzive pronën dy pronarëve të ligjshëm dhe urdhëron drejtorinë rajonale të Vlorës që të rishqyrtojë çështjen, e cila ende nuk i ka konsumuar rrugët administrative. Por edhe pse ekziston një vendim i drejtorit të përgjithshëm, Zyra e Kthimit të Pronave të Qarkut Vlorë nuk zbaton detyrimin ligjor për t’u shprehur rreth pronave (pyll dhe kullotë) që janë në emër të familjeve Kaçani dhe Balliu. Pronarëve të ligjshëm të tokës, një pjesë e së cilës iu është dhënë në mënyrë abuzive personave të tjerë, u thuhet nga punonjësit e agjencisë të qarkut Vlorë, se “dokumentet tuaja janë të rregullta”, por pa dhënë një shpjegim përse nuk po merret ende një vendim për sipërfaqen e konsiderueshme të tokës, kufijtë e së cilës janë natyrorë dhe nuk mund të ndryshojnë asnjëherë. Gjithashtu, dy familjet disponojnë dokumente të rregullta, të cilët i janë nënshtruar edhe ekspertizës, ku tregojnë se sipërfaqja prej 750 hektarësh tokë është blerë nga familja Kaçani tek Siri Beu më 05.03.1932, dhe më pas kjo familje i ka shitur të afërmve të tyre, pra familjes Balliu, sipërfaqen prej 200 vreten (250 hektarë) pyll dhe kullotë.

Historia

Në vitin 1932, Miho Kaçani, me banim në fshatin Cerkovinë, ka blerë nga Siri Xhaferr Beu një sipërfaqe prej 6200 vreten (750 hektarë) pyll dhe kullotë. Sipas dokumenteve të kohës, të cilët i janë nënshtruar një sërë ekzaminimesh dhe kanë dalë ligjërisht të rregullt, rezulton se në vitit 1933, Miho Kaçani i shet Goli Balliut sipërfaqen prej 2000 vreten (250 hektarë) për 9 mijë e 800 franga ari. Kjo pronë e blerë në mënyrë të ligjshme para noterit Abdul Agalliu, kanë si kufij natyrorë nga lindja Kënetën, në perëndim detin Adriatik dhe në jug kishën e Zvërnecit. Kufijtë natyrorë të cilët nuk mund të lëvizin, pavarësisht kohës së gjatë që ka kaluar, tregojnë se e gjithë sipërfaqja prej 6200 vreten (750 hektarë) pyll dhe kullotë, është në pronësi të familjes Kaçani, e cila posedon 4200 vreten ose rreth 530 hektarë dhe familjes Balliu, që ka 2000 vreten ose 220 hektarë. Një dokument tjetër mjaft i rëndësishëm që vërteton pronësinë e sipërfaqes së konsiderueshme të tokës është edhe Formulari për Regjistrimin e Pasurive Shtetërore të qarkut Vlorë, ku janë shënuar të gjitha pronat e konfiskuara në vitin 1947. Në formular thuhet se në fshatin Pishporo, në vendin e quajtur “Pishat e Pishporos”, janë konfiskuar 4200 vreten kullota në pronësi të Miho Kaçanit.

Kalvari në zyrat e shtetit

Megjithëse Gjykata e Vlorës në vitin 2003 u ka njohur familjeve Kaçani e Balliu pronësinë mbi tokën e lartpërmendur, përfaqësuesit e tyre ende nuk po munden të bëhen pronarët realë të saj. Kjo, sepse Komisioni i Kthimit të Pronave në Vlorë nuk dëshiron të zbatojë ligjet e shtetit. Ky komision i përbërë nga pesë anëtarë, me vendime tërësisht të kundraligjshme, ka vendosur t’u heqë të drejtën e pronësisë familjeve Kaçani e Balliu. Studioja ligjore që ka marrë përsipër çështjen u është drejtuar të gjithë institucioneve përkatëse për denoncimin e kësaj shkeljeje, madje ka depozituar edhe një kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, ku me anë të fakteve tregon sesi anëtarët e Komisionit vendor të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kanë abuzuar me tokën, pronari i së cilës disponon dokumente të rregullta.

Pas kërkesave të vazhdueshme të zyrës ligjore, vendimi i Komisionit të Kthimit të Pronave Vlorë shfuqizohet nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, Besnik Maho, i cili madje urdhëron hetimin administrativ të të gjithë dokumentacionit që ka paraqitur subjekti i shpronësuar. Një vendim të njëjtë ka marrë edhe drejtori aktual i agjencisë, Tunxh Vatnika, i cili më 14 korrik të këtij viti urdhëron Komisionin e Kthimit të Pronave Vlorë, që të hetojë administrativisht dokumentet e lëshuara nga Arkiva e Shtetit për subjektin e shpronësuar. Por, ndonëse kanë kaluar katër muaj nga ky urdhër, Petraq Puleri, drejtuesi i aktual i Komisionit të Pronave Vlorë, nuk ka kthyer asnjë përgjigje dhe madje, sipas të dhënave të zbuluara nga “Korrieri”, asnjë veprim administrativ nuk është nisur të bëhet në zbatim të urdhrave të ardhur nga Tirana. Pronarët e ligjshëm po sorollaten nga ana e zyrtarëve të shtetit, duke iu ngritur pretendime dhe justifikime që sjellin vetëm pengesa dhe nuk janë aspak në përputhje me ligjin në fuqi.

Përfundon afati ligjor, Puleri hesht

Ka përfunduar edhe afati ligjor prej katër muajsh, brenda të cilit Komisioni i Kthimit të Pronave në Vlorë duhej të kthente një përgjigje për urdhrin e lëshuar nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, Tunxh Vatnika. Përfaqësuesit e familjeve Balliu e Kaçani kanë shpresuar deri në minutat e fundit, se nga zyrat e drejtuara prej zotit Puleri do të vinte një përgjigje zyrtare, e cila shpresonin se do t’u jepte fund abuzimeve me pronën e tyre të ligjshme. Por asgjë e tillë nuk ka ndodhur dhe pretendimi i tyre i ligjshëm është shoqëruar vetëm me heshtje të plotë nga Komisioni i Kthimit të Pronave Vlorë. Nuk dihet nëse zoti Vatnika do të marrë ndonjë masë ndaj vartësve të tij në Vlorë, për shkelje të ligjit dhe moszbatim të urdhrave të dhënë, por një gjë është e sigurt: që pronarët e ligjshëm nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga pronat e tyre, për shkak të dallavereve që po bëjnë zyrtarët e shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›