800 mijë familje shqiptare do të përfitojnë kartolinën e mazhorancës për festat e fund vitit
Kreu i qeverisë Berisha garanton të gjithë qytetarët shqiptarë se shpërblimet e fundvitit dhe pagesat për pagat dhe pensionet do të jepen ashtu siç e parashikon ligji, brenda muajit dhjetor. Kryeministri Sali Berisha hedh poshtë të gjitha trillimet dhe deklaratat e pabaza të eksponentëve socialistë lidhur me pagat dhe shpërblimet e fund vitit për qytetarët shqiptar. Berisha u shpreh se qeveria disponon të gjithë faturën financiare për dhënien e shpërblimeve për pensionistët dhe punonjësit e administratës dhe njëherazi edhe shlyerjen e pagesave për pensionet dhe pagat brenda muajit, siç edhe e parashikon ligji. Kryeministri foli në takimin e përjavshëm me deputetët dhe për kufirin e biznesit të vogël, për të cilin tha se nuk do të ketë ndryshim të pragut, duke e ruajtur në vlerën 8 milionë lekë qarkullimi vjetor. Gjithashtu, për të mbrojtur biznesin e vogël, Berisha paralajmëroi luftë ndaj evazionit fiskal dhe ulje të TVSH-së për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë. Fjala e kryeministrit Berisha në mbledhjen e radhës të grupit parlamentar demokrat:“Së pari dëshiroj t’ju përshëndes, por edhe të theksoj se po ecet drejt mbylljes së vitit 2009-të dhe ajo që dua të them është se ky Parlament, që nga themelimi i tij e deri më sot, në 100 ditë, nuk ka pasur kurrë veprimtari më intensive në aktet dhe ligjet, marrëveshjet dhe aktet normative që ka miratuar. Unë, këto së bashku me veprimtarinë tërësore të mazhorancës, sapo të mbushen 100 ditët e qeverisë do t’ua paraqes shqiptarëve me transparencën më të madhe. Ndaj, meritojnë një falënderim të madh për punën intensive dhe cilësore. Ky Parlament grupon personalitete të të gjitha fushave, të cilët kanë bërë që cilësia e ligjeve të njohë nivele të reja dhe për këtë unë duhet t’ju falënderoj.Gjithashtu, në këtë takim desha t’ju informoj se mbyllim këtë vit në kundërshtim me trillimet ordinere, në kundërshtim me disa tituj, se nuk e di kujt i intereson të mbjellë trishtim në mëngjes ndërkohë që përgënjeshtrohet në drekë, janë 800 mijë familje shqiptare që do të marrin kartolinën e mazhorancës për Vitin e Ri. çdo gjë është plotësisht e disponueshme. Për punonjësit e administratës ndarja e shpërblimit ka filluar. Për pensionistët Instituti i Sigurimeve Shoqërore disponon të gjithë faturën financiare për të disbursuar gjatë ditëve që vijnë, nëpërmjet postës dhe mënyrave të tjera, shpërblimin për 543 mijë pensionistë të vendit. Të gjitha variantet e tjera janë thjesht spekulime ordinere, sepse se çfarë do t’u thonë këta zotërinj 800 mijë familjeve shqiptare, të cilët çdo mëngjes u deklarojnë se nuk do të marrin shpërblimin, në një kohë kur ata po e marrin dhe do t’a marrin, kjo është zgjedhja e tyre. Shqiptarët do t’u thonë që jeni mashtrues dhe mashtrimi dihet, të ul besimin në maksimum.Le të rikthehemi tek seanca e fundit, e cila do të jetë të mërkurën pasdite dhe do të jetë një seancë e rëndësishme. Në këtë seancë ne miratojmë disa ndërhyrje në Kodin e Procedurave Doganore, për të cilat unë dua të qartësoj edhe një herë se nuk do të ketë lëvizje të kufirit të biznesit të vogël. Kufiri ka qenë 8 milionë dhe do të mbetet 8 milionë. Kufiri nuk do të zbresë. Pas disa konsultimeve të gjera, në mënyrë që të mos krijohet asnjë lloj konfuzioni dhe asnjë lloj spekulimi, pragu i biznesit të vogël mbetet deri në 8 milionë lekë qarkullimi vjetor. Ajo ç’ka i gjithë ky biznes do të paguajë, pa asnjë përjashtim, në bashki dhe në komuna është taksa e biznesit të vogël. Ne po shqyrtonim dy variantet dhe njëri ishte që t’ua kompensonim ne, por meqenëse vendosëm të mos lëvizim kufirin e biznesit të vogël, atëherë, në raport me bashkitë dhe komunat situata mbetet pa asnjë ndryshim.Së dyti, në mënyrë që të mbrohet biznesi i vogël, të luftohet evazioni, TVSH-ja do të zbresë për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë. Por edhe këtu do të ketë një dallim, në rast se biznesit të madh i kërkohet një rigorozitet i përmuajshëm