E Diel, 1 Nëntor 2026

“Anija e SHBA-ve në Durrës, s’lidhet me tensionin në rajon”

 Më parë u publikua në media se kjo anije vinte në bregdetin shqiptar për shkak të situatës së tensionuar në rajonin e Ballkanit, por ambasada amerikane në Prishtinë, e mohon këtë fakt.

“Zbarkimi i anijes USS Gunston Hall do të bëhet në Durrës të Shqipërisë prej 24 deri 27 prill, për një vizitë të rregullt dhe të planifikuar të portës. Kjo vizitë i shërben Flotës së 6-të Amerikane, të vazhdojë përpjekjet në ndërtimin e partneritetit global bregdetar me shtetet evropiane si dhe të përmirësojë sigurinë dhe mbrojtjen bregdetare”, thuhet në njoftim e kësaj ambasade, njoftim të cilit e pat bërë më parë edhe qeveria shqiptare.

Ambasada Amerikane në Prishtinë thekson se, kjo vizitë s’ka lidhje me ngjarjet në rajon. “Është një vizitë e rregullt dhe e planifikuar. Një vizitë e tillë, ofron një vendtakim të mrekullueshëm për ndërtimin e njohurive të përbashkëta të taktikave, profesionalizmit, mirëkuptimit kulturor dhe besimit bregdetar. Ato nënvizojnë partneritetin tonë në rritje, i cili kërkon solucione kooperative që kontribuojnë mbrojtjes së regjionit. Për më tepër, këto vizita ndihmojnë në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve tona. Gjatë qëndrimit në port, ekuipazhi i anijes do të bëjë punë bamirësie”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, 

Hyrja, qëndrimi dhe dalja e forcës ushtarake amerikane bëhet në portin e Durrësit. Qëllimi i qëndrimit të përkohshëm të kësaj force ushtarake amerikane është për vizitë portuale.

“Trupat amerikane gjatë hyrjes, qëndrimit dhe daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë do të kenë statusin e parashikuar në marrëveshjen ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut, për statusin e forcave, nënshkruar në Londër, më 19 qershor 1951, dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr.10101, datë 26.3.2009, si dhe statusin e parashikuar në marrëveshjen plotësuese, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të marrëveshjes mes shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe të shteteve të tjera pjesëmarrëse në partneritetin për paqe lidhur me statusin e forcave të tyre, “Mbi statusin e forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë”, nënshkruar në Tiranë më 31.3.2004, dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr.9246, datë 24.6.2004”, thuhet në vendimin e qeverisë shqiptare të disa ditëve më parë.  Gjatë hyrjes, qëndrimit dhe daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë trupat amerikane të shoqërohen nga njësi të armatosura të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. /Start/

                                                                                             2012-04-24 11:31
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›