Ina Rama: Me ministrin do të shihemi në gjykatë
TIRANE-Prokuroria e Përgjithshme nuk ka bërë asnjë koment lidhur me reagimin e avokatit të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, që e cilësoi si prapavijë politike marrjen e klientit të tij në cilësinë e të pandehurit. “Nuk kemi asnjë koment për të bërë. Të gjitha pretendimet tona do t’i bëjmë të ditura në gjykatë”, - tha Holta Zhiti, zëdhënëse e Prokurorisë së Përgjithshme. Zyrtarisht, organi qendror i akuzës deklaroi se nuk po kryen hetime të mëtejshme për shefin e diplomacisë shqiptare, por po i jep zgjidhje përfundimtare dosjes së shumëpërfolur ‘Durrës-Kukës’. Dy ditë më parë, avokati i Lulzim Bashës akuzoi prokurorinë për prapavijë politike, si dhe shkelje të hapur të ligjit. Por, organi qendror i akuzës nuk ka reaguar në lidhje me këto akuza që mbrojtësi ligjor i shefit të diplomacisë shqiptare ka hedhur në drejtim të tij. “Kemi vendosur konform ligjit. Avokati ka të drejtë të ngrejë pretendime, por gjithçka do të sqarohet në gjykatë”, - sqaroi zyrtarisht prokuroria.
Shkeljet
Në dosjen voluminoze të Durrës-Kukës, prokuroria ka renditur shkeljet e kryera nga ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, i vënë tashmë nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, ku në bazë të ligjit rrezikon dënimin nga gjobë, deri në 5 vjet burg. Një ndër shkeljet kryesore me të cilën do të përballet Basha, është lidhja e kontratës dhe miratimi i saj pa pasur një projekt përfundimtar për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, pjesë e së cilës është segmenti Rrëshen-Kalimash. Në listën e shkeljeve të kryera nga Basha është dhe mungesa e një fondi limit. Në bazë të ligjit, kur bëhet një tender, ka një fond limit që do të lëvrohet nga buxheti i shtetit, por që në këtë rast mungon. Një tjetër shkelje është dhe çmimi i synuar prej 418 milionë eurosh për të mbyllur përfundimisht rrugën, por që në fakt nuk rezulton të jetë i tillë. Pasi fondi për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash është rritur disa herë më shumë. “Shkelje tjetër është fakti se për 4 vendimet e qeverisë në vitin 2006, ka pasur vërejtje nga Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Prokurimit Publik”, - thuhej në kërkesën që prokuroria i dërgoi Kuvendit, shkelje që në fakt është vërtetuar pas hetimeve të kryera.
Hetimet
Për të vërtetuar akuzat ndaj ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha dhe ish-drejtorit juridik të këtij institucioni, Andi Toma, prokuroria pretendon se ka një sërë provash dhe faktesh. Procedura e tenderit të përzgjedhjes së firmës fituese për ndërtimin e rrugës, pagesat e bëra, aktet e tjera të firmosura nga kreu i Ministrisë së Transporteve në atë kohë, si dhe një raport voluminoz i ekspertëve të pajtuar nga prokuroria për vlerësimin e dëmit të shkaktuar, janë vetëm disa nga provat me të cilat prokuroria do të vërtetojë akuzat ndaj Lulzim Bashës dhe Andi Tomës.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)