Dy plumba i marrin jetën

22-vjeçari Alfred Gjata ka shkuar me këmbët e tij në spital, por më pas ka vdekur nga plagët e marra
TIRANË - As plagët e marra në trup dhe as hemorragjia nuk e kanë penguar të kërkojë shpëtim. Ka mbërritur me këmbët e veta në portën e urgjencës së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe ka kërkuar që ta shpëtonin. 22-vjeçari Alfred Gjata ka gjetur vdekjen rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme në spital, si pasojë e sasisë së madhe të gjakut që po humbte. Ai ka humbur jetën në sallën e operacionit. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme policia nuk ka pasur asnjë pistë hetimi për vdekjen e papritur të të riut.
Rreth orës 19:30 të mbrëmjes së djeshme, në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur një i ri i plagosur, i cili në gjendje të rëndë për jetën ka kërkuar ndihmën e doktorëve. Sapo kanë parë hemorragjinë, mjekët e këtij spitali e kanë futur menjëherë në sallën e operacionit. Edhe pse përpjekjet për ta mbajtur në jetë kanë qenë të mëdha, sasia e madhe e humbjes së gjakut i ka shkaktuar atij vdekjen rreth orës 21:00. I riu nga Berati me banim në lagjen “Ali Demi” të qytetit të Tiranës mësohet se punonte në një sallë lojërash fati në bulevardin “Zogu i Parë”, shumë pranë gazetës “Zëri i Popullit”. Pas plagosjes, telefonata e fundit që ai ka bërë ka qenë me kunatin e tij, të cilin e ka lajmëruar se po shkonte për ndihmë mjekësore tek “Nënë Tereza”, pasi nuk ndihej mirë. Dhe pasi ka marrë një taksi, në atë gjendje ka shkuar në spital. Dy plumba me armë zjarri në zonën pranë veshkës kanë qenë fatale për të riun, i cili humbi jetën në mënyrë të mistershme.
Pistat
Duke qenë se Gjata ishte banor i lagjes së “Ali Demit”, me ngjarjen mësohet të jenë marrë Komisariati Nr. 4 dhe Seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit. Edhe disa minuta pas ngjarjes, mësohet se policia ende nuk ka pasur ndonjë pistë konkrete për vdekjen e të riut. I vetmi informacion që ata kanë pasur, ka qenë puna me të cilën merrej i riu, e cila mund t’i çojë edhe drejt autorit. Konfliktet e ardhura si pasojë e punës që bënte, kanë qenë të vetmet të dhëna në lidhje me 22-vjeçarin. Policia ka marrë në pyetje kunatin, i cili ishte personi i fundit që ka kontaktuar me viktimën, ndërkohë që ka administruar si provë materiale edhe aparatin celular të të riu dhe ka marrë në pyetje të gjithë punonjësit e kazinosë dhe personave të ndodhur aty pranë në momentin kur mendohet se mund të ketë ndodhur ngjarja.