në të gjitha llogaritjet dhe librat, atëherë këtij biznesi, i cili është sërish i vogël, por që TVSH-ja do të përfshijë të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë, do t’u kërkohet diçka më e thjeshtuar. Përndryshe, evazioni nuk mund të luftohet.Së treti, çdo biznes, i cili gjykon se autoriteti tatimor ka arbitraritet në përcaktimin dhe në përzgjedhjen e tij për TVSH-në, është i ftuar të paraqitet, të ankimojë pranë autoritetit tatimor, pranë zëvendësministrit, pranë ministrit e deri tek Kryeministri në telefonin e tij të hapur për mesazhe, sepse në mënyrë absolute kjo që bëhet nuk ka asnjë synim tjetër përveç se mbrojtjes së biznesit të vogël dhe luftës së evazionit. Përgjigjen biznesi që do të ankohet se autoriteti tatimor ka qëndrim arbitrar në vlerësimin e tij do t’a marrë 5-7 ditëve. Unë kam besim të madh se me këto masa ne jo vetëm që nuk kemi cenuar, por kemi mbështetur fuqishëm bizneset nga 5 milionë e sipër do të fitojnë automatikisht të drejtën e rimbursimit të TVSH-së, të drejtë që nuk e kanë tani. Për të gjitha blerjet e tyre, për të gjitha shpenzimet e tyre, TVSh-ja tani këtyre do t’u rimbursohet. Por në këto raste duhet të jemi të sinqertë se nga njëra anë ai që është fare i vogël ndihmohet, nuk ndodh ajo e famshmja që “peshku i madh e ha të voglin”, nga ana tjetër edhe informaliteti luftohet. Zotërinj nuk po kërkojmë asgjë tjetër veçse të punosh në transparencë. Shumica e tyre mund t’u takojë të marrin me tepër se sa japin sot, por për ne ka rëndësi transparenca dhe qëndrimi transparent ndaj biznesit. Me këto modifikime, besoj se i kemi dhënë një mbështetje të re të fuqishme biznesit të vogël. Dua të theksoj këtu se lufta kundër informalitetit është leva e Arkimedit për të garantuar dhe për të zgjeruar liritë ekonomike. Pa këtë luftë, nuk ka liri të vërtetë, ka liri të cunguar ndaj dhe ne jemi të vendosur që të bëjmë çdo përpjeke se pa luftë kundër informalitetit nuk ka konkurrencë të ndershme. Fjala konkurrencë e ndershme, fjala shanse të barabarta bëhen tërësisht fiktive.Në seancën që vjen do të trajtojmë dhe ligjin për banorët e zonave turistike, por që në kohën kur turizmi ishte ndaluar, ato ishin ferma dhe që këta qytetarë kanë ngelur faktikisht pa një vlerësim. Dekreti i presidentit, për fat të keq ka patur një, nuk mund të mos them një skandal, pasi nuk është votuar në atë kohë në parlament dhe banorët e këtyre zonave kanë ngelur krejtësisht duarbosh. Komisioni, dhe unë nuk jam kundër këtij mendimin, propozon që dhënia e tokës të proporcionohet, të ketë një lloj proporcionimi për frymë të familjes. Dhe e kanë propozuar nga 300, minimumi gjer në 750 në varësi të frymëve të familjes. Unë jam dakord me këtë koncept. Pak a shumë mund të shkojë pak më tepër, por unë e vlerësoj këtë ndërhyrje. Sidoqoftë ligji duhet të kalojë pasi është në kuadër të reformave të premtuara dhe duhet të vazhdojmë të kompletojmë reformën e pronësisë. Të gjitha degët e Agjencisë të Kthimit të Kompensimit të Pronave në qarqe, nuk do të funksionojnë më. Me ligjin që miratoni ju, me amendimin që miratoni ju, ditën e mërkurë autorizoni agjencinë të shqyrtojë të gjitha ankesat e depozituara para datës të skadimit të paraqitjes së ankesave. Natyrisht qeveria do të bëjë disa riaxhustime, pasi janë një numër i madh ankesash, megjithë punën e madhe që është bërë. Kanë qenë rreth 40 mijë, tani kanë ngelur rreth 8 mijë në mos gaboj. është bërë punë voluminoze, por edhe këto 8 mijë do të kërkojnë ripërshtatjen e Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në përputhje me këtë vëllim të madh pune dhe qeveria sigurisht do të shqyrtojë mundësinë e një strukture të re për agjencinë, për të patur të gjithë ekipin dhe burimet e mjaftueshme njerëzore për t’iu përgjigjur sa më shpejt shqyrtimit të 8100 dosjeve që janë pa u shqyrtuar. Pra edhe dita e fundit e parlamentit ka një finale në reformë, ndaj edhe një herë dua t’u falënderoj, t’u përgëzoj për kontributin e madh që e keni dhënë gjatë këtyre muajve, të cilët kanë qenë muaj të një procesi intensiv reformash. ...