Një shpresë për të sëmurët termalë

Organizata humanitare Ryder është e vetmja shpresë për të sëmurët termalë në Shqipëri. Por edhe kësaj të fundit po i mbarohen fondet. Pacientët mbeten në duart e qeverisë
Një jetë më e mirë, një jetë më cilësore: kjo është kërkesa e secilit prej nesh. Të gjithë njerëzit kanë të drejtë për një jetë më të mirë, të ndërtuar cilësisht dhe të jetuar me dinjitet. Të gjithë funksionet dhe shërbimet duhet të orientohen për të ushqyer shpresën dhe mirëqenien e njeriut. Një kategori specifike që ka nevojë më shumë për asistencë, shërbim dhe kujdes janë të sëmurët termalë, ata pacientë që fatkeqësisht ndodhen në një gjendje tepër të rëndë shëndetësore, ku vija ndarëse ndërmjet jetës dhe vdekjes kthehet në klishe. Pjesa më e madhe e të sëmurëve termalë kanë nevojë për ndihmë mjekësore, shpesh ndihmë ekonomike dhe asistencë psikologjike, ndaj subvencionimi i ilaçeve dhe kujdesi i veçantë nga ana e qeverisë bëhet një domosdoshmëri. Një lobim të suksesshëm tek nivelet e larta të vendimmarrjes, për të mbrojtur interesat e këtij target-grupi, ka zhvilluar stafi i shoqatës “Ryder Albania”, organizatë humanitare që asiston të sëmurët termalë. Synimi i kësaj qendre është rritja e cilësisë së jetës tek të sëmurët terminalë, duke ofruar falas asistencë mjekësore, psikologjike dhe social-ekonomike në shtëpitë e pacientëve që vuajnë nga kanceri në fazë terminale, të moshuar të sëmurë kronikë, të sëmurë nga SIDA etj. Te këta pacientë mbaron trajtimi kurativ (shërues) dhe lind domosdoshmëria që ata të trajtohen nga pikëpamja simptomatike. Përfaqësues të kësaj shoqate kanë marrë pjesë në mbledhjet e komisionit parlamentar për mjekësinë, duke kërkuar mbrojtjen dhe përkrahjen e atyre personave që kanë nevojë të ngutshme për ndihmë sociale dhe mjekësore. Drejtuesit e “Ryder Albania” kanë kërkuar jo vetëm grante qeveritare, ndikimi i të cilëve është afatshkurtër, por kërkojnë me bindje formulimin e ligjit që përcakton mënyrën e trajtimit dhe mbulimin e plotë mjekësor të kategorisë së të sëmurëve termalë. Kjo do të ishte zgjidhja përfundimtare për t’ua bërë jetën më të thjeshtë dhe më cilësore këtyre njerëzve.
Shoqata “Ryder” në Durrës
Shoqata “Ryder Albania” ka krijuar degën e saj në Durrës në gusht të vitit 1996. Kjo strukturë e ka filluar aktivitetin e saj me një mjek, një infermier dhe një punonjëse sociale. Fillimi i aktivitetit të degës së Durrësit ishte i vështirë, por tani kjo qendër numëron nëntë anëtarë, ndër të cilët tre mjekë, katër infermierë, një punonjëse sociale dhe një sekretare. Deri tani, qendra e “Ryder” në Durrës ka asistuar 1915 pacientë. Përgjatë viteve kjo shoqatë arriti të rritej për sa i përket stafit, cilësisë së shërbimit, arritjes së objektivave dhe qëllimit kryesor të saj. Target-grupi i shërbimeve të kësaj shoqate përbën një kategori pacientësh, të cilët që nga fillimi i sëmundjes e deri në prognozën fatale janë duke eksperimentuar një fazë të re dhe të vështirë të jetës së tyre, intervalin ndërmjet jetës dhe vdekjes. Në këtë fazë gjendja shëndetësore, psikologjike, sociale, madje edhe ekonomike e pacientit e lidhur ngushtë me gjendjen e familjes së tij, rëndohet së tepërmi. Lehtësimi dhe rritja e cilësisë së jetës së këtyre pacientëve dhe familjarëve të tyre synohet nga stafi i “Ryder”, i cili ofron shërbime si: ndihmë në medikamente, vizita të shpeshta mjekësore në shtëpitë e pacientëve, kontrolle mjekësore periodike, si dhe asistencë psikologjike e ekonomike për pacientët me gjendje të rënduar dhe gjithçka falas. “Ryder Albania” është financuar nga fondacioni “Sue Ryder Care” i Britanisë së Madhe, i Italisë, nga fondacioni “Soros” dhe donatorë të tjerë. Por stafi i degës së Durrësit përballet me shumë vështirësi për sa i përket numrit të madh të pacientëve që asistohen, që është mbi kapacitetin dhe kostoja e lartë e shërbimeve që kjo qendër synon dhe arrin të realizojë. Një pjesë të ilaçeve për të cilët të sëmurët terminalë kanë nevojë, qendra i jep me anën e recetave falas, shpenzimet e të cilave “Ryder” i mbulon me fondet e saj, ose me ndihmën e donatorëve të ndryshëm. Nevoja e ngutshme e shoqatës bamirëse “Ryder” për fonde, për të realizuar sa më cilësisht objektivat e saj, është penguar paksa nga vetë specifika e shërbimeve që kjo qendër ofron. Një pjesë e pacientëve të sëmurë termalë (pacientë ndërmjet jetës dhe vdekjes) nuk janë vënë në dijeni nga familjarët për gjendjen e tyre të rëndë shëndetësore, për t’i mbrojtur nga e vërteta e dhimbshme. Fushatat sensibilizuese, broshurat, lajmërimet, intervistat mediatike informuese për objektivin dhe synimet e “Ryder” në Durrës nuk janë ushqyer shumë nga stafi i kësaj qendre për të ruajtur anonimatin e atyre pacientëve që ndihen më të mbrojtur kur nuk e dinë të vërtetën. Ekzistenca e një kulture të çuditshme të evidentuar tek ne, siç është mospranimi i së vërtetës, ose “të gënjyerit e vetes”, gjithnjë për sa i përket shëndetit, nuk ndihmon askënd, as pacientët, as familjarët e as mjekët e punonjësit socialë që asistojnë sëmundjet në stad të pashërueshëm. Sipas Kristo Hutës, drejtuesit të degës “Ryder” në Durrës, stafi i shoqatës ka zhvilluar takime me mjekë dhe familjarë, si dhe ka përgatitur broshura dhe fletëpalosje në lidhje me çështjen nëse duhet t’i tregohet e vërteta, apo të mbahet me shpresa të kota pacienti me sëmundje terminale. Me gjithë përpjekjet që tek ne të futet një kulturë e re e stërvitur me bazat e së vërtetës, për të përgatitur pacientin dhe familjen e tij për të përballuar realit