Përtacia politike për të bërë reforma
Laureati për çmimin Nobel në fizikë Max Planck ka qenë një nga shkencëtarët më të mëdhenj të shekullit XX. Si fizikan Planck shkruan se në fushën e tij, ashtu edhe në fusha të tjera të jetës, “një ide e re dhe inteligjente nuk njihet automatikisht”. Ai kishte mendimin se gjërat për të qenë “prodhuese” duhen të gjallojnë, të piqen në kohë e në hapësirë. Në këtë këndvështrim edhe suksesi i lëvizjeve demokratike dhe reformave të mëdha politike - shpesh vonohet nga agjentë të së kaluarës që e kanë të vështirë të pranojnë se koha për ndryshim – e cila mund të tingëllojë si një slogan, por nuk është e tillë - ka ardhur. Sipas idesë së fizikantit të njohur “një e vërtetë (shkencore) nuk triumfon sepse opozitarët e saj besojnë dhe shikojnë dritën”, por “sepse në fund vdesin në lindje një gjeneratë e re me koncepte të reja”. Ky optimizëm i Max Plack mund të përthyhet edhe në politikën shqiptare, por me disa vështirësi që ka habitati jonë shoqëror e politik. Ngase së fundmi ne po përjetojmë njëfarë dinamike të dhunës verbale, që edhe ka alibinë e të qenit reciproke, në këto tre muaj post-zgjedhorë. Principi i shpalosur i politikës shqiptare duket se është ai latini “mors tua, vita mea - asgjësimi yt është jeta ime”. Thënia dymijë vjeçare latine, ekziston akoma midis nesh, pa ia vrarë sytë asnjërit. Gjithsesi, po ecim drejt një shtegu të duhur integrimi evropian, pasi ky është shtegu i pashkelur ndonjëherë nga shqiptarët, përveçse po ecet disi ngadalë, me ritme që mund te jenë shumë herë më të shpejta, po të ishte opozita në parlament dhe meteorologjia e fjalëve të ishte më e butë dhe më e favorshme. Pasi provuam orientalët otomanë, komunistët jugosllavë, sovjetikë e kinezët - me intervale të ndryshme - ka ngelur të provojmë atë që s’e kemi provuar kurrë, rikthimin në Itakën e demokracisë.Për fat të keq të shqiptarëve, deliri, paranoja, zilia, xhelozia, perversiteti represiv dhe mungesa e vizionit janë faktorët që modifikojnë agjendën e kombit. Në këtë rrafsh për të mos dhënë vetëm diagnoza duhet të japim edhe prognoza terapeutike. Për të riaktivizuar rregullat e lojës së ndershme demokratike dhe paqësore, për të pasur konsensus në reformat kushtetuese, për të inauguruar një klimë pozitive dialogu, mund të shpresohet - jo nesër, as pasnesër, por sot - tani që spektri politik shqiptar duhet të shmangë me çdo kusht radikalizime për të përfituar një kapital.Së pari: duhet të ndalet polarizimi i mëtejshëm i shoqërisë, socialisti Edi Rama duhet të heqë dorë nga togfjalëshi “populli opozitar” sepse këtu ka një popull, dhe nuk ka as një “popull mazhoritar”, paçka se 8 dhjetori ishte dita e manifestimit të rinisë dhe demokracisë. Assesi të mos mendojmë se demokracia është kjo që kemi realizuar deri më tani, që nuk mund të përmirësohet, ose që duhet ta bëjë Ai hapin e parë. Edhe polarizimi politik i shoqërisë nuk është një fenomen që buron nga ngjashmëritë e dy partive të mëdha politike, përkundrazi, shfaqet të jetë një dukuri artificiale, që tregon më së miri dimensionin kulturor e historik të shqiptarëve që merren me politikë. Ndërkaq, kuptohet vetiu se politika në Shqipëri është dukshëm gjeneratori që ushqen jetën sociale në Shqipëri. çdo ditë asistojmë në një politikë-bërje masive të njerëzve që s’kanë asgjë në dorë. Mirëpo në dy dekada demokraci, kemi mësuar ditëpërditë më mirë se “pushteti është i ëmbël”. është i ëmbël i shkreti “pushtet”, për vetë faktin e pakundërshtueshëm se realizon dëshira e ëndrra, që pa politikën, do të mbeteshin veç dëshira dhe ëndrra. Mjerisht konstatojmë se ne kemi më shumë ëndrra sesa punë a ide. Po ashtu edhe diferenca dhe distanca e madhe ideore që ka PD-ja nga PS-ja - në rrafshin e kauzave që mbrojnë apo ripërtypin çdo ditë në media - nuk është polarizim, por një qëndrim që kërkohet të hidhet poshtë.Së dyti: duhet të shmangim përtacinë intelektuale. Sepse historia si kronikë e ngjarjeve mund të jetë ciklike, por ajo nuk përsëritet kurrë dy herë në të njëjtin petk: do të ishte mirë që edhe politika a shtypi i përditshëm të mos riciklonte artikuj të shkruar vite a dekada më parë për të thënë se jemi pranë një ‘96-e, ‘97-e apo 98-e. Ndonëse kësisoj, është bash kjo përtaci që po rikthen një nomenklaturë të pareformuar totalitariste në agjendën e ditës. është e çuditshme që sot të kemi një gjeneratë të dytë të Bllokut në partinë më të madhe të opozitës. Kjo të bën shumë përshtypje, meqë normalisht, vëzhguesve u lë mbresa fakti se si një parti mundet të riciklojë bijtë e një ideologjie të varrosur...