E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ahtisari” dhe “Ohri” kanë përmbyllur ndryshimin e kufijve

Pas arritjes në Shkup, ministri Hoxhaj u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Poposki, ku u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, projektet konkrete për avancimin e bashkëpunimit si dhe për perspektivat e përbashkëta integruese në strukturat euroatlantike.

Ministri Hoxhaj ka vlerësuar raportet miqësore të Kosovës me Maqedoninë për dekada të tëra, duke theksuar edhe mbështetjen që Maqedonia ka dhënë për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë. “Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë ndajnë interesa të përbashkëta politike dhe ekonomike, për stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e rajonit tonë”, tha Hoxhaj.

Lidhur me bashkëpunimin politik, ministri Hoxhaj tha se dokumentet si ‘Plani i Ahtisarit’ për Kosovën, por edhe ‘Marrëveshja e Ohrit’ në Maqedoni, kanë mbyllur çështjet e kufijve në Ballkanin Perëndimor dhe kanë trasuar rrugën për fokusim të shteteve tonë për integrime euro atlantike, aspiratë që Kosova dhe Maqedonia e ndajnë së bashku. “Rreth 20 marrëveshje ndërshtetërore, bashkëpunim në shumë  fusha, vizita e takime intensive në të gjitha nivelet, përbejnë atë që mund të quhet model i bashkëpunimit rajonal dhe i fqinjësisë së mirë”, tha Hoxhaj.

Ai theksoi faktin se Kosova dhe Maqedonia janë vendet e vetme në Ballkan që kanë bërë suksesshëm demarkimin e kufirit. “Kufiri ynë i përbashkët tani mbikëqyret vetëm nga policia. Ky është një model evropian, që duhet të aplikohet edhe nga shtete tjera të Ballkanit”, tha Hoxhaj, duke theksuar përkushtimin për thellimin edhe më të madh të bashkëpunimit në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, sipas praktikave moderne të Bashkimit Evropian. Hoxhaj bëri të ditur se gjatë takimit me homologun Poposki është diskutuar për dy mënyra se si mund të lehtësohet shkëmbimi i ideve dhe mallrave përmes vendosjes së regjimit të ri për kalimin me vetëm me letërnjoftime të kufirit dhe shkurtimit të kohës së udhëtimit nga Prishtina në Shkup dhe nga Shkupi në Prishtinës, përmes ndërtimit të një Autostrade.

Ministri i Jashtëm i Kosovës në këtë frymë tha se do të ketë një përshpejtim të veprimeve për finalizim sa më shpejt të vendkalimit të ri kufitar, Stanqiq-Bellanofc, vendkalimi në afërsi të Tetovës (Jazhincë-Glloboqicë) të aftësohet dhe licencohet edhe për mallra, pastaj të hapen vendkalime të reja, atje ku ka nevojë e mundësi. Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë ditës do të zhvillojë takime edhe me presidentin e Republikës së Maqedonisë, George Ivanov, me kryeministrin Nikola Gruevski dhe me zëvendëskryeministrin Musa Xhaferi. /Start/

                                                                                             2012-06-25 14:25
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›