E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta e skajshme, fatkeqësi për prosperitetin e vendit

Popullariteti i Pertinit - Ishte ndër luftëtarët më me prestigj kundër fashizmit, në anën e majtë të rreshtimit partiak. Mund të përmendnim Alçide De Gasperin, shtetarin nga më të mëdhenjtë e pasluftës, katolik i bindur në luftën antifashiste, i djathtë i përkorë, nacionalizmi i të cilit dhe miqësia e patrandur me SHBA-të, u kuptua pa përkeqësime nga të gjithë italianët, të majtë e të djathtë, në përkushtimin thuajse mbinjerëzor, për të shpëtuar Italinë e shtrenjtë, - siç shprehej kurdoherë, - nga kthetrat e mareshalit Tito, për të vënë në dorë copëra të mëdha të Italisë Verilindore, Istrias, Venecia-Xhulias, Polës. Preteksti? Se kishin hyrë më parë partizanët e udhëheqësit jugosllav! Kryeministri i lavdishëm italian (madje me origjinë austriake) la nam në Konferemcën e Paqes në Paris, për gjenialitetin logjik të një politikani dhe të një vizionari që diti të magjepsë dëgjuesit, në atë Konferencë historike. Për këtë subjekt, duke e lënë mënjanë modestinë, mund të flas me njohuri të shumta, si përkthyes i katër librave të jashtëzakonshëm, për  figurën me përmasa europiane të De Gasperit. Sepse, Bashkë me Adenauerin dhe me Shumanin, është babai i Europës së Bashkuar , për të cilën sot flitet kaq shumë, sidomos në vendin tonë.Por na duhet të flasim për një të majtë të ndritshëm, që do të na shërbente si shëmbëlltyrë për një ecuri të jashtëzakonshme në vendin tonë.Sandro Pertini mund të na shërbejë si model. është me origjinë nga Liguria. Shpesh është quajtur si “presidenti më i dashur i italianëve”. çmohej për dashurinë ndaj Italisë, për karizmën e tij, për ndershmërinë, për interesin ndaj fëmijëve, të cilët i ftonte shpesh në Kuirinal. Për mënyrën sesi dinte të sillej me qytetarët (“miq të dashur, mos bëni vetëm pyetje me vend, por edhe më kot: “mua më quajnë Pertini…”). Nuk i donte kompromiset, sepse mbështetej në rreptësinë e vet morale. Gazetari i djathtë Indro Montaneli, kishte shkruar në një artikull të tetorit të vitit 1963, në „Corriere della Sera“: „Nuk e duam Pertinin, meqë ai është socialist. Por, se çdo gjë që bën bie erë pastërtie, ndershmërie dhe sinqeriteti. Nuk banoi në Pallatin Kuirinale, por mbeti në apartamentin e tij roman, siç thoshte, vetëm se atje dëshironte të rrinte e shoqja“. Kur vinte makina për ta çuar në zyrë, nuk pranonte veçse një rojë të vetme dhe shpesh e ndalonte makinën për të takuar miqtë dhe, veçanërisht, fëmijët e njohur. I sajdiste të gjithë. Shpesh ai kujtohet me dhembje për orvatjet për të shpëtuar fatkeqin gjashtëvjeçar, Alfredino Rampin, që ra në një humnerë. Ne, të njëfarë moshe, e mbajmë në kujtesë shumë mirë, me anë të kanoçeve të TV-së italiane (1981) , se ç’përpjekje u bënë në atë kohë, duke u ofruar vullnetarë, që të lidheshin me litarë për këmbësh, për t’u futur  me vinç thellë e më thellë në atë guvë. Vullnetari trim arriti ta mbërthejë për duarsh Alfredinon, që kishte ngecur andej nga mesi. Por ky i shpëtoi për duarsh dhe ra në fund të honit! Pertinit i vezulluan lot dëshpërimi. Por sa u gëzua ky president popullor,  në Kampionatin Botëror të futbollit, në stadiumin e Madridit, për fitoren italiane të Kupës së botës, në vitin 1982, përpara një Huan Karlosi, pikë e vrer! Festimet mbetën të paharruara, vite më vonë, për emrin që morën “koktejet e Pertinit”, që u përhapën në të gjithë Spanjën, në mjediset studentore.Pertini i kalonte pushimet verore në Selva di Val Gardena, duke ndenjur në kazermat e karabinierëve, për të mos shqetësuar njerëzit me masat e tepërta të sigurisë, gjatë këtij qëndrimi. Në Val di Fassa të komunës së Kampitelos, ishte ndërtuar në vitin 1986, “Strehimi Sandro Pertini”, për hir të miqësisë  që kishte Presidenti me të zotin e strehimit.Popullariteti i këtij presidenti u bë objekt vëmendjeje edhe në botën e shfaqjeve: Në kabaretin televiziv të viteve Tetëdhjetë ishin, së paku, dy imitues të shquar të Sandro Pertinit: Alfredo Papa dhe Masimo Lopezi. I pari dyzonte kukullën Sandrino, që bashkëbisedonte me  Lino Tófolon në varietenë e Kanalit 5 të “Të gajasurit” (Risatissima). I dyti imitonte drejtpërdrejt Pertinin, veçanërisht në skeçin e Trios (Lopez, Markezini, Solengi) në edicionin 1985-1986, të Domenika In-it. Këngëtari Toto Kotunjo e përmendte në këngën e tij “Italiani” me fjalët “buongiorno Italia, / gli spaghetti al dente e un partigiano come presidente”, në Festivalin e Sanremos të vitit 1983. Pertini ishte, veç të tjerash, edhe protagonist i Strischia-s, i botuar për satirën historike italiane, “Zemra” (1983).Fatkeqësia kur mikrouniversi vetjak vihet në qendër të vëmendjes - E majta jonë, - në kuptimin e saj që ka peshën e komandës, së majtës së skajshme, - nuk ka ndonjë personalitet që t’i afrohet, qoftë edhe së largu, një personaliteti si Pertini. Aq më keq personi që tani ka kapur PS-në, ndonëse ka përballë, kontestuese, të majtën reformatore të PS-së. Të djathtën, po se po.Së pari, që kreu i tanishëm i PS-së, E. Rama, ka mikrouniversin e tij vetjak në qendër të vëmendjes dhe është shpërfillës për interesat kombëtare të çasteve të tanishme historike. Për hapin e parë të hyrjes fatlume në NATO, ai u tregua, - si të thuash, - buzëvarur dhe u kujtua si kofini pas të vjelit, se kjo ngjarje përbënte një sukses për vendin tonë. U kujtua, thamë,”më së fundi”; sepse atij kaq i bën poshtërimi i përparimeve të vendit tonë, në instancat ndërkombëtare, nëse atij, personalisht, nuk i ofrohen përparësí që kanë vlerë, në të vërtetë, thjeshtësisht vetjake.Nga ana tjetër, çështje tepër e rëndësishme si e para, nihilizmi, vijon, paçka se ky ka ndikim negativ në frymëzimin tonë euroatlantik. Jemi përpara liberalizimit të vizave dhe aderimit në BE. Z. Rama ka ngarkuar të tijtë që, në mënyrë demagogjike, thuajse duhet të bindin miqtë tanë europianë, se ne nuk e meritojmë të jemi në atë bashkësi që na frymëzon. E kemi parë shpesh Edvinin me gjyslyke të errëta. është portreti i tij i vërtetë i të këqyrurit të ecurisë së vendit tonë, me aleancën qeverisëse të tanishme ndaj së cilës ai është jo opozitar, por obstruksionist. Thartohet kur faktori ndërkombëtar flet me simpati që qeverisja jonë nuk është përfshirë nga rënia globale ekonomike, ndonëse ka, natyrisht, ndikime tangenciale të pashmangshme nga kjo krizë ekonomike botërore. Bie ndesh me njëqind personalitete të rangut të lartë europian dhe amerikan që janë kompetentë të shqyrtimit të gjithanshëm të Shqipërisë, në interesat që u interesojnë Europës, jo Edvin Ramës! Gjysliket e zeza shndërrohen në joopake vetëm kur ndonjë, i vetmuar, flet për numërim jo të kthjellët, siç është i pakthjellët edhe të menduarit e tij. Atë gjykim vetmitar, ai e mban për etalon. Dhe propagandistët e tij duhet të përsëritin gjer në shurdhëri të njëjtin lajtmotiv, paçka se është një mendim i pasaktë, që bie ndesh me monitoruesit e huaj dhe me komisionerët e tij vetjakë, që u dashkan quajtur tradhtarë!Subjektivizmi i tij arrin gjer në autolëvdata pështirosëse vetëm kur është fjala për bojatisjet e tij antiestetike (siç e ka vënë në dukje, me kompetencë, arkitekti i shquar Petraq Kolevica); vetëm kur ka katranosur ekosistemin e kryeqytetit (siç ia ka vënë në dukje specialisti i ekologjisë, z. Guri); vetëm kur është vënë para shigjetimeve të betonizimit të ndërtesave në qendër, në dëm të lulishteve, gjithmonë e në  rrudhje; vetëm kur e ka lënë edhe pjesën qëndrore të sheshit përreth ministrive, në hallin e prishjes së amortizatorëve të makinave, për në kalendat greke; vetëm kur ka bërë diskriminime të papërfytyrueshme në dobi të Eftimit e Shkrelit, ndërsa ndërtuesit e tjerë e kanë të pamundur të depërtojnë, me kontributet e tyre, në atë koncentrat çekuilibrash, për interesa të kryetarit... E si do të bëhen këto punë, kur kryetari me korrespondencë e sheh me dylbi bashkinë (me përjashtim të rasteve të dhënies së licencave ndërtimore)?Ky kryetar bashkie i pasuksesshëm, kërkon të bëhet një qeverisës i suksesshëm. Paçka se për fitoren  e zgjedhjeve nga ai vetë, ka përkrahës vetëm veten, si edhe ata që i ka nënshtruar. Demokratikisht?Ta shohim: LMN-në e nxori jashtë tribunës së mendimit të lirë, me dhunë të pashembullt. Me fjalët kërcënuese, me mbledhjet e mbyllura hermetikisht; me keqtrajtim të gazetarëve; me intervista fyerëse, kur i akuzonte për inkompetencë, për çdo pyetje të cilën e quante provokuese! (A ka parë ndonjë takim të tillë, me shfaqjen e një arrogance të papërmbajtshme, - huq i Edvinit, - ndërsa Berisha i pranonte të gjitha mënyrat e pyetjeve me gjakftohtësi, me shpjegime, madje edhe me humor, për të krijuar një atmosferë të përshtatshme bashkëbisedimi?).Veset e E. Ramës, i majtë “bon pour l’Albanie”, le të krahasohen me të majtë si Sandro Pertini për të nxjerrë një portret të plotë të një personi mujshar, - siç është ky që na ka rënë për híse nga diktatura, - që po i kushton aq rëndë vendit tonë të rrëgjuar nga një totalitarizëm i pashëmbullt në Europë e më tej! La Roshëfukoi ka thënë se një qytetar i keq, s’mund të jetë shtetar i mirë. Dhe ky qëndrim joqytetar, është bërë i njohur, tashmë!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›