Bojkot parlamentit për shkatërrimin e shtetit
Përfshirja para disa ditësh e një pjese të të zgjedhurve vendorë në protestat e opozitës kundër qeverisë “Berisha” për gjoja respektimin e autonomisë lokale të bashkive dhe komunave të drejtuara nga socialistët përbën tentativën e hapur të Edvin Ramës për ta shtrirë bojkotin edhe në drejtime të tjera të veprimtarisë shtetrore, përveç Parlamentit shqiptar. Madje objektivi kryesor i bojkotit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste nuk është dhe aq legjislativi se sa ekzekutivi, me qëllim për të zbehur e dëmtuar sukseset apo efektivitetin e qeverisjes aktuale. Jo më kot kërkesa e Partisë Socialiste për hapjen e kutive i drejtohet institucionit të kryeministrit dhe jo institucioneve të tjera të shtetit shqiptar, të cilat e kanë detyrë ligjore një gjë të tillë. Ky nuk është një adresim i gabuar, por një strategji, më shumë e pranuar se sa e menduar, e diktuar nga mungesa e argumentave ligjorë e moral. Pas ezaurimit dhe gjykimit të këtyre pretendimeve nga Kolegji Zgjedhor, atëherë hapi i vetëm ligjor që mbetej për t’u konsumuar ishte Parlamenti, të cilit ata i rrinë larg. I rrinë larg sepse janë të bindur që e kanë të humbur davanë. Ndërkohë duhet shtuar se politikanët e lartë të mazhorancës, duke filluar nga kryeministri Berisha, zvendëskryeministri Meta e kështu me radhë e kanë ftuar opozitën të hyjë në Parlament dhe të kryesojë komisionin hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, por Edvin Rama e ka refuzuar në mënyrë kategorike këtë ofertë.Siç dihet tashmë botërisht, zgjedhjet e 28 qershorit janë cilësuar jo vetëm prej vendorëve por edhe prej ndërkombëtarëve si më të mirat që Shqipëria ka realizuar ndonjëherë në vitet e tranzicionit, duke plotësuar kërkesat kryesore të OSBE/ODIHR-it. Këtë fakt e ka pranuar edhe vetë kreu i Partisë Socialiste, Edvin Rama kur ka publikuar deklaratën e tij në mbyllje të procesit të votimit. Në se do të kishte vjedhje të votave, kjo s’mund të ndodhte në një kohë tjetër përveç asaj kur këto fletë nënshkruhen nga zgjedhësit dhe hidhen në kutitë e votimit. Nga ana tjetër Partia Socialiste ka patur në komisionet e niveleve të ndryshme zgjedhore përfaqësuesit e saj, të cilët nuk kanë bërë asnjë kontestim për procesin e numërimit të votave, duke i nënshkruar 100 për qind procesverbalet përkatëse. Ndërkohë procesi i numërimit të votave ka qënë transparent për gjithë publikun shqiptar pasi është transmetuar live nga monitorët e televizioneve kombëtare të vendit tonë. është kjo aryeja që personalitetet e ndryshme të politikës botërore po i kërkojnë në mënyrë konstante opozitës që të zërë vendet në Parlamentin shqiptar dhe të mos bëhet pengesë për ngadalësimin e ritmit të reformave integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Këtë gjë e kanë pohuar disa herë publikisht edhe autoritetet drejtuese të mazhorancës, madje nëpërmjet analizave të ndryshme politike kanë theksuar qëllimet e vërteta të “aleancës punisto-mafioze” për të penguar procesin e liberalizimit të vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Sidoqoftë deri tani, faktori ndërkombëtar nuk po influencohet nga qëndrimet destruktive të opozitës në vendimmarrjen e tyre ndaj Shqipërisë lidhur me procesin e integrimit. Por kjo nuk do të thotë se bojkoti parlamentar i deputetëve të Partisë Socialiste nuk dëmton jetën dhe veprimtarinë politiko-shoqërore të vendit në përgjithësi. Në fakt ky është synimi underground i bojkotit dhe manifestimeve të ndryshme të opozitës socialiste deri tani, përderisa qëndrimet dhe veprimet e saj absurde i përkrahin vetëm militantët e sëmurë dhe individët e pakënaqur me pushtetin aktual. Duke qënë tërësisht e paligjshme dhe e pambështetur në kërkesat e saj, opozita socialiste po e kërkon zgjidhjen e problemit në rrugë revolucionare dhe jo institucionale. Këtu nuk e kam fjalën tek artikulimet e disa eksponentëve të saj për të përsëritur 1997-ën, por tek makinacionet për të përfshirë në turmën e protestave të tyre sa më shumë individë të paaxhustuar me mekanizmat e edukimit qytetar e demokratik, përveç rekrutëve të mafies dhe nostalgjikëve të diktaturës moniste të cilat qëndrojnë në rreshtat e para. Kjo ishte arsyeja që një nga drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste ftoi këto ditë në protestat një javore të opozitës për hapjen e kutive të votimit, të cilët filluan në 14 dhjetor, të përfshihen edhe të gjithë ata qytetarë që kanë pakënaqësi të shumta ndaj qeverisë. Por në rrugë të ndryshme qarkullojnë fjalë që lidershipi socialist po u kërkon edhe punonjësve të administratës publike, të lidhur në mënyrë politike, familjare apo klanore me të majtët e Edvin Ramës që të ndikojnë sa të munden për të sabotuar qeverisjen në realizimin e të ardhurave apo shërbimeve të ndryshme publike, duke abuzuar me vendin e punës që kanë. Thuhet se celula të tilla socialiste janë krijuar e po krijohen gjithandej në administratën publike, ku terreni më i përshtashëm duket se është gjetur në organet e sistemit të drejtësisë, të mbushura në 1997-ën me ekstremistë të majtë. Një tregues mjaft domethënës, përveç nivelit të lartë të korrupsionit si në periudhën tetëvjeçare të qeverisjes socialiste, është edhe mbrojtja apo anulimi i çdo vendimi administrativ nga abuzantëve e shkeljes së ligjit në plotësimin e detyrimeve që rrjedhin prej aktivitetit të tyre publik apo privat. Në shumicën më të madhe të rasteve këto favore bëhen për t’i rekrutuar si kundërshtarë të qeverisjes në protestat e socialistëve, duke përfituar nga mbrojtja që u rezervon statusi i nëpunësit civil apo imuniteti i organeve të pavaruara të drejtësisë. Për këtë kategori nëpunësish paraja dhe trashëgimi i pushtetit komunist janë më të rëndësishme se sa parimet dhe integrimi perëndimor i Shqipërisë.Për socialistët shqiptarë, modeli i pushtetit është ai i viteve 1997-2005, ku korrupsioni kishte përfshirë gjithë nivelet e qeverisjes dhe modeli i opozitës është ai i viteve 1992-1997 me grupe të tipit “Hakmarrja për Drejtësi” dhe “Komite të Shpëtimit Kombëtar”. Por më të theksuara këto cilësi të mbrapshta po vihen re tek opozita socialiste e krijuar pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithëshme të 28 qershorit 2009. Shenja të mosbashkëpunimit institucional të opozitës së Edvin Ramës me mazhorancën për çështje të rëndësishme të reformave integruese ishin vënë re edhe gjatë legjislaturës së kaluar, por këtë herë refuzimi është i tejskajshëm, pasi deputetët socialistë nuk po hyjnë fare në Parlament. Kjo është një zgjedhje abuzive për të transferuar përgjegjësinë tek kundërshtarët politikë, ndërkohë që prania në Parlament dhe refuzimi për të bashkëpunuar do t’i evidentonte dukshëm ata si përgjegjës të drejtëpërdrejtë. Qëndrimi dhe sjellja politike e opozitës socialiste të kryesuar nga Edvin Rama është unikale në të gjithë botën, pasi askund nuk ka ndodhur që pakica t’u kundërvihet hapur interesave kombëtare si në Shqipërinë e ditëve të sotme. Edhe kur kanë patur arsye të vërteta dhe jo alibi si në rastin e opozitës sonë ata i janë drejtuar ligjit dhe jo rrugës. Një eksponent i Partisë Socialiste dhe disa media pro saj sillnin këto ditë eksperiencën e Rumansië për hapjen e kutive, por në këtë rast kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe jo të kryeministrit të atij vendi. Pra ka një vendim gjykate, sikundër ka edhe në rastin tonë që e konsideron të rregullt procesin zgjedhor. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në raste të tjera të ngjashme deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po të marrim rastin e Al Gorit në SHBA, do të shohim se zgjedhja e Bushit të ri në krye të shtetit më demokratik të botës erdhi si pasojë e zbatimit të afateve ligjore dhe një vendimi të Gjykatës së Lartë të këtij vendi, e cila vendosi 5 me 4 që të ndërpritej rinumërimi në Florida dhe të shpallej rezultati. Veç kësaj, gjykata tha se rinumërimi nuk kishte kuptim, pasi ai nuk ishte një standard kombëtar.Kështu që ngjajshmëritë me rastet e ndodhura në vende të tjera, sidomos në SHBA, nuk qëndrojnë, pasi në të gjithë këto raste politika ka zbatuar vendimet e gjyqsorit dhe jo anasjelltas siç pretendon Rama, për më tepër kur nuk ka asnjë lloj kontestimi nga përfaqësuesit e tij, të ngarkuar më administrimin e zgjedhjeve. Në kuti nuk janë thjeshtë fletë votimi por dokumenta ligjorë për mazhdorancën dhe opozitën. Refuzimi dhe mosnjohja e këtij realiteti ligjor nga kreu i opozitës e bën atë të pabesueshëm në kërkesat e tij për të respektuar shtetin ligjor, institucionet demokratike, të drejtat qytetare e kështu me radhë. Dhe shteti ligjor, institucionet demokratike apo të drejtat qytetare, në se do të perifrazonim një slogan nga fjalori i ekonomisë moniste do të thoshim se janë “pronë e të gjithë popullit”, ku përfshihet edhe “populli opozitar”, siç e quan Rama anëtarësinë socialiste. Në këtë kuadër edhe opozita duhet të shihet e trajtohet nga lidershipi i saj si një institucion demokratik, që nuk ka vetëm të drejta por edhe detyra kushtetuese ndaj këtij vendi, të cilat në momente të tilla të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian janë edhe më të mëdha se kurrë. Qëndrimi jashtë Parlamentit në këtë situatë, nuk është dhe aq “papjekuri politike”, sikundër janë shprehur disa prej ndërkombëtarëve, por një ligësi kombëtare për të paralizuar funksionimin e shtetit dhe efiçiencën tonë qeverisëse